E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Pele’ te Platini, Maradona në kundërsulm

Maradona ka për të gjithë. Për Pelen, për Platininë, me pak fjalë, për të gjithë ata që janë kundër Argjentinës së tij. Në konferencën e shtypit para sfidës me Korenë e Jugut, numrit një të Bardhekaltërve nuk i shpëton rasti për t’iu kundërpërgjigjur kritikave. T’i marrim me radhë.

Në fillim objektivi i tij i preferuar: Pele’. “Pelen kthejeni në muze”. Me këtë fjali ish-“Djaloshi i artë” i është përgjigjur deklaratës së “mbretit”, i cili disa ditë më parë e pati akuzuar se Maradona e pranoi stolin e kombëtares së Argjentinës “për para’”.

Pasi mbaruam punë me Pelen, kalojmë te Platinia. “Nuk habitem, pasi unë dhe Platinija kemi qenë gjithnjë larg njëri-tjetrit”, tha Maradona, duke iu kundërpërgjigjur ironisë së francezit lidhur me aftësitë e Diegos si trajner. “Maradona ishte një trajner i madh”, pati deklaruar presidenti aktual i UEFA-s. “E dimë si janë francezët. Mendojnë se janë më të mirë se të gjithë të tjerët. Asnjëherë nuk ia kam vënë veshin fjalëve të tij”, shtoi 50-vjeçari.

Kritika edhe për topin “Jabulani”: “Lojtarët kanë pasur shumë pakënaqësi, pasi ndikon në lojën e tyre”. Po çfarë i ka pëlqyer Maradonës nga botërori deri tani? Cili prej lojtarëve i ka tërhequr vëmendjen? “Elano, Podolski, Maikon. Por askush nuk më ka impresionuar në mënyrë të veçantë. Askush nuk ka bërë as 40 për qind të asaj që bëri Leo Mesi kundër Nigerisë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›