E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Vlora në Lurë, sipërmarrësit që po promovojnë turizmin shqiptar cep më cep

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama kishte ftuar sot në podkastin “Flasim” Ergys Vladin, themelues i “Leaders on Tour”, një komunitet që bashkon sipërmarrës dhe CEO në Shqipëri përmes aktiviteteve sportive dhe krijimit të rrjeteve mes tyre.

Vladi u shpreh se aktualisht platforma numëron rreth 2000 anëtarë dhe synimi është të arrihen 10 mijë anëtarë deri në vitin 2030. Ai theksoi se vjen nga zona e Lurës, për të cilën u shpreh se ka një infrastrukturë të përmirësuar dhe është lehtësisht e aksesueshme edhe nga Peshkopia. Sipas tij, Lura është një mrekulli natyrore.

Platforma ka nisur fillimisht me aktivitete hiking në Tiranë dhe më pas është zgjeruar me joga, padel, volejboll dhe aktivitete të tjera sportive.

Ideja për guidat turistike ka lindur herët, duke nisur fillimisht me aksione për pastrimin e mbeturinave, të cilat më pas u kthyen në atraksione turistike. Vladi shtoi se ka shoqëruar edhe ambasadorë të ndryshëm në Lurë dhe në aktivitete të tjera sportive.

Një tjetër e ftuar ishte Roksana Novak nga Polonia, e cila jeton në Vlorë prej 16 vitesh. Ajo tregoi se fillimisht emigroi në Itali për aventurë, por u përball me një realitet të vështirë. Më pas, gjatë studimeve universitare, njohu një djalë nga Vlora dhe vendosi të zhvendosej në Shqipëri. Novak theksoi se në Itali perceptohej si person nga ish-Bashkimi Sovjetik, ndërsa në Shqipëri si qytetare e Bashkimit Europian, një ndryshim i madh për të.

Ajo filloi punë në Universitetin e Vlorës dhe në fillim u përball me paragjykime për Shqipërinë. Më pas hapi një website për promovimin e vendit, i cili u klikua nga rreth 1 milion polakë. Gjithashtu, ka marrë licensën si guidë turistike dhe ka botuar libra e guida për Shqipërinë.

I ftuari i tretë ishte Agim Prebibaj, i lindur në Currajn e Epërm, në Nikaj-Mërtur (Tropojë). Ai jetoi në fshat deri në moshën 14-vjeçare, më pas vazhdoi shkollën pedagogjike në Shkodër dhe kreu shërbimin ushtarak. Më vonë emigroi në Zvicër dhe Gjermani, ku jetoi për një periudhë të gjatë, përpara se të kthehej për të investuar në vendlindje.

Në vitin 2014, Prebibaj hapi një kamping në Curraj të Epërm në bashkëpunim me disa turistë çekë. Nga viti 2014 deri në 2018 ai priti shumë vizitorë, kryesisht nga Çekia. Ai theksoi se një nga sfidat kryesore ishte mungesa e rrugës, por megjithatë zona është vizituar nga mijëra turistë dhe bashkatdhetarë të interesuar për të investuar.

Të tre të ftuarit kanë një lidhje të fortë me natyrën dhe janë të angazhuar në promovimin e turizmit natyror në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria do të vijojë investimet për zhvillimin e Vlora, duke theksuar se ka ende shumë punë për të bërë. Ai përmendi përmirësimet në zonën e Radhimës dhe projektet për shëtitore të reja, të cilat do ta zgjasin vijën pedonale të qytetit.

Rama theksoi gjithashtu potencialin e madh të zonës së Lumit të Vlorës dhe u shpreh optimist për përfundimin e aeroportit, pavarësisht vonesave dhe shqetësimeve të deritanishme.

Sa i përket turizmit malor, ai nënvizoi investimet në Lura, ku është ndërtuar rruga, si dhe angazhimin për zhvillimin e Nikaj-Mërtur. Rama u ndal edhe te “Paketa e Maleve”, e cila u jep mundësi banorëve pa dokumente pronësie të aplikojnë për zhvillim dhe investime përmes një procedure të thjeshtuar në bashki.

Duke folur për mbështetjen e industrisë së turizmit dhe rrjetëzimin e komuniteteve, Rama tha se qeveria synon të mbështesë financiarisht projektet e mirargumentuara përmes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke përfshirë edhe sportin.

Ai theksoi se agroturizmi, dikur pak i njohur në Shqipëri, sot është në rritje të ndjeshme për shkak të kërkesës së lartë. Sipas tij, shqiptarët kanë aftësi të përshtaten dhe të ndjekin modele të suksesshme zhvillimi.

Në lidhje me turizmin elitar, Rama theksoi se investimet që synojnë konsumatorët me të ardhura të larta sjellin përfitime për të gjithë ekonominë, duke marrë si shembull zhvillimin e Malit të Zi me projekte si Porto Montenegro.

Ai u ndal edhe te projektet strategjike në Zvërnec dhe Sazan, ku synohen investime të mëdha dhe të qëndrueshme me natyrën. Sipas Ramës, vetëm investimi në Sazan parashikohet të arrijë në 4-5 miliardë euro, ndërsa planet përfshijnë zhvillim të balancuar mes turizmit ekskluziv dhe atij të përballueshëm, duke përfshirë edhe elementë arti dhe kulture.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›