Sartri reporter në Kubë
Opinionet e Zhan Pol Sartrit pas takimit në Kubë me Fidel Kastron. Qysh herët ai patidënuar anët e shëmtuara të kastrizmit
Le Monde – Kur Carlos Franqui, atëhere drejtor i gazetës “Revolucion”, ftoi Zhan Pol Sartrin të vinte në Kubë, në fillim të vitit 1960, filozofi hezitoi. I kishte mbetur një shije e hidhur nga një vizitë në ishull dhjetë vjet të shkuara. Kuba i ishte dukur atëhere si “një bukuroshe nate, dredharake, ndoshta e infektuar”. Nëse më në fund pranoi, kjo ndodhi për “ti ikur cinizmit ortodoks” të një France ku e torturonin prej pesë vjetësh, duke shpresuar që të rinjtë revolucionarë mjekëroshë t’i mbushnin mendjen se “ndoshta jeta do të ndryshonte”.
Nga ky udhëtim njëmujor, shkurt-mars 1960, në shoqërinë e Simonë dë Bovuarit, lindi një reportazh i gjatë, “Uragani mbi sheqer”, të cilin Sartri donte ta botonte tek “France-Soir”, në gjashtëmbëdhjetë shkrime, për ta bërë më të njohur revolucionin kuban. Ky tekst, i varrosur për një kohë të gjatë, do të botohej nga “Kohët moderne”, i shoqëruar me shënime të reja që çuan në lindjen e një libri për Kubën të cilin Sartri nuk e shkruajti kurrë. Ndoshta për shkak të kthjelltësisë së tij. “Sartri i ka dënuar qysh herët anët e shëmtuara të kastrizmit”, kujton Claude Lanzmann në prologun e tij.
Dëfrimi i dehur
Nuk kishin kaluar as katërmbëdhjetë muaj nga revolucioni kur Sartri zbret në Havanë. Ai i kushtohet zhvillimeve të mëdha për një radiografi të ishullit para vitit 1959 për të shpjeguar fitoren e barbudosve të rinj. “Një vend gjysmë i kolonizuar”, i cili, sapo është çliruar nga Spanja bie në pjatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai përshkruan ishullin që i është zënë fryma nga “perëndia i paepur i kallamsheqerit” të kudogjindshëm i cili pasuron një pakicë dhe është mjerimi i shumicës fshatare”; nga analfabetizmi dhe prostitucioni, nga “bollëku i flashkët dhe dëfrimi i dehur” i Havanës. Për të kuptuar triumfin e revolucionit dhe refuzimin e tij për të bërë kompromis me parlamentarizmin, duhet të lexosh faqet e tij mbi “gangrenën” e regjimeve që i kanë paraprirë. Vetëm një këputje rrënjësore do të mund ta përballonte mjerimin, korrupsionin e përhapur gjithandej dhe këtë “ngatërrim të paqëndrueshëm të cinizmit dhe turpit.”
Për dyzetë e tetë orëve, Sartri dhe Bovuari shoqërojnë Fidel Kastron gjatë udhëtimit në ishull. Nga “kodoshi i vogël” i rebeluar dhe miti që simbolizonte bashkimin dhe sovranitetin e fituar të popullit kuban, Sartri rrëfen me inteligjencë rininë dhe kompleksitetet e personazhit, i cili nuk do të mposhtej pa “fodullëkun e pamëshirshëm” dhe “guximin e tij të papajtueshëm”.
“Unë jam revolucionar nga prirja”, i rrëfen Kastro filozofit, i cili e krahason me mistikun e madh Zhan de la Krua (Juan de la Cruz – shenjt dhe mistik spanjoll). Sartri vë re popullaritetin e madh të Kastros, të cilit gjithkush dëshiron t’i shprehë ankesat e tij. “Fideli mendon duke folur ose më saktë ai rimendon gjithçka që do të thotë; ai e di dhe prapëseprapë improvizon”, vëzhgon ai. Çështja më e madhe e këtyre muajve të parë të revolucionit është reforma agrare.
Një gjysmë shekulli më vonë, agrikultura është një nga dështimet më therëse të regjimit. Tashmë kërcënimi vjen nga “puritanët e Veriut”, siç i quan Sartri Shtetet e Bashkuara. “Jankit kanë një farë ideje për demokracinë: prej saj varen – nëse jo në pratikë, të paktën në teori – ekonomia me politikën... Kastro dhe miqtë e tij kanë idenë e kundërt.”