Nga Sheratoni në Bulqizë
1. Publiku si vlerë e shtuar
Një ndër inovacionet e Programit Socialist është procesi i verifikimit të tezave të tij politike e qeverisëse nga publiku dhe komunitetet. Në tryezat rajonale për çështjet sociale, për shembull, morën pjesë jo vetëm socialistë ose simpatizantë, por përfaqësues të komuniteteve, partnerë socialë, ekspertë të politikave e shërbimeve sociale, intelektualë mendjehapur që punojnë pranë komuniteteve, pedagogë e studentë, përfaqësues të grupeve të interesit, qytetarë të papunë ose të varfër që dëshirojnë dhe përpiqen për një jetë më të mirë. Këto tryeza ishin një kantier i vërtetë pune, në të cilin kontribuuam dhe përfituam të gjithë, edhe organizatorët, edhe qytetarët . Mbi 3 mijë qytetarë morën pjesë dhe kontribuuan në tryezat rajonale në të gjithë territorin e vendit. Këto tryeza nuk kanë përfunduar. Ato vazhdojnë në debatin e gjerë online, në faqen e programit në Facebook. Pjesëmarrësit u bënë një vlerë e shtuar e programit. Tryeza e Kukësit, për shembull, tregoi se malësorët e kanë braktisur me kohë konceptin e ndihmës ekonomike si një program asistencial dhe kërkojnë zëvendësimin e tij me programe punësimi e shërbime të integruara, të paraprira nga politikat e punësimit. Përjetimet dhe nevojat e grave dhe burrave të Kukësit, Hasit, Tropojës konstatuam se përputhen me mendimet e ekspertëve e hartuesve të Programit. Përballë minatorëve në Bulqizë kupton kotësinë e diskutimeve për rritjen e moshës së pensionit shumë më mirë se nga sallat e Sheratonit. Ndërkohë, nga diskutimi në tryezën e Peshkopisë i administratores sociale nga qyteti i Burrelit, mësuam më shumë për defektet e Programit të Ndihmës Ekonomike sesa nga dhjetëra raporte të organizatave ndërkombëtare. Mësuesi nga Vlora kishte për rolin e arsimimit në zbutjen e papunësisë të njëjtin vizion me atë të demokratëve amerikanë. Ndërsa në Shkodër pjesëmarrësit sugjeruan nevojën e rritjes së financimeve për disa sektorë publikë, të cilët gjenerojnë vende pune me kosto të ulët dhe me një kohëzgjatje më të madhe. Dukej sikur shkodranët e mençur kishin lexuar Programin e Presidentit Obama!
2. Shqipëria reale, si provë
Debati për çështjet sociale midis qeverisë dhe opozitës është fokusuar, midis të tjerash, në dy çështje themelore: varfëria dhe papunësia. Socialistët argumentojnë se në Shqipëri ka një milion të papunë, ndërsa qeveria pohon se janë rreth 140 mijë. Socialistët argumentojnë se rreth gjysma e shqiptarëve janë të varfër, ndërsa qeveria e ul këtë shifër në 12 për qind. Bashkëbisedimi me qytetarët jo vetëm se i kolaudoi këto shifra, por na dha argumente shtesë për thellësinë dhe ashpërsinë e varfërisë, si edhe për numrin e të papunëve. Ndërkohë, gjatë Rrugës së Programit erdhën edhe argumente shtesë. Një studim i fundit i Bankës Botërore në vendet e rajonit zbuloi se varfëria e shqiptarëve, nisur nga fuqia e tyre blerëse, ishte jo më 12 për qind që thotë qeveria, madje as 50 për qind që argumentonim ne, por 62 për qind. Këtë tregues varfërie dhe numër të papunësh, me të cilin debatojmë me qeverinë në publik, e zbuluam në fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë, duke filluar që nga dyqanet e boshatisura të Shalësit në rrethin e Sarandës, në banorët e zonave çdo dimër të përmbytura në Anën e Malit në Shkodër e deri në peizazhin e përzhitur dhe shpirtin e vrarë të banorëve të një prej perlave të Shqipërisë, Lurës. Mbi të gjitha, rikonfirmuam varësinë totale të banorëve të zonave rurale nga varfëria dhe programet asistenciale, varësi që ka kapërcyer kufijtë e politikave sociale dhe po shndërrohet në një krim politik dhe elektoral.
3. Sinergjia midis politikave fiskale dhe sociale
Programi përmban dy kolona të rëndësishme, që do të mbështesin zhvillimin e Shqipërisë gjatë qeverisjes socialiste: së pari, ndryshimi i sistemit fiskal dhe së dyti, prioriteti i mbështetjes së zhvillimit njerëzor dhe social: punësimit dhe politikave sociale, modernizimit të arsimit dhe riinxhinerimit të sistemit shëndetësor. Pra, një ndër vizionet e qeverisjes socialiste do të jetë sinergjia midis politikave fiskale dhe politikave sociale, e cila do të sjellë jo vetëm më shumë drejtësi sociale në politikat tatimore, por edhe do të grumbullojë më shumë të ardhura, një pjesë e të cilave do të mobilizohen për mbështetjen e zhvillimit njerëzor dhe social, në tri sektorët e mësipërm. Sistemi i mbrojtjes shoqërore aktualisht nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve për punë dhe shërbime sociale. Prioritetet aktuale të këtij sistemi janë kokëposhtë, në raport me nevojat e popullsisë. Për shembull, politikat e punësimit janë të fundit për nga mbështetja me burime financiare dhe sistemi harxhon burime të konsiderueshme për programe asistenciale ineficiente dhe pa asnjë ndikim në uljen e varfërisë. Prandaj brenda këtyre sektorëve do të ketë një riprogramim të prioriteteve të politikave dhe burimeve financiare.
4. Programi si aleancë me vlerat
Politikat sociale kërkojnë burime të konsiderueshme financiare. Ato, natyrisht, do të gjenden e mobilizohen. Por tryezat në territor na bindën për burimin më të fuqishëm të politikave sociale: koalicionin me vlerat e shqiptarëve. Qeverisja socialiste do të nxjerrë shqiptarët nga varfëria duke zgjeruar aksesin e tyre në zhvillim dhe duke u mbështetur pikërisht në vlerat e tyre: mençurinë e dibranëve, kulturën e shkodranëve e lezhjanëve, qytetarinë e korçarëve e kolonjarëve, emancipimin e durrsakëve, krenarinë dhe patriotizmin e vlonjatëve, inteligjencën e sarandjotëve, shpirtin bujar dhe punëdashës të myzeqarëve e mallakastriotëve, sqimën e gjirokastritëve, besën e pukianëve e mirditorëve, burrërinë e kuksianëve, urtësinë e tepelenasve e përmetarëve, traditat e lashta shqiptare të beratasve. Pra, aleati ynë më i madh dhe burimi ynë më i fuqishëm do të jenë vlerat më të mira të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve të Shqipërisë, që duan dhe përpiqen për një Shqipëri më të mirë. Një Shqipëri për qytetarët dhe jo për klientët e qeverisë.
Nga Sheratoni në Bulqizë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip
