E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nga Kulla e Fidelit, Rama s’mund ta kuptojë transformimin infrastrukturor të Shqipërisë”

30-10-2011 / Gazeta 55

Berisha inauguron rrugën Mbreshtan-Sinjë, në Berat, me vlerë 131 milion lekë

Kryeministri Berisha inauguroi dje në Berat, rrugën fshat Mbreshtan-Sinjë, me gjatësi 10.1 kilometra, gjerësi 4 metra dhe vlerë 131 milion lekë, prej së cilës do të përfitojnë 5500 banorë të zonës. Rruga e re lidh komunat Sinjë dhe Mbreshtan, duke bërë përfitues direkt fshatrat Mbreshtan, Galinë, Pastal, Sinjë, si dhe përfitues indirekt fshatrat Sadovicë, Kamcisht, Mbieshovë, Mbolan. Kjo rrugë, e cila iu shtohet investimeve të shumta në qarkun e Beratit, vjen si një premtim i realizuar edhe në ndihmë të fermerëve, për transportin sa më të shpejtë të produkteve bujqësore e blegtorale. 

Kreu i qeverisë Berisha, duke përshëndetur banorët, uroi për rrugën e re dhe u shpreh se ajo, së bashku me rrugë të tjera të përfunduara nxjerrin në pah mrekullitë turistike të zonës, të mbetura në harresë, për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme. 

“Duke ardhur këtu sodita me një kënaqësi të veçantë, jo vetëm Shpiragun, vëllain e vogël të Tomorit, por mbi të gjitha sodita dhe u kënaqa shumë nga puna mrekullueshme e fermerëve të kësaj zone. Në të gjithë rrugën shtriheshin plantacionet e qershive dhe të ullirit dhe kjo është një meritë madhe e juaja. Unë duhet tu lutem ju të mbillni sa më shumë dru frutorë. Ja ku është rruga, në qofte se më parë prodhimet mbeteshin në shtëpi dhe kishit vështirësi për ti transportuar, sot prodhimet tuaja shkojnë në Berat, në një kohë shumë herë më të shkurtër se më parë. Por, nga ana tjetër unë jam këtu, për tu premtuar ju, se çdo biznesmen i kësaj zone që dëshiron të ngrejë këtu, linja të përpunimit të prodhimeve tuaja, ne do ti japim kredi të butë për ngritjen e tyre”, u shpreh Berisha. Kryeministri solli për banorët e pranishëm, një detaj nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, i cili lidhet me premtimin e tij për ndërtimin e rrugës tjetër të Shpiragut, e cila mbarte një potencial të çmuar turistik. 

Sipas Berishës, socialistët ironizuan me këtë premtim, pasi e quanin Urën Vajgurore të pashpresë. 

“Gjatë fushatës elektorale kundërshtarët e mi përqeshën një premtim timin që bëra në Urën Vajgurore. Ju premtova rrugën që të nxjerr në anën tjetër të Shpiragut, në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali turistik dhe ata thanë – imagjinoni dhe urës Vajgurore i flet për turizëm. Po, i flas dhe do ti flas për turizëm dhe i ftoj zotërinjtë socialistë që të mos harrojnë se këtë komunë kryetari është i tyre, të vijnë ti bëjnë një vizitë kryetarit të tyre, banorëve, zgjedhësve dhe të shohin se çfarë interesi të madh ka unaza e Shpiragut. Të mësojnë se këtu në Sinjë nuk ka vetëm vota, por këtu ka një klimë të mrekullueshme, është një zonë turistike nga më të bukurat, të vijnë këtu dhe të shohin në të gjitha drejtimet sa pamje të mrekullueshme të rrokin sytë  nga Tomorri, në Mallakastër, Urën Vajgurore, e të gjitha anët. Kjo është mrekullia e Shpiragut dhe banorëve të fshatrave përreth tij. Jam këtu, për tu premtuar ju se rruga do të vazhdojë deri në Urën Vajgurore, në mënyrë që ata që duan të vijnë nga Tirana, si dhe turistët të mos kenë nevojë të kthehen dhe të shkojnë në Berat, por nga Ura Vajgurore të ecin drejt bukurive mahnitëse të Shpiragut, Mbreshtanit dhe prodhimeve të tyre të mrekullueshme”, tha kryeministri. Duke ftuar fermerët në mbjelljen e sa më shumë druve frutorë, kryeministri siguroi se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë, për ta lehtësuar edhe më tepër daljen në treg, si dhe premtoi dhënien e kredive të buta, nga ana e qeverisë për çdo biznesmen që do të investojë në linja të përpunimit të prodhimeve bujqësore.

“Muaj më parë inauguruam një rrugë, e cila kalonte nga Ballshi në Aranitas. Kryetari i komunës kërkonte vazhdimin e kësaj rruge për tu lidhur me komunat tuaja dhe këtë zonë. Edhe atë do ta bëjmë. Ne do të bëjmë gjithçka që ju, kudo që jetoni të ndiheni si në një lagje qyteti, të keni rrugën, energjinë, ujin, vaditjen, shkollën, të njëjta me të lagjeve të qytetit. Të tjerat, ju jeni të aftë dhe do ti bëni vetë me mundin, djersën, përkushtimin tuaj, siç keni bërë. E rëndësishme është që ne së bashku, kudo që jemi, të përpiqemi të mbrothësojmë, të begatojmë familjet tona. Potencialet janë të jashtëzakonshme. Unë isha tani në Lapardha dhe erdha këtu. Sa herë që të mendosh nuk mund të përfytyrosh një vend me pasuri përrallore sa Berati. Por këto pasuri nuk janë shndërruar në vlera për qytetarët e tij, sepse nuk ka pasur rrugë, nuk ka pasur ujësjellës, s’ka pasur kanalizime, nuk ka pasur energji. Pra, kanë qenë mangësi të mëdha, nga të cilat kanë qenë të dënuara shumica e shqiptarëve”, tha Berisha. 

Nga Mbreshtani, kreu i ekzekutivit ironizoi edhe SMS-në e Ramës drejtuar mediave të tij, se Kryeministri udhëtoi me 3 helikopterë në drejtim të Tropojës dhe anasjelltas. Sipas Berishës, imagjinata e Ramës, nga Kulla e Fidelit, e ka të vështirë të kuptojë transformimin infrastrukturor të Shqipërisë. 

“Dje unë isha në Paç, në Tropojë dhe në Golaj. Nga Kruma u ktheva në Tiranë, brenda 2 orëve e 5 minutave për të vijuar me axhendën. Por çfarë ndodhi, pasdite zotëria SMS, shpërndau SMS në të gjitha gazetat, se Berisha udhëtoi me tre helikopterë. Fillimisht nuk më erdhi më erdhi mirë, por pastaj mendova që ai ka të drejtë, pasi  imagjinata e tij nuk e kap dot se çfarë transformimi sjellin këto rrugë. Ai nuk e mendon dot dhe ata nuk e mendojnë dot se këto rrugë po ju japin shqiptarëve atë, që atyre ju ka munguar më shumë, kohën, të cilën ata detyroheshin ta shpenzonin në rrugët më të këqija të Evropës dhe ndër rrugët më të këqija në botë. Ne po ndërtojmë tani rrugët më të mira”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›