Nga Maqedonia me sytë nga fitorja e së Majtës
Armend Fazliu/Sekretar Rinor për Politikë të Jashtme BDI
-Zhvillimet politike në Shqipëri krijojnë ndjeshmëri për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve politiko-juridikë të Shqipërisë. Zhvillimet e periudhës post komuniste që kaluan shqiptarët, i afruan ata më shumë me njëri-tjetrin. Skemat ndërkombëtare të krijimit të shtetit të Kosovës prodhuan një shinë mbi të cilën ngrihet një platformë e moderuar nacional-europiane e bashkimit të kombit shqiptar brenda unionit europian. Kjo bëhet edhe më e qartë me nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, me të cilën marrëveshje nuk mbyllet një problem i thjeshtë midis dy shteteve, por një konflikt shqiptaro-serb, si dy kombet më të rëndësishme për stabilitetin ballkanik. Shqipëria nga ana e saj është në prag të zgjedhjeve, të cilat janë vendimtare, jo vetëm për rrugëtimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare, por edhe të thyerjes së status-quosë në konturet e zhvillimit politik rajonal të shtetit shqiptar. Diplomacia shqiptare duhet të dalë nga maketi i provincializmit dhe duhet të ndërtojë një strategji rajonale si vend anëtar i NATO-s. Për sa kohë e djathta në Shqipëri është prej tetë vitesh në pushtet, duhet thënë se nuk ka treguar një seriozitet për këtë tezë të lartpërmendur. Ajo është e lodhur tashmë, me një program jo të qartë për të ardhmen, konfuze midis planit ekonomik dhe integrues të vendit, ku në fakt ngel në një tutelë abstrakte dhe jo goditëse në psikologjinë e elektoratit. E majta, për dallim nga viti 2009 e lexoi lojën. Ajo nga humbja e zgjedhjeve, për dallim nga hera e kaluar, ka folur për varfërinë dhe polarizimin, për nevojën e shoqërisë që e ka jetike ndryshimin e ndarjes së pasurisë, për taksimin e ndershëm, për ngritjen e shtresës së mesme. Kjo përbën një postulat të fuqishëm, një garanci për fitimin e zgjedhjeve, sepse është e lidhur ngushtë me jetën e qytetarit dhe godet direkt në psikologjinë e votuesit. Është e vërtetë matematikore që fuqia ekonomike e ngre superstrukturën shoqërore dhe në këtë model, e majta është më afër zgjidhjes. Ndryshe nga viti 2009, e majta ka rikompozuar koalicionin, ka bërë një kthesë jetike në kthimin e LSI-së në familjen e saj, duke i shtuar frontit edhe 45 subjekte të tjera që garantojnë fitoren. Sot e majta, jo vetëm që në hambarin e saj ka edhe polin e tretë të LSI-së, por edhe 45 parti të tjera që do të vulosin fitoren. Një tjetër komponent në dobi të së majtës është edhe kthimi i konceptit, sipas të cilit kohezioni në një subjekt politik, ndërtohet me ide dhe jo ndëshkim. Kjo reflektohet edhe në listat për deputet ku personin më të dashur të shqiptarëve jashtë kufijve dhe një nga figurat kryesore të PS-së, ish-kryeministri Pandeli Majko, është vendosur i pari në qarkun e Tiranës si baraspeshë më e qëlluar për kryeministrin Berisha. Kjo histori nuk mbaron këtu; vazhdon me Ben Blushin në Elbasan dhe Bashkim Finon në Korçë, Edi Ramën në Vlorë,dhe Mimoza Hafizin në Shkodër,duke mos harruar të përmendim rikthimin e disa personaliteteve siç është Musa Ulqini,Shkëlqim Cani etj. Sigurisht që shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të jenë indiferent karshi zhvillimeve në Shqipëri; ata janë në një qetësi përpara një furtune. Të shohim se “mos vallë rruga e “ferrit” është e shtruar me gurët e mirësisë”,siç do thoshte Danteja.