Përballja e avokatëve, i penduari rrëfen sërish masakrën e Cërrikut
Nën masa të rrepta sigurie, i penduari i masakrës së Cërrikut, Bujar Buzani, është shoqëruar nga forcat speciale për në sallën e gjyqit, për t’u përballur me avokatët dhe bashkë të pandehurit e tjerë. Pas legjitimimit të palëve, trupi gjykues u dha mundësinë avokatëve të pranishëm në sallë t’i drejtonin pyetjet që kishin përgatitur të pandehurit Buzani, i cili prej disa muajsh ka përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke hedhur dritë mbi masakrën që ndodhi në qytetin e vogël të Cërrikut, ku për pasojë humbën jetën 6 gardistë dhe u plagosën disa të tjerë. Në këtë moment, pjesa tjetër e të pandehurve u larguan në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit, duke mos preferuar të pyesin dhe të dëgjojnë çfarë do thoshte i penduari Buzani. Më pas, seanca vijoi për gati 4 orë, ku i penduari u pyet vetëm nga 2 avokatë, ndërsa pjesa tjetër do vijojë me pyetjen e tij në seancën e radhës. “U qëndroj deklarimeve që kam bërë. Personat që na mashtruan se gardistët do abuzonin me gratë, motrat dhe vajzat tona ishin Met Bozi, Llazar Bicja e Roland Xhepexhiu”, - deklaroi Buzani, duke rikonfirmuar edhe njëherë ato që ka deklaruar disa seanca më parë. Nuk ka nguruar t’i përsërisë ato që kishte deklaruar edhe për avokatin e Xhepexhiut, Sajmir Vishën, të cilit i deklaroi sërish se klienti i tij ishte një nga personat që i kishte thënë se “po vinin gardistët dhe do abuzonin me gratë e motrat tona. O sot, o kurrë na tha Xhepexhiu, Bozi e Bicja”. Më tej, gjatë procesit të pyetje-përgjigjeve, avokati Vishaj deklaroi se i penduari vetë ka deklaruar se ishte budalla një seancë më parë. Këtij deklarimi, i penduari i është përgjigjur se “është e vërtetë që kam qenë budalla. Sepse në një kohë që ti rrije me gruan dhe fëmijët, unë merresha me budallallëqe, duke lënë pas dore fëmijët. Merresha me këto për të cilat po akuzohem”. I penduari u shpreh se ishin mashtruar nga Met Bozi, Roland Xhepexhiu e Llazar Bicja, duke u organizuar në luftë të vërtetë kundër forcave të policisë dhe gardës, nga frika se do u bastisin shtëpitë, përdhunojnë gratë dhe motrat dhe vrasin ata vetë. Të gjitha këto motive, sipas të penduarit Buzani, kanë dalë nga goja e Roland Xhepexhiut e Met Bozit, ky i fundit në rolin e kryetarit të Komitetit të Shpëtimit Qytetar. Madje, nga i pandehuri Bozi, sipas Buzanit, personave që do luftonin kundër policisë e gardës do t’i siguroheshin dokumente për t’u larguar drejt Amerikës. “E pranuam ofertën, pasi në Cërrik ishim në hasmëri dhe donim të largoheshim së bashku me familjen jashtë kufijve shqiptarë”, - u shpreh në sallën e gjyqit i penduari, ende pa një status konkret nga organi i akuzës, Bujar Buzani. I penduari u shpreh para gjykatës se thoshte të vërtetën dhe këtë të vërtetë e ka thënë vetëm para tyre dhe para Zotit.
Dëshmia e plotë e Bujar Buzanit para prokurorëve
Aktualisht po vuaj dënimin me 12 vjet burg për “pjesëmarrje në bandat e armatosura”.
Pyetje: Çfarë dini për vrasjen e disa gardistëve në qytetin e Cërrikut të ndodhur më datë 23.05.1997?
Përgjigje: Dua të sqaroj se unë nuk e mbaj mend si datë, por atë ditë që është bërë lufta në Cërrik dhe janë vrarë gjashtë gardistët unë së bashku me vëllezërit e mi Sokolin, Tomorrin, Bashkimin, si dhe djemtë e tezës sime, Arjan Toska, Luftar Toska dhe Alban Toska, kemi qenë duke ndenjur në lagjen tonë tek kryqëzimi i Belshit, pra në lagjen nr. 3 të Cërrikut, duke ndenjur pasi ne aty rrinim edhe natën, sepse bënim shërbim në postbllok, pasi kishim frikë se mos vinte “Mandela”, i cili ishte në hasmëri me Arjar Toskën dhe na vriste. Atë ditë ka qenë mëngjes, ora nuk më kujtohet dhe tek lagjja jonë kanë ardhur me një makinë Meti Bozi, Llazi Bici dhe Landi Xhepexhiu dhe na takuan dhe në bisedë e sipër Meti Bozi na thotë: “Po vijnë forcat speciale nga Tirana dhe do të bëjnë kontrolle, do na vjedhin dhe do të na përdhunojnë, prandaj të ngrihemi dhe të mbrojmë shtëpitë tona”. Meti me këto fjale iu drejtua Arjanit, pasi ai ishte si më kapoja tek ne. Arjani na thotë: “Hajdeni e shkojmë në Cërrik” dhe ne kështu vepruam. U nisëm të gjithë dhe së bashku me ne kanë qenë dhe dy “arixhinj”, të cilët quhen Ardjan Kalia dhe Florenc Kalla. Kur shkuam në Cërrik ne të gjithë donim të hipnim në tarracën e një pallati, i cili ishte në hyrje të Cërrikut, por Meti Bozi dhe Lazi Bici na thanë që nuk do të hipni këtu, por do të shkojmë në qendër të qytetit. Kur shkuam në qendër Meti dhe Llazi na thanë: “Që ju do të hipni në katin e dytë të kinemasë së qytetit, se tek tarracat e pallateve do të hipi grupi i Landit”. Dhe ne kështu vepruam të gjithë, në lagjen nr. 3 hipëm tek kinemaja dhe kur kemi hipur në katin e dytë të kinemasë, unë kam parë se aty kishte shumë arka, të cilat dukeshin që ishin me armë, pasi ishin nga ato të ushtrisë. Pasi hipëm tek kati i dytë i kinemasë, mbaj mend që Luftar Toska u pozicionua tek dritarja nga ana e majtë e kinemasë. Tek dritarja e mesit ishte Arjan Toska dhe në dritaren e anës së djathtë u pozicionua Alban Toska, ndërsa unë së bashku me vëllezërit kemi qenë tek një si derë. Dua të them se nga të gjithë pozicionet që ne zumë, e kontrollonim mirë sheshin në qendrën e qytetit. Dhjetë minuta pasi jemi pozicionuar në kinemanë e qytetit, unë pashë që po vinte një makinë e blinduar, e cila po kalonte para nesh dhe po shkonte në drejtim të shkollës andej nga është dhe fusha e sportit dhe në këtë kohë blindin filluan ta qëllonin me armë nga tarracat e pallateve. Pasi blindi shkoi deri në afërsi të shkollës, u kthye përsëri në drejtimin tonë dhe në këtë moment Arjan Toska, i cili ishte i vetmi nga ne që kishte kundërtank e qëlloi blindin një herë, por nuk arriti që t’i bënte gjë. Kur goditi për herë të dytë, predha e antitankut ka goditur pjesën e serbatorit ku rri nafta dhe në këto moment blindi ndaloi dhe më pas filloi që të dilte tym, pra blindi filloi të digjej dhe që blindin e ka goditur Arjani, unë në këtë moment jam shumë i sigurt dhe unë fut duart në zjarr për këtë që po them, pasi nga ne vetëm Arjani kishte kundërtank. Gjithashtu, më kujtohet se kur Arjani gjuajti me kundërtank në drejtim të blindit, gazrat që ai lëshoi nga mbrapa kanë bërë që të shembej suvaja e tavanit të kinemasë dhe i ka rënë në kokë vëllait tim, Tomorrit, i cili u vra pak nga këto copa llaçi. Më pas, unë mbaj mend që kemi dalë nga kinemaja dhe kemi qenë shumë të frikësuar dhe kemi shkuar për nga pjesa e pasme e kinemasë dhe disa metra pas saj kemi gjetur një furgon të gardistëve, i cili ishte braktisur. Pasi e kemi kontrolluar, unë kam marrë një radiomarrëse nga ato të policisë dhe një automatik të vogël “Tomson”. Nga këtu, jemi kthyer përsëri në qendër të qytetit, aty ku ishte blindi i djegur dhe unë kam dëgjuar Arjan Toskën, i cili thoshte: “E dogja tankun”. Dua të them se në këtë moment kishte mbaruar lufta dhe aty në sheshin e qytetit ku ishte tanku i djegur, ishin mbledhur shumë njerëz, ndër të cilët unë mbaj mend Arjan Toskën, Sokol Buzanin, Tomorr Buzanin, Alban Toskën, Ardian Ademin, Nol Brakën, Landi Xhepexhiun, Meti Bozin, Llazi Bicin dhe shumë të tjerë që nuk më kujtohen tani. Gjithashtu, më kujtohet mirë që një person i cili është i dorës tonë (jevg) dhe që quhet Landi, mbiemri i tij nuk më kujtohet, i cili edhe ai si të gjithë ne i armatosur, ka ardhur dhe ka nxjerrë dy kufomat e djegura nga tanku dhe i ka lënë të shtrirë në shesh. Dua të them gjithashtu se Nol Braka, kur më ka parë “Tomson”-in që unë e mora te furgoni i policisë, më ka thënë që ma jep mua “Tomson”-in sa të bëj një xhiro dhe do ta jap përsëri. Unë në fakt nuk doja t’ia jepja, por më pas ia dhashë. Pasi mbaroi lufta, ne kemi bërë shërbime nëpër tarracat e pallateve në Cërrik me urdhër të Arjan Toskës, i cili takohej me Met Bozin dhe Llazi Bicin dhe mesa duket ata i thoshin se duhet të bëjmë përsëri shërbim, se mund të na vijnë përsëri gardistët dhe të na kapin. Këto ishin fjalët e Metit, pasi ai fliste në telefon me Tiranën”.
Buzani: Si u mashtruam për të sulmuar gardistët
Edhe njëherë, pas pyetjeve të avokatëve, i penduari ka rrëfyer sesi u njoh me Met Bozin, Llazar Bicin e Roland Xhepexhiun. “Arjan Toska ishte kushëriri im i parë, djali i tezes, i cili për shkak të një hasmërie që kishte me “Mandelën” e Elbasanit, erdhi në shtëpinë tonë për t’u strehuar nga frika se mos e vrisnin. Me ardhjen e Arjanit në shtëpinë tonë, ngritëm edhe një postbllok, për të kontrolluar dhe bërë ballë ardhjes së njerëzve të “Mandelës”. Në familjen tonë pas disa ditësh erdhi Meti Bozi me Roland Xhepexhiun. Biseduan me Arjanin dhe u kthyen prapë pas dy apo tre ditësh. Kishin sjellë një dhuratë me vete, një antitank. Madje, kanë qenë Xhepexhiu dhe Bozi që kanë bërë edhe qitjen e parë me antitank. Më pas erdhën prapë në shtëpinë tonë. Kësaj here na thanë se ka ardhur policia në Cërrik dhe na kanë bërë kontroll nëpër shtëpitë e tyre, duke i bastisur dhe kanë tentuar t’u përdhunojnë gratë.
Çfarë tha tjetër Bozi e Xhepexhiu?
Meti Bozi na tha se duhet të mbrohemi.
Nga se duhet të mbroheshit?
Xhepexhiu e Bozi na thanë se ata do kthehen prapë dhe atë që bënë në shtëpitë e tyre kësaj radhe do e bëjnë me shtëpitë tona, me gratë e motrat tona, madje edhe se do na vrisnin.
Si vepruat ju më pas dhe çfarë ndodhi ditën e 22 majit 1997?
Ditën e 22 majit 1997 na lajmëruan se ishte duke ardhur policia drejt Cërrikut. Të frikësuar nga ajo që na thanë, u shpërndamë nëpër pozicione. Arjan Toska mori antitankun që i bëri dhuratë Meti Bozi e Roland Xhepexhiu. Arjani qëlloi mbi blindin e policisë me antitank 12.7. Herën e parë nuk e kapi. Kishte marrë pozicion nga lart kinemasë dhe kishte mundësi të qëllonte mbi blindin e policisë. Më pas qëlloi dhe kësaj radhe e kapi blindin. Qëlloi edhe për herë të tretë dhe sërish e kapi. Kur i jam afruar blindit, me sytë e mi kam parë dy policë të vrarë. Madje, kur po kalonte blindi në mes të qytetit dhe kishin filluar të shtënat, një grua doli me një shkop dhe shami të bardhë, duke kërkuar që të ndërpritet lufta që po bëhej.
Po tjetër kë patë duke qëlluar?
Roland Xhepexhiun e pashë të pozicionuar lart një pallati dhe nga aty qëllonte mbi policinë dhe gardistët. I kam parë të tërë duke qëlluar, përveç Enkel Gashit dhe Alban Toskës.
Po vetë e keni pasur armë?
Vetë nuk kam pasur armë, pasi nuk më linin vëllezërit që të mbaja.
Ku i siguruat municionet?
Roland Xhepexhiu i siguroi arkat me municion. Ata e kishin organizuar sulmin dhe kishin siguruar edhe armë e municion. Më duket se i kanë gjetur në Gramsh, ndërkohë që neve na u tha se i kishte pasur në shtëpi.
I keni parë të gjithë personat që janë vrarë atë ditë?
Jo, vetëm dy gardistët, ndërsa për të tjerët e mora vesh më vonë.
E keni parë ju Arjan Toskën duke qëlluar me antitank?
Po, e kam parë. Jo vetëm kaq, por Arjani e thoshte me mburrje se kishte qëlluar me antitank ndaj policisë dhe gardistëve. Madje, edhe në burg kur ka qenë shprehej me mburrje se kishte qëlluar me antitank blindin e policisë.
Kush ju organizoi dhe me çfarë motivi për të qëlluar kundër policisë?
Meti Bozi e Roland Xhepexhiu. Na thanë se gardistët dhe policia po vinin të na vrisnin, bastisin shtëpinë dhe përdhunonin gratë e motrat tona. Madje, Meti Bozi, siç më ka treguar Sokoli, vëllai im, para se të vdiste, kishte premtuar se nëse do ta mbështesnim, do na siguronte dokumente për në SHBA, të cilat na duheshin për t’u larguar nga Shqipëria për shkak të hasmërive që kishim.
Të pandehurit
1. Llazar Bicja
2. Meti Bozi
3. Arjan Toska
4. Roland Sota (Xhepexhiu)
5. Alban Toska
6. Skënder Cani
7. Tomorr Buzani
8. Bujar Buzani
9. Entel Gashi