Një paradite me legjendën e humorit vlonjat
Dokumentari “Me artistin Leka Kruta” mblodhi dje shokë, miq, dashamirës, kolegë e artdashës vlonjatë në sallën e Teatrit “Petro Marko” në qytetin Vlorës. Me rastin e shfaqjes së këtij dokumentari, realizuar nga regjisori dhe skenaristi Genci Resuli, nën kujdesin e Bashkisë së Vlorës, në sallën e Teatrit “Petro Marko” u organizuan një ceremoni ku ishin të pranishëm edhe mjaft personalitete të artit e të humorit shqiptar vlonjat dhe më gjerë. Autori i dokumentarit, regjisori Genci Resuli, e cilësoi artistin një gur themeli në artin kombëtar të shqiptar, si dhe një personalitet kompleks dhe interesant në historinë e Teatrit të komedisë. Për Krutën folën edhe nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Edmond Leka, dhe drejtori i Teatrit “Petro Marko”, Dhimitër Furxhi. Në aktivitetin e tij më se 40-vjeçar numërohen 150 premiera dhe 800 personazhe. Historia e Trupës së Estradës Profesioniste të Vlorës është e lidhur ngushtë me Krutën, i cili, krahas aktorëve të tjerë të njohur, si Myqerrem Ferra, Qiriako Sava etj., kanë krijuar një galeri të tërë personazhesh dhe një arkiv të jashtëzakonshëm temash. Për vetë aktorin vlonjat, jeta e tij ka qenë dhe është e lidhur ngushtë me humorin dhe me skenën. “Në këtë skenë ‘të çmendur’ ne kemi interpretuar dhjetëra role”, thotë ai me humor, ndërkohë që është i rrethuar nga familjarë dhe miq të tij, në këtë sallë ku ndonëse në një gjendje jo të mirë shëndetësore ndihet përherë pranë kësaj skene, tek e cila u rrit dhe me të cilën lidhi jetën e vet. Për vlerat e tij në krijimtarinë artistike më shumë se 40-vjeçare, Leka Kruta është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”, ndërkohë që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka akorduar urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.