Kerkesa per lirim nga paraburgimi, kerkohet doreheqja e gjyqtares
Vazhdojnë tentativat për lirim nga paraburgimi të të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Tashmë katër të pandehurit e akuzuar, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli e Sokol Ngjeçi, i janë drejtuar sërish Gjykatës së Apelit, me shpresën se do t’u pranohet kërkesa e skadimit të afateve të paraburgimit dhe lirimi i menjëhershëm. Por, seanca e djeshme është shtyrë pas kërkesës së avokatëve për largimin nga shqyrtimi i çështjes të gjyqtares së përcaktuar në trupë gjyqësore, me argumentin se ajo ka qenë në shqyrtimin e mëparshëm të një kërkese të parashtruar prej tyre për lirim, kërkesë që është rrëzuar. Kjo ka sjellë edhe shtyrjen për një seancë tjetër dhe shqyrtimin e kërkesës për largimin apo jo të gjyqtares nga trupa gjykuese. Kjo është një tentativat e shumta të katër të pandehurve për lirim, ndërsa të gjitha janë rrëzuar nga dy shkallët e para të gjyqësorit, me arsyetimin se nuk kanë përfunduar afatet dhe se duhet edhe 2 muaj e disa ditë burg.