Ngacmime seksuale në burgun e Peqinit
TIRANË- “Familjarët e të dënuarve dhe të paraburgosurve që ndodhet në burgun e Peqinit, gjatë kontrollit fizik të tyre nga gardianët e këtij institucioni kryesisht ndaj kontrollit tek femrat kryhet në mënyrë tepër denigruese, duke i zhveshur ato dhe kontrolluar në vendet më intime në mënyrë çnjerëzore”. Kjo është pohuar nga Avokati i Popullit, pas një inspektimi të kryer në këtë burg gjatë datës 29-30 korrik të këtij viti. Një kopje e këtij raporti i është dërguar edhe krerëve të burgjeve e Drejtësisë, duk i kërkuar zgjidhjen e problemit.
Sipas pikës 14 të raportit, komisionerët e avokatit të Popullit kanë renditur trajtimin denigrues të familjarëve të të dënuarve që vijnë në këtë institucion për të vizituar të afërmit e tyre. “Në kontakt me familjarët e të dënuarve dhe me vetë këta të fundit, grupi inspektues konstatoi se ata kishin shumë rezerva për mënyrën e ushtrimit të kontrollit fizik dhe të ushqimeve nga ana e administratës së Burgut Peqin. Shpesh u denoncua se kontrolli, sidomos ndaj femrave kryhej tepër denigrues, duke i zhveshur ato dhe kryer ushtrime të tilla për të parë nëse dispononin ose jo sende të ndaluara të fshehura brenda vetes së tyre. Këto mënyra kontrolli shpesh kishin irrituar familjarët dhe vetë të dënuarit dhe kanë krijuar një klimë jo të favorshme në marrëdhëniet me drejtorin e Burgut Peqin”,- thuhet në pikën 14 të këtij raporti. Por institucioni i Avokatit të Popullit ka insistuar se kontrolli trupor i të afërmve të të burgosurve duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të mos cenojë dinjitetin e tyre. Krahas kësaj, lind si detyrë që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të gjejë mundësi financiare për të ofruar sa më parë aparatura të posaçme për kontrollin trupor në distancë, të cilat do të eliminonin format aktuale të kontrollit fizik.
“Gjithashtu një kujdes i veçante duhet pasur në kontrollin e ushqimeve, duke mos përzier dhe prishur në shumë raste asortimente të ndryshme për shkak të kontrollit të imët. Në këto raste kontrolli duhet bërë me doreza dhe duhet ruajtur struktura e produkteve, pa i cenuar dhe përzier ato me produkte të tjera”,- thuhet në raport. Gjithashtu, në njërën nga 20 pikat e evidentuara si probleme që duhen përmirësuar në mënyrë urgjente është renditur edhe me kohën e gjatë që duhet të prisnin për të takuar të afërmit e tyre dhe pagesën që familjarët bënin për zënien e radhës për të hyrë në këtë institucion. “Nga intervistimi i disa familjarëve që prisnin të takonin të afërmit e tyre në Burgun Peqin rezultoi se ata kishin ankesa në lidhje me kohën e gjatë që duhet të prisnin në radhë për të zhvilluar një takim. Shpesh disa prej tyre që vinin nga zona të largëta të vendit ju ishte dashur që të merrnin paraprakisht një numër telefoni, që i korrespondonte një dyqani afër burgut që të porosisnin kundrejt një pagese një vend në radhën për takim ditën e nesërme”- thuhet në raport, duke kujtuar se këtë procedurë duhet ta mbaronin shpejt pasi me fillimin e pasdites linjat e largëta të transportit bëheshin të pamundura për tu kapur.
----------------------------------------------------------------------Raporti zbulon një listë të gjatë me shkelje nga mungesa e ujit të pijshëm deri tek dhuna që ushtrohet në qeli
Tmerri i përditshëm i të burgosurve në Peqin
TIRANË- Inspektimi i përgjithshëm në burgun e sigurisë së lartë në Peqin nga komisionerët e Avokatit të Popullit është shoqëruar me 20 pika, të renditura si probleme emergjente për përmirësimin e kushteve dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në këtë institucion. Sipas raportit, ndër problemet kryesore të hasura gjatë inspektimit dy ditor janë renditur ato të kushteve të këqija në ajrimin e qelive, ushqimi i dobët, mbi popullimin e qelive, mungesën e stafit mjekësor, mungesën e ujit të pijshëm, dhunës së ushtruar ndaj të dënuarve e të paraburgosurve si dhe abuzimet me çmimet e ushqimeve që i shiten personave që vuajnë dënimin në burgun e Peqinit.
Në momentin e inspektimit në burgun e Peqinit strehoheshin 838 të burgosur dhe 119 të paraburgosur, ku mbi 300 persona janë strehuar mbi kapacitetin e lejuar dhe parashikuar në këtë institucion. “Kjo shifër mbipopullimi është shkaktari kryesor i amortizimit dhe degradimit të një sërë ambientesh dhe shërbimesh që duhet t`i ofrohen të burgosurve dhe paraburgosurve, ndaj ndihet emergjente që kjo shifër të minimizohet deri në eliminimin e plotë”-thuhet në rekomandim. Përveç, mbipopullimit në këtë institucion sipas inspektimit të Avokatit të Popullit mungon mjeku psikiatër dhe psikologu, duke bërë që gjendja e emocionale dhe psikologjike e të dënuarve dhe paraburgosurve të rëndohet duke i shtytur ata deri në vetëvrasje. “Sipas dokumentacionit zyrtar aktualisht në burgun e Peqinit strehon 25 të sëmurë mendore me simptoma të rënda skizofrenie dhe depresioni, si dhe një numër tjetër të paspecifikuar të dënuarish që vuajnë nga shqetësimet mendore të vazhdueshme”-thuhet në raport duke parashtruar edhe rekomandimin për këtë problem. “Në këtë institucion nuk ka të punësuar një psikolog apo mjek psikiatër për t’i shërbyer këtyre të dënuarve, ku rekomandojmë krahas punësimit të këtij personeli edhe nevojën urgjente ku të gjithë të dënuarit që ndodhen në këtë institucion t’i nënshtrohen një plani të veçantë studimor nga ana psikologjike dhe personat që kanë çrregullime të vizitohen në institucione të specializuara”,- thuhet ndër të tjera në raportin e Avokatit të Popullit.
Gjithashtu, gjatë inspektimit është evidentuar edhe problemi i mjekimit të 140 personave që strehohen në këtë institucion dhe që vuajnë nga sëmundje kronike dhe që kërkojnë asistencë mjekësore të specializuar dhe shërbim 24 orë. “Nga verifikimi i organikes mjekësore në burgun e Peqinit ka rezultuar se janë të punësuar gjithsej 7 persona staf mjekësor, nga të cilët 2 mjek, 1 stomatolog, 1 farmacist dhe 3 infermier që janë shumë pak të mjaftueshëm që t’i ofrohet një shërbim sipas parametrave të kërkuara, duke lejuar që ata të jenë shpesh të rrezikuar edhe për jetën”,- thuhet në raport. Mësohet se nga inspektimi i kryer në qendrën e shërbimit mjekësor të burgut të Peqinit për 957 të strehuarit në këtë institucion janë në dispozicion vetëm 8 shtretër. “Gjate natës gatishmëria mjekësore në institucion mbulohej vetëm nga një infermier, pasi stafi tjetër mjekësor punonte vetëm me dy turne dhe për një injeksion të dënuarit duhet të shkonin tek dhoma e mjekut pasi shërbimi nuk kryhej në qeli”-thuhet në raportin e Avokatit të Popullit, ku në pjesën e rekomandimit vihet në dukje që kjo qendër nuk përmbush asnjë kriter për të qenë një qendër shëndetësore observimi.
----------------------------------------------------------------------“Mungojnë shtretërit në qeli. Njëri prej të burgosurve flinte në dysheme në kushte shumë të vështira”
Tre të burgosur në dhomën dy metra të gjerë
TIRANË- Grupi i inspektimit të Avokatit të Popullit kreu një vizitë edhe në dhomat e izolimit të burgut të Peqin, ku nga këqyrja e këtyre ambienteve dhe të dhënat e mbledhura nga ankesat e të burgosurve rezulton një mbipopullim i papranueshëm dhe tej normave të lejuara. “Një dhomë izolimi me sipërfaqe 4.5 m2 brenda saj gjendeshin tre të dënuar, ku njëri prej tyre flinte në dysheme në kushte të vështira, ndërsa shumë shpesh për shkak të mbipopullimit disa prej këtyre personave që strehohen në këtë institucion janë detyruar të kalojnë natën dhe duke fjetur në ambientet e ajrimit në dysheme. Gjithashtu të gjitha ambientet e ajrimit pranë dhomave të izolimit nuk kishin kamera të sigurisë, në dallim nga ambientet tjera të burgut, duke u bërë shkak për ushtrim dhune nga gardianët e burgut.Sipas raportit edhe në inspektimin që u zhvillua në ambientet e observimit fillestar të të burgosurve të rinj është vënë re një mbipopullim i madh për shkak se në një dhomë rreth 20 m2 mbaheshin 9 të dënuar të sapo paraqitur në Burgun Peqin. “Në këtë ambient kishte mungesë edhe në krevate dhe disa prej të dënuarve në mungesë të hapësirave të nevojshme flinin në dysheme”-thuhet në raport. Ndërsa, gjatë këqyrjes së përgjithshme të kushteve të dhomave të të dënuarve, sipas raportit, binte në sy fakti se përveç mbipopullimit ato nuk kishin ajrosje, por ofronin vapë sidomos gjatë stinës së verës dhe mungesës dhe mos lejimit të vendosjes së frigoriferëve më të mëdhenj, për shkak se ata që janë të vendosur janë parashikuar për mbajtjen e litrazhit të vogël për pak persona dhe jo siç janë brenda qelisë 6 deri 8 persona dhe që nevojiten frigoriferë më të mëdhenj.
----------------------------------------------------------------------Raporti/ Të dënuarit detyrohen rregullisht që të blejnë ujin e pijshëm jashtë burgut me paratë e tyre
Biznes me ujin e pijshëm të të dënuarve
TIRANË- Mungesa e ujit të pijshëm, sipas raportit, ishte një problem tjetër në institucionin e vuajtjes së dënimit në Peqin. “Gjatë inspektimit të këtij institucioni u konstatua një gjendje shumë e rënduar e furnizimit me ujë të pijshëm të të dënuarve që duhet të shërbente edhe për nevoja larjeje dhe pastrimi. Gjatë anketimit të të burgosurve dhe të paraburgosurve dhe konstatimit me sy të lirë u evidentua mungesa e ujit të pijshëm ku në mungesë të ujit të burgosurit kishin mbushur ene me ujë për kryerjen e nevojave të tyre gjatë ditës. Ndërkohë që për sigurimin e vazhdueshëm me ujë të pijshëm shumë të dënuar ishin të detyruar ta blinin atë në mënyrë të rregullt”- thuhet në raport, duke e cilësuar këtë gjendje si të palejueshme. Sipas rekomandimit, institucioni i burgut të Peqinit duhet të marrë masa për furnizimin me gjënë më elementare që institucioni duhet t’i sigurojë ata, për furnizimin me ujë të pijshëm, dhe jo të lejojë që uji i pijshëm të kthehet në burim fitimi për bizneset jashtë burgut në kurriz të të dënuarve kur një gjë e tillë duhet t’i sigurohet falas. Gjithashtu, të dënuarit e këtij institucioni shprehen pakënaqësi dhe u ankuan për një cilësi jo të kënaqshme të ushqimit të servirur nga kuzhina e burgut. “Në masën më të madhe ushqimi ditor, sidomos ai i drekës, u ankuan se ishte vetëm me gjellë me qepë dhe makarona dhe nuk pësonte ndryshime gjatë javës”- thuhet në raport.
Kartat e telefonit, 200 lekë më shtrenjtë
TIRANË- Një problem tepër i mprehte që është vënë re gjatë takimit të komisionerëve të Avokatit të Popullit me të dënuarit, ishin ankesat për çmimet tepër të larta të kartave të kabinave telefonike dhe ushqimeve që të dënuarit përballeshin çdo dite gjatë blerjeve të këtyre produkteve që shumë herë ishin edhe jo cilësore. “Nga faturat e blerjeve që grupi inspektues administroi, rezultoi se krahas produkteve ushqimore ishin shumë më të rritura se çmimet reale të tregut. P.Sh. kartat e telefonit të “Albtelekomit” me 100 impulse ju shiteshin të dënuarve në shumën 800 lek ndërkohë që vetë karta shënonte çmimin e shitjes me pakicë në shumën 600 lekë. Këto padrejtësi i kishin revoltuar së tepërmi të dënuarit dhe nga ana e tyre u kërkua që të shikohej mundësia e zgjidhjes së këtij problemi, pasi kartat telefonike ishin nga gjërat që ata blinin më shpesh”-thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Vetëm një banjë për 80 të dënuar
TIRANË- Një problem i madh, që komisionerët e Avokatit të Popullit e cilësuan në raport, ishte mungesa e tualeteve për të dënuarit, ku 80 të dënuar të këtij institucioni duhet të shfrytëzonin një banjë. “Nga një përllogaritje e përafërt e numrit të banjave të seksioneve të brendshme të burgut për numër të të burgosurve apo paraburgosurve rezultoi një raport 80 persona për një tualet, çka përbën një raport jo të pranueshëm të shfrytëzimit normal të tyre nga ana e të dënuarve. Në këto kushte Avokati i Popullit i sugjeron Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të gjejë mundësitë financiare për fillimin e punimeve në zbatimin e projektit të ndërtimit për çdo dhomë të një tualeti”-thuhet në raport.
----------------------------------------------------------------------REKOMANDIMET:
Mbajtjen në konsideratë dhe zgjidhjen e problemeve të konstatuara në burgun Peqin;
Krijimin e kushteve optimale për ajrim dhe jetesë në favor të të burgosurve dhe paraburgosurve;
Fillimin sa më parë të rikonstruksionit të ambienteve të burgut për përmirësimin e plotë të kushteve të të dënuarve, veçanërisht të rivendosjes së furnizimit normal dhe cilësor me ujë, evitimit të lagështirës, vendosjes se aparaturave elektrike “salva vita” për ndërprerje energjie në rast tentative vetëvrasjeje, vendosjes së skarave të dyerve për ajrim, vendosjes së kamerave në ambientet e ajrimit, krijimin e kushteve për tualet në çdo dhomë etj;
Plotësimin e organikës së shërbimit mjekësor të burgut me mjek të përgjithshëm dhe psikiatër, si dhe krijimin e mundësive për punësimin e mjekëve specialistë të tjerë, qoftë edhe me sistem të përkohshëm punë (part-time);
Hartimin e një plani për ofrimin e produkteve ushqimore dhe artikujve të tjerë brenda niveleve reale të tregut, duke evituar abuzimet në çmime;
Hartimi i një klauzole të veçantë në Rregulloren e Brendshme të Burgut Peqin për të saktësuar përfundimisht trajtimin e sendeve të ndaluara dhe kthimin e tyre pranë të afërmve të dënuar;
Rregullimi sa më parë me anë të një grafiku të takimeve të të afërmve të dënuarve, duke vënë në dispozicion edhe një numër telefoni nga administrata e burgut për këtë qëllim;
Evitimin e formave të kontrollit fizik të të afërmve të të dënuarve që mund të cenojnë dinjitetin e personit në mënyrë flagrante;
Transferimin e plotë të të dënuarve me sëmundje kronike dhe mendore pranë burgut të Krujës dhe Spitalit të Burgut në Tiranë;
Hartimin e një programi të diferencuar për të dënuarit me burgim të përjetshëm, të moshuar etj, si dhe mundësimi i kontakteve të familjeve me të dënuarit nga ana e sektorit të edukimit të burgut të Peqinit