E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brus Springstin: E shkuara nuk është kurrë e shkuar, është gjithnjë e tashme

Në një intervistë me gazetarin e britanikes "Observer", Mark Hagen, "bosi", siç e quajnë amerikanët, flet për serinë e gjatë të problemeve me të cilat po përballen bashkëkombësit e tij për shkak të një qeverisjeje të verbër e të larguar nga parimet themeltare që e bënë të madh kombin e tij, për erën e ndryshimeve që po fryn me zgjedhjen e Obamës, si edhe për dashurinë e jetës së tij, muzikën, duke u përqendruar veçanërisht tek albumi i tij i fundit.

Albumi i ri, "Të punosh mbi një ëndërr", nis me këngën "Piti i jashtëligjshëm", e cila është histori tipike amerikane: fabula e një karakteri që nuk arrin t‘i shpëtojë së shkuarës.

E shkuara nuk është kurrë e shkuar. Është gjithnjë e tashme. Dhe bën mirë ta mbash para syve në jetë, apo gjatë përvojave të përditshme, ndryshe të vë përfund. Të vë poshtë vërtet keqazi. Vjen e të ha të gjallë, të largon nga e tashmja. Arrin në atë pikë sa të grabit të ardhmen, dhe kjo ndodh çdo ditë. Kemi jetuar në një makth të tillë gjatë këtyre tetë viteve të fundit. Patëm një administratë të verbër, që nuk dinte të mbante parasysh të shkuarën. Mijëra e mijëra njerëz vdiqën, ndodhën gjëra të tmerrshme pasi u shkëputëm nga historia; humbi ndjesia se e shkuara është e gjallë dhe reale. "Kështu kënga shpjegon atë që i ndodh këtij personazhi. Ai përpiqet të bëjë veprimet e duhura. Zgjohet nga një vizion vdekjeje dhe kupton: jeta nuk shtrihet pa caqe kohore. Koha është gjithnjë pas meje. Dhe më shtie frikën. Vendoset në Perëndim. Por e shkuara e ndjek në formën e një gjuetari me pagesë të arratisurish, mendja e të cilit vihet në veprim nga nevoja për të kapur ikanakun. Dy krijesat takohen në bregun e një lumi, ku sigurisht gjuetari mbetet i vdekur dhe fjalët e fundit që thotë janë: ‘Nuk e zhbëjmë dot atë çfarë kemi bërë‘".

Pra, ju mendoni se ky ankth do ndryshojë? Se Amerika tashmë ka mësuar të vështrojë në sy?

Po, pasi gjithë vendi sot gjendet në gjunjë. Po e kuptojmë këtë më së miri. Po kalojmë diçka që nuk e kishim provuar gjatë gjithë jetës. Politika e jashtme, politika e brendshme - të shtyra drejt pikës së thyerjes. Gjithçka u thye. Dhe filozofia ku mbështetej administrata e fundit ka rrënuar jetët e shumë njerëzve. Tregu i lirë, loja pa rregulla, verbëria e politikës së jashtme. Kishim në krye një grup tepër radikal njerëzish që i shtynë gjërat në një drejtim tepër radikal, dhe ne sot vuajmë pasojat.

Jeni optimist?

Shikoni si shkojnë gjërat. Ti kalon 35 vite të jetës duke i kënduar këngë një vendi. Atë vend e sheh te gjërat që bëjnë njerëzit në komunitetet ku bëjnë pjesë nga qytetet, në zona fare të vogla. Por nuk e sheh në nivel kombëtar. Në fakt, në këtë rast sheh të kundërtën. Ti sheh vendin tek largohet nga vlerat demokratike, nga çdo ndjesi ndershmërie e drejtësisë ekonomike.

Si do na e përshkruanit Obamën?

Obama është figurë unike në histori. Historia e tij tipike amerikane përfaqëson për shumë njerëz diçka që i mungonte vendit prej shumë kohësh. Zgjedhja e tij qe një moment i pabesueshëm për dikë që përfaqëson kaq shumë historinë amerikane. Është dikush që mund të përballet me të shkuarën, që di të jetojë të tashmen duke mbajtur parasysh kohët e dikurshme, ashtu si edhe të drejtohet nga e ardhmja - është fantastike. Dhe për vendin, njohja e këtij fakti qe çast i mrekullueshëm. Ky vend është ende gjallë, nuk ka vdekur, ekziston.

Në këtë album është një këngë, "Mbretëresha e Supermarketit", mbi një djalë që dashurohet marrëzisht pas një arkëtareje. Nga mund të dalë një temë e tillë?

Pranë vendit ku jetoj u hap ky supermarket i madh e i bukur. Shkoja me Patin (bashkëshorten) e shëtisnim mes reparteve dhe mendoja se ai vend qe spektakolar. Ky vend i përket fantazisë. Dhe aty më erdhi.

Duhet të jetë e vështirë të psonisësh me ju...

Po ju tregoj që ndodhi gjithçka aty. U ktheva në shtëpi e i thashë vetes: "Ai supermarket është fantastik, është vendi im i parapëlqyer. Do shkruaj një këngë për të! Nëse bëhet fjalë për një supermarket ku gjen gjithçka, epo aty duhet të gjendet edhe një mbretëreshë. Dhe po të shkoni vetë atje, sigurisht që do të shihni se aty ka mbretëresha. Ka miliona të tilla. Është një këngë për mënyrën si mund ta gjesh bukurinë aty ku injorohet apo anashkalohet".

Pati ju merr ende për të psonisur?

Po, më merr. Por përse ma bëtë kështu këtë pyetje?

Po të isha si ju, do t‘i mbaja të fshehta disa gjëra.

Është për të qeshur... Të gjitha ato këngët e mrekullueshme të kohëve të shkuara duket sikur të shpien drejt misterit. Gjithnjë pyet veten: "Si mund të ketë qenë dhoma ku këta muzikantë regjistronin këngët? Ku i regjistruan, si ndiheshin"? Janë rrethuar nga kaq shumë mister. Këto ditë nuk ekziston më misteri në muzikë. Për njerëzit, e gjithë muzika që pëlqeja kur isha fëmijë, qe për t‘u hedhur në plehra. Njerëzit nuk dinin të lexonin mes rreshtave të gjithë atyre këngëve, por po të jesh fëmijë bëhesh tërësisht njësh me këngën edhe pse jo gjithnjë do gjeje guximin të thoshe se qe e bukur. Arrije të thoshe vetëm: "Po, më pëlqen. Jo baba, kjo këngë është e bukur", ose "është e madhe, e këndshme apo më emocionon". Dhe disa prej tyre, ditën më së miri ta ruajnë bukurinë. Përse? Epo u konceptuan bukur, u luajtën bukur dhe matematika brenda tyre është elegante. E ruajnë ende atë elegancë. Kështu që edhe ti përpiqesh të shkruash me elegancë. Më interesonte shumë kjo lloj krijimtarie, dhe nuk është ajo që e gjen kur ecën në rrugë.

Linjën më të bukur muzikore në album e ka "Mbretëria e ditëve".

Është një vijë melodike mbi kohën dhe unë jam aq në moshë sa për t‘u shqetësuar pak për të. Jo shumë, pak. Dhe në çaste të caktuara koha kufizohet nga prania e dikujt që ti dashuron; në kohë dashurie duket se ekziston një lloj transhendence. Ose këtë e besoj unë. Unë mbaj me vete shumë njerëz që nuk janë më. Kështu që dashuria e mposht kohën.

Dhe së fundmi, ajo me të cilën po përballeni është vdekja e njerëzve që i keni pasur pranë për kohë të gjata.

Më shumë se gjithçka tjetër ka të bëjë me muzikën. Pasi gjithë ato këngë të vjetra, të mrekullueshme, të thonë menjëherë: "Miku im, këtu ka edhe diçka tjetër"... Mungesa dëshpëruese e muzikës rok, e forcës jetike brenda saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›