E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dollari vazhdon rritjen ndaj lekut

Leku ka vijuar të bjerë ndaj monedhës së gjelbër pas zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë ndaj euros ai forcohet për shkak edhe të kërkesës së madhe që ka për lek me kthimin e emigrantëve nga Greqia dhe Italia.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fillim të javës 1 USD u këmbye mesatarisht me 80.5 lekë, (duke shtuar +0.52 pikë), ndërsa në fund të javës me 79.98 lekë (+0.87). Kurse euro u këmbye mesatarisht me 121.16 lekë në fillim të javës me një rënie (-0.04 pikë) dhe në fund të saj me 121.11 lekë (-0.11).      Nga të dhënat e Bankës Qëndrore, rezulton se gjatë kësaj jave leku ka paraqitur qëndrueshmëri dhe ndaj valutave të tjera, një situatë e favorizuar nga efektet e sezonit veror, që pritet të ndikojë në forcimin e lekut deri në mesin e muajit shtator.

Sipas BSH-së, gjatë sezonit veror, që përkon me ardhjen e mijëra emigrantëve dhe turistëve nga Kosova e Maqedonia për të kaluar pushimet në Shqipëri, vlerat e valutave në këmbimin me lekun bien. Uljen më të ndjeshme e pëson Euro, pasi pjesa kryesore e të ardhurave në këtë periudhë vijnë nga shtete të eurozonës.

Ecuria e dollarit

Dollari vazhdon rritjen ndaj euros. Është e pesta javë radhazi që dollari njeh vetëm rritje, dhe kjo është rritja më e gjatë në dy vitet e fundit. Kjo pasi mendohet se shpenzimet e konsumatorëve në SHBBA janë rritur dhe kjo do të shpëtojë ekonominë amerikane nga recesioni.

Monedha e gjelbër ka arritur nivelin më të lartë të 5 muajve të fundit ndaj euros dhe në nivelin më të lartë të shtatë viteve ndaj yenit. Ndërsa paundi është këmbyer në nivelin më të ulët të 22 muajve pasi Banka e Anglisë ka sinjalizuar për ulje të normës bazë të interesit.

“Dollari është rritur pas të dhënave pozitive të ekonomisë amerikane” – tha Akio Shimizu, menaxher në një agjenci këmbimi.

“Rreziku për një rënie ekonomike në eurozonë është në rritje. Kjo gjë mund ti japë shtysë dollarit”.

Kundrejt euros, dollari është rritur deri në nivelin 1.4739, niveli më i lartë që prej 21 shkurtit. Vetëm brenda kësaj jave dollari është rritur me 1.7%.

Sterlina ka rënë me 3.2% këtë javë deri në 1.8593, niveli më i ulët që prej muajit tetor 2006.

Dollari pritet të rritet deri në nivelin 1.45 ndaj euros brenda tre muajve.

Çmimi i naftës bruto ka rënë me 1.59$ deri në nivelin 113.42 dollarë për barrel. Ai ka rënë 23% që kur arriti rekordin prej 147.27$. Kursi i këmbimit euro-dollar dhe çmimi i naftës kanë një korrelacion prej 0.9, sipas llogaritjeve të Bloomberg.

Dollari dhe nafta

“Arsyeja se pse dollari është i fortë është sepse nafta është me çmim të ulët” – tha Ray Attrill, drejtor i kërkimeve në kompaninë Forecast Ltd. “Çmimi i naftës është në rënie pasi Europa dhe Japonia janë në një recesion virtual, kështu që dhe kërkesa është në rënie. Kjo është edhe arsyeja e lidhjes midis euros dhe dollarit me naftën”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›