E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mladen Cervenjakov, Alibeajt; Jeni në rrugën e duhur për integrimin në BE



Ministri i Drejtësisë priti dje në një takim kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë, Mladen Cervenjakov. Në fillim të takimit, ministri bëri një panoramë të arritjeve të deritanishme në reformës në drejtësi, duke e konsideruar atë si një reformë jetike në stadin e zhvillimit të vendit. Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë e vlerësoi Ministrinë e Drejtësisë për sa u takon hapave që ajo ka marrë në reformën në gjyqësor, por e paralajmëroi ministrin edhe me vështirësitë që do hasen në realizimin e kësaj reformë. “Ju, po ecni në rrugën e duhur për sa i përket integrimit në BE, dhe ne ju mbështesim plotësisht në këtë aspekt, por është shumë e rëndësishme që të reformomi sistemin gjyqësor, i cili është një sistem konservativ që nuk i pëlqen ndryshimi”, - u shpreh ai nisur nga përvoja e tij personale. Dikur ish-ministër i Drejtësisë dhe në krye të reformës në drejtësi, z. Mladen Cervenjakov duket se kishte hasur në të njëjtat vështirësi, me të cilat Ministria e Drejtësisë është përplasur gjatë kryerjes së reformës në drejtësi. “Reagimi që vjen nga gjyqësori është si një reagim që vjen nga varrezat, pasi sistemi e ruan me xhelozi status quo-n e tij, atë që ka ndërtuar deri më tani dhe nuk pranon ndryshime, por ju duhet të jeni faktor i ndryshimeve si në mentalitetin e gjyqësor, ashtu edhe në ndryshimet që duhen bërë në legjislacionin vendas dhe përafrimit të tij me BE-në”, - i tha z. Cervenjakov ministrit Alibeaj. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ministri i Drejtësisë në fjalën e tij: “Sistemit gjyqësor i mungon përgjegjshmëria para ligjit. Liria që ju dha sistemit, pas një kohe të gjatë mungese, bëri që pavarësia të kthehej në thelb të abuzivizmit me pushtetin, duke krijuar kështu një shtrat për lulëzimin e praktikave korruptive. Gjatë vitit të shkuar miratuam një ligj të rëndësishëm si ai për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor, por zbatimi i tij ka ndeshur në rezistencë. Duke u ndeshur me një lloj refrektarizmi nga ana e trupës gjyqësore për nismat e ndërmarra, kam kuptuar se sistemit i mungon reagimi i brendshëm për të ndryshuar”, - tha ministri. Po, pavarësisht se e konsideroi reformën të vështirë, ministri deklaroi se ajo është jetike për interesat e vendit, pjesë e proceseve integruese në strukturat euroatlantike dhe si e tillë do të vazhdojë. “Fryma e re e saj është injektuar si në ambientin politik, edhe në atë juridik. Vitin e shkuar, nismat ligjore ishin fokusuar në statusin e zyrtarit, si gjyqtarit, prokurorit, avokatit, ndërkohë që iniciativat e reja ligjore do të përqendrohen te statuti i shërbimit të strukturave të këtij sistemi, duke e bërë atë më të prekshëm për publikun”, – tha ministri në fjalën e tij përmbyllëse.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›