Nga Notesi; Gjallimi nën flamurin e bardhë
Në mbyllje të shek. XX albanofobia tek fqinjët u shkallëzua. Në pyetje ishte humanizmi. Barbarogjenitë kërkonin gjak e dhoma gazi. Paranoja e kohëve moderne u ngrit në çështje që vlen të elaborohet: mos ishim ne hebrenj të Evropës? Nëse jemi, kush ka dorë në këtë? Pse derdhet kaq shumë urrejtje mbi kokën tonë nga lashtësia e këndej? Ku ekziston defekti në mes nesh dhe të tjerëve? Dhe, shumë pyetjeve të tjera mbetet t’u kërkohet filli.
Se çfarë përmasash kishin ndjekjet e krimet në kohën e Ilirisë, mund të konkludohej në bazë të tkurrjes së vazhdueshme të shtrirjes sonë. Evropa nuk njihej, as kishte famën e të sotmes, sundohej nga fiset që, në njëfarë mënyre, bënin edhe shtetin. Dherat ilire shtriheshin në tri dete.
Pastaj kishin ndodhur të papriturat, ashtu siç kishin ardhur perandorët ilirë, ashtu dhe kishin shkuar, duke rrënuar njëri-tjetrin. Në punët e tyre ishin përzier dikur romakët. Tkurrja e perandorisë kishte qenë e pashmangshme para hordhive romake. Kishin ndodhur ndërrimet e para të toponisë, emra të rinj kishin mbirë, ishin rrënuar tempuj e qytete, ishin djegur biblioteka e arkive. Pra, katastrofa ndodhte edhe në kujtesën tonë. Kishin shkelur kohët e Bizantit, i cili prapë kishte vënë në thikë atë ç’kishte shpëtuar dhe ruhej me xhelozi, ndoshta, nëpër shpella e kështjella të pazbuluara. Konvertime të pabesueshme kishin ndodhur. Paganizmi ilir merrte forma nga më të çuditshmet. Nuk copëzohej më vetëm vendi, por edhe populli. Forma drastike kishin ndodhur me zbritjen e sllavëve në Gadishullin Ilirik, tragjedinë e vendasve, duke shënuar si triumf të tyre. Dhe, ato u përcollën brez pas brezi dhe u “pasuruan” me ide e përmbajtje të reja, të cilat ndikuan vazhdimisht në tkurrjen e arbërve. Dhe, pesë shekuj nuk u shkoqëm nga Orienti, Hëna...
Sipas shënimeve gjysmë të zbuluara, gjysmë të grisura e gjysmë të djegura dëshmohet se pas vdekjes së Kastriotit kishte vazhduar tragjedia jonë, megjithëse nuk njihen përmasat. Klasa fisnike kishte kaluar në anën tjetër të bregut; pra ata që deti nuk u binte as deri te zogu i këmbës. Ndërsa grykës së Otrantos në kohën e sotme ia mësyjnë njerëzit e lodhur, të frikësuar nga përditshmëria dhe të përdorshëm, do të thosha.
Mirëpo, është tragjike kjo. Ndodh në kohën kur njeriu predikon për dashurinë, mirëkuptimin, paqen; kur Evropa nuk është më ajo e oborreve mesjetare, që rrinte me gërshërë në dorë. Dhe, kjo pse-ja jonë nuk prajti as kur klasa fisnike kaloi Ujin e Madh, as kur në grykën e Otrantos u fundos një liburnë e flotës sonë, ku nuk dihet sa fëmijë, gra e burra prekën fundin e detit. Po ashtu, është fyese, deprimuese kur nën flamurin e bardhë të godasin ose ta ndërrojnë identitetin kombëtar për një kafshatë buke, siç ndodh me shqiptarët në Greqinë e sotme “demokratike”, e cila në mënyrë perfide derdhet në Jugun shqiptar para syve të Evropës, ndoshta dhe me bekimin e saj.
Në asgjësimin e vetvetes, do të thosha, kemi dorë edhe ne: 1) U mundësuam të tjerëve të luajnë me ne si të duan dhe kur të duan; 2) Shumë shpejt pranuam konvertimin; 3) Nuk e kuptuam asnjëherë rëndësinë të kesh Atdhe, do të thotë të kesh emër e dinjitet; 4) Lejuam të merren të tjerët me fatin tonë; 5) Nuk treguam respekt kurrnjëherë ndaj vetvetes dhe shtetit tonë; 6) Punuam më tepër për të huajin se për vete dhe nuk ditëm t’i zgjedhim miqtë, as të bëjmë aleanca… Ka edhe defekte të tjera në organizimin tonë si komb e shtet.
Mbetet për breza të ardhshëm të përcjellin ndeshjen mes nesh dhe të tjerëve; a do të mund të shpëtojmë nga kjo urrejtje e paparë ndaj nesh, ndaj këtij asgjësimi biblik apo fëmijët tanë do të na pshurrin te varret, jo si shqiptarë?
Ne jemi hebrenjtë e Evropës. Para ndërgjegjes së saj të akullt ndodh fatkeqësia jonë, gjallojmë pra nën flamurin e bardhë…