E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nga Vlora në Sarandë, policia bllokon 12 mjete lundruese, gjobiten 11 persona, mes tyre dhe ata që i kishin marrë për shëtitje

Lundrimi brenda zonës së përcaktuar të sigurisë, ushtrim i aktivitetit të turizmit detar në kundërshtim me ligjin, mosregjistrim i mjetit lundrues brenda afatit ligjor, si dhe mungesa e dokumentacionit, kanë çuar në bllokimin e 12 mjeteve lundruese nga Vlora në Sarandë.

Të dhënat u bënë publike nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare e Vlorë. 12 mjetet lundruese të bllokuara përfshijnë: 7 Jet Ski, 2 anije turistike, 2 skafe dhe 1 gomone. 

Bllokimi i këtyre mjeteve lundruese në të gjithë hapësirën ujore të qarkut Vlorë, grupe kontrolli nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, sipas policisë, bëhet me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Bllokimi ka qenë vetëm njëra anë e ndëshkimeve të policisë, pasi krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre janë ndëshkuar edhe me masa administrative që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj.   

“Si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore të qarkut Vlorë, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, ka bllokuar 12 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.”- informon policia.

Në Radhimë, Ksamil dhe Sarandë, janë bllokuar 7 mjete lundruese Jet Ski ku 2 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për lundrim/bregëzim në zonë të ndaluar, 2 të tjerë janë ndëshkuar secili me masën administrative 20 000 lekë të rinj, për mosregjistrim të mjeteve lundruese brenda afatit të përcaktuar me ligj, kurse 3 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë të dokumentacionit në bord.           

„Në molin e portit të Vlorës janë bllokuar 2 anije turistike. Secili nga drejtuesit (kapitenët) u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për ushtrim të aktivitetit (turizmit detar) në kundërshtim me ligjin.  Në Gjipe u bllokua 1 mjet lundrues gomone. Drejtuesi u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni në bord.  Në Dhërmi u bllokuan dy skafe për mungesë dokumentacioni. Drejtuesit e mjeteve lundruese u ndëshkuan me  masë administrative me nga 10.000 lekë secili.”- informon në mënyrë të detajuar policia.

Me kërë rast, Policia Kufitare e Vlorës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›