E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, 1 milion euro për përmirësimin e Ligjit për Çështjet Tregtare



Prezantohen rezultatet e Projektit të Binjakëzimit “Përmirësimi i Sistemit Gjyqësor për Çështjet Tregtare”, financuar me 1 milion euro nga Bashkimi Evropian. Projekti i financuar nga BE-ja ndihmon në sjelljen e së drejtës tregtare shqiptare në harmoni me standardet evropiane, duke përmirësuar në këtë mënyrë klimën e biznesit. Në takimin e djeshëm ishin të pranishëm ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, shefi i misionit EURALIUS, dhe palë të interesuara për çështjet tregtare. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, ambasadori Lohan u shpreh: “Në një situatë të vështirë politike, unë i jam i bindur që Ligji për Çështjet Tregtare është një fushë ku të gjitha partitë duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe mirëkuptim sepse kjo është e rëndësishme për bizneset, faktorët ekonomikë dhe mirëqenien e qytetarëve të këtij vendi”. Lidhur me këto rekomandime të ambasadorit Lohan, ministri i Drejtësisë u shpreh: “Ne mirëpresim të gjitha rekomandimet e projektit për sistemin gjyqësor për çështjet tregtare në Shqipëri dhe do të bëjmë përpjekjet tona maksimale për të implementuar gjithçka brenda kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur”. Po sipas ministrit Alibeaj, në të njëjtën linjë me ambasadorin Lohan, ndryshimet në legjislacionin shqiptar të propozuara nga ekspertët e projektit janë propozuar me qëllimin përmirësimin e legjislacionin tregtar shqiptar. “Do të dëshiroja të theksoja se në këtë pikë këto rezultate duhet të mbështeten nga të gjitha forcat politike, pavarësisht situatës së brendshme. Në një shkallë të lartë ato janë të nevojshme për të harmonizuar ligjin tregtar shqiptar me rregullat e Bashkimit Evropian. Shqipëria është e detyruar të bëjë këtë sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit”, - u shpreh ministri Alibeaj. Lidhur me projektin për të cilin u diskutua dje, burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur se këto rezultate përfshijnë një plan veprimi të reformës legjislative për përmirësimin dhe harmonizimin e kuadrit ligjor dhe institucional aktual të së drejtës tregtare, rekomandime për modernizimin e Kodit Civil shqiptar në fushën e kontratave tregtare dhe rekomandime për ndryshime në Kodin e Procedurës Civile në mënyrë që të reduktohet kohëzgjatja e proceseve gjyqësore. Përafrimi i legjislacionit në çdo fushë është një proces kompleks dhe plan-veprimi i reformës, i hartuar gjatë 18 muajve të fundit nga ekspertët e mundësuar nga projekti, përmban udhëzime dhe hapa të qarta për t’u ndjekur nga Ministria e Drejtësisë në mënyrë që e drejta tregtare shqiptare të sillet në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Rekomandimet

Rekomandimet e nxjerra për modernizimin e Kodit Civil paraqesin një numër përmirësimesh. Së pari, ato i shërbejnë mbrojtjes së agjentëve tregtarë kundër shkarkimeve arbitrare, duke dobësuar kështu varësinë e tyre nga porositësit e tyre. Së dyti, ato paraqesin sanksione të reja dhe më të ashpra për pagesat në vonesë në transaksionet tregtare. Për më tepër, ato forcojnë pozitën e konsumatorëve duke reduktuar ndryshimet ndërmjet Kodit Civil dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve 2008. Për sa i përket modernizimit të Kodit Civil shqiptar, ekspertët propozojnë një numër masash për shkurtimin e kohëzgjatjes së proceseve civile. Për shembull, tashmë janë fuqizuar disa dispozita të cilat mundësojnë gjykimin e më shumë çështjeve nga një gjyqtar i vetëm, në vend të një trupi gjykues prej tre gjyqtarësh. Masat e propozuara përfshijnë procedura të thjeshtëzuara për paditë e pakundërshtuara, si në rastet kur i padituri nuk paraqitet pa shkaqe të arsyeshme. Propozime të tjera kufizojnë mundësinë e paraqitjes së provave të reja gjatë procesit në apel. Përveç reformës legjislative, ekspertët u kanë dhënë rëndësi gjithashtu edhe nevojave për informacion të komunitetit ligjor shqiptar për ligjet e reja. Në mënyrë që të plotësohen këto nevoja, ata kanë zhvilluar kurse trajnimi për të drejtën për shoqëritë tregtare dhe çështje të lidhura me të për gjyqtarë dhe profesionistë në fushën e së drejtës në Shqipëri dhe kanë përgatitur manualin e parë për Ligjin e ri për Shoqëritë Tregtare si një udhëzues për komunitetin ligjor shqiptar. Projekti i Binjakëzimit prej 1 milion eurosh, “Përmirësimi i Sistemit Gjyqësor për Çështjet Tregtare” filloi më tetor të vitit 2007 dhe do të përfundojë në mars të vitit 2009. Ai po zbatohet bashkërisht nga Ministria e Drejtësisë së Austrisë dhe Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë.

Ndryshimet në Kodin Civil

Kodi Civil shqiptar ka qenë shtylla kryesore e së drejtës private shqiptare që nga viti 1994. Në këto vite ai ka mbetur pothuajse i pandryshuar dhe ai mbetet një ligj i mirë. Gjithsesi, sipas ministrit Alibeaj, realiteti shqiptar ekonomik ka ndryshuar në mënyrë domethënëse që atëherë. “Ajo çka në vitin 1994 përbënte një rregullim ligjor të përshtatshëm, nuk duhet domosdoshmërisht të jetë e tillë edhe në vitin 2009. Ne duhet t’i marrin parasysh këto ndryshime dhe të përshtasim kuadrin tonë ligjor në përputhje me to”, - u shpreh ministri. “Përveç kësaj, Kodi ynë Civil nuk është plotësisht në përputhje me legjislacionin evropian dhe nuk po flas vetëm për projektin në vazhdim në lidhje me Kodin Civil evropian, i cili mund të mos përfundojë në një të ardhme të afërt. Unë u referohem direktivave të cilat janë aktualisht në fuqi, të cilat kërkojnë ndryshime në të drejtën civile shqiptare. Për fushën e kontratave tregtare, ndryshimet e nevojshme janë hartuar tashmë dhe janë gati për t’u implementuar”, - deklaroi z. Alibeaj. Megjithatë, sipas ministrit, zgjedhjet po afrohen dhe aktiviteti ligjvënës po ngadalësohet. Gjithsesi, propozimet për ndryshmet në Kodin Civil janë në tavolinë dhe, sipas tij, do të jetë e nevojshme që ato të zbatohen pas zgjedhjeve. “Përndryshe, e gjitha puna e mirë e bërë nga ekspertët shqiptarë dhe ata të huaj gjatë projektit do të humbasë”, - vijoi fjalën e tij kreu i institucionit të lartë të drejtësisë.

Ndryshimet në Procedurën Civile

Ekspertët në projekt kanë paraqitur gjithashtu edhe rekomandime për Procedurën Civile. Disa prej këtyre rekomandimeve janë zbatuar tashmë me miratimin e Ligjit tonë të ri për Liberalizimin e Shërbimit Përmbarimor. Ministri Alibeaj ka marrë si shembull reduktimin e numrit të çështjeve, të cilat duhet të gjykohen nga një trup gjykues prej tre gjyqtarëve. Së pari, mosmarrëveshja duhet të ketë një vlerë më të madhe se 20 milionë lekë dhe, së dyti, të paktën njëra nga palët duhet ta kërkojë gjykimin nga një trup gjykues në fillim të procesit, përndryshe çështja do të gjykohet nga një gjyqtar i vetëm. “Kjo është një zgjidhje fleksibël. Nga njëra anë, ajo do të ndihmojë në kursimin e burimeve njerëzore të gjyqtarëve, të cilët mund të vihen më mirë në efiçencë. Nga ana tjetër, në çështjet e rëndësishme çdo palë mund të kërkojë një gjykim nga një trup gjykues nëse ai mendon se interesi i tij do të gjykohet më mirë në këtë mënyrë. Mua kjo më duket një balancë e përshtatshme. Unë mendoj se pjesa më e madhe e gjyqtarëve e ndajnë këtë mendim me mua”, - përfundoi ministri Alibeaj.

Trajnimet

Ministria e Drejtësisë së bashku me Shkollën e Magjistraturës ka ofruar trajnim për të drejtën për shoqëritë tregtare, jo vetëm për gjyqtarët, por komunitetin ligjor në tërësi. Një total prej 240 profesionistësh në fushën e së drejtës morën pjesë në trajnimet për Ligjin e ri për Shoqëritë Tregtare. 100 prej këtyre pjesëmarrësve kanë qenë gjyqtarë apo prokurorë në detyrë apo gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm që studiojnë në Shkollën e Magjistraturës. Përgjatë zhvillimit të këtyre trajnimeve, ekspertët kanë përgatitur një manual mjaft të detajuar për Ligjin shqiptar për Shoqëritë Tregtare. Gjatë 10 muajve të fundit praktikantët shqiptarë në fushën e së drejtës nuk mund të mbështeteshin në ndonjë material tjetër për interpretimin e ligjit të ri. Kjo gjendje është përmirësuar nga manuali, i cili tani është i disponueshëm si një tekst dygjuhësh, në anglisht dhe shqip. Ai do të shpërndahet falas tek anëtarët e gjyqësorit dhe profesionistët e tjerë të së drejtës.

Detaje

240 profesionistë në fushën e së drejtës morën pjesë në trajnimet për ligjin e ri për shoqëritë tregtare

100 prej këtyre pjesëmarrësve kanë qenë gjyqtarë apo prokurorë në detyrë apo gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›