E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat e rihyrjes në Itali për studentët e larguar

20/03/2009  Kriteret për kategoritë që kanë lënë territorin e këtij vendi gjatë vonesave të lëshimit të lejes së parë të qëndrimit

Hyrja në shtetin italian e studentëve që janë larguar gjatë kohës që prisnin marrjen e lejes së qëndrimit mund të quhet e vlefshme vetëm pas dorëzimit të kërkesës pranë organeve konsullore. Ambasada italiane ka publikuar gjatë ditës së djeshme procedurat që duhen ndjekur për rihyrjen në Itali të studentëve të huaj që kanë lënë territorin gjatë vonesave të lëshimit të parë të lejes së qëndrimit. Vlefshmëria e kësaj procedure njihet vetëm pasi aplikanti të ketë dorëzuar pranë organeve kompetente faturën që vërteton paraqitjen e kërkesës së bërë për motive studimi pas hyrjes së parë në këtë shtet. “Studentët shqiptarë që kanë faturën (riçevutën) që vërteton paraqitjen e kërkesës për lëshimin e lejes së parë të qëndrimit për motive studimi dhe që janë kthyer në Shqipëri, edhe pse nuk gëzojnë nga lehtësirat e urdhëresave dhe komunikatave të Ministrisë së Brendshme të publikuara përmes deklaratave për shtyp nga kjo ambasadë mund të paraqesin kërkesë për vizë rihyrëse”, - pohohet nga burimet zyrtare të ambasadës. Njëkohësisht janë përcaktuar edhe institucionet ku duhet bërë dorëzimi i riaplikimit. Konkretisht dorëzimi i kësaj kërkese duhet të bëhet pranë kancelarisë konsullore të ambasadës italiane në Tiranë, pranë konsullatës në Shkodër ose konsullatës së përgjithshme në Vlorë, sipas vendbanimit që studenti ka në vendin e tij të origjinës. Pas mbylljes së procedurave të nevojshme, viza mund të lëshohet nga zyra e vizave vetëm pasi është lëshuar leja përkatëse “nulla osta” nga ana e kuesturës kompetente. Përkundrejt rregullave të përcaktuara nuk është vendosur ndonjë afat limit që studentët të kryejnë këtë procedurë, mjafton që të bëhet kërkesa. Sipas legjislacionit italian, citohet se leja e qëndrimit për motive studimi apo formimi profesional mund të shndërrohet në leje qëndrimi si i vetëpunësuar në suazën e dekretit të programimeve të flukseve të hyrjes për shtetasit e huaj. Në këtë rast certifikata që dëshmon plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga normativa për punën si i vetëpunësuar lëshohet nga Sporteli Unik mbi Imigrimin përmes verifikimit të disponibilitetit të një kuote dhe plotësimit të moduleve 1 dhe 2. Kërkesa për leje qëndrimi do të bëhet pranë zyrës përkatëse, por kjo vetëm për ato kategori që ndodhen në këtë shtet dhe lejet e tyre të para janë drejt skadimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›