Nga celulë e së majtës, Rama kërkon ta shesë Spahiun si të ‘djathtë’
Kryetari i PS-së, Edi Rama u investua prej një kohe të gjatë, në funksion të krijimit të një celule brenda opozitës, me qëllim spastrimin e këtij krahu politik nga disa elementë të panevojshëm dhe të konsumuar politikisht. Pikësynimi kryesor ishte nxjerrja në skenën politike e zhurmuesve të lëvizjes Mjaft, të cilët u maskuan nën siglën e G99-ës, për të devalvuar në maksimum klimën politike, përmes karakteristikës së sherrxhinjve që mbizotëronte tek përfituesit e fondeve ‘sorosiane’ dhe fondacioneve të ndryshme që operojnë në vend, gjithnjë larg syrit të transparencës dhe detyrimeve ligjore. Por, rezultati elektoral i 99-shave të Erjon Veliajt, ishte vërtetë spektakolar. Vetëm 13 mijë vota arritën të marrin në rang republike përfituesit e fondeve të paligjshme, duke bërë që të gajasë dhe njeriu i nomeklaturës, Skënder Gjinushi, i cili me partizën e tij, arriti të renditet krahu i dytë i së majtës. Por, sot pas 3 vitesh, kemi një realitet tjetër dhe e majta vazhdon të operojë pa një celulë ekzistente, për spastrimin e mbetjeve të konsumuara. Në këtë sens, Edi Rama u tregua i ‘zgjuar’ në manipulimin ndaj disa krerëve të institucioneve Kushtetuese, duke i detyruar ata të dalin nga detyra institucionale dhe ligjore, për t’i shërbyer interesave meskine të humbësit të socialistëve. Pasi janë konsumuar të gjitha hallkat e ‘zbulimit’ të shkelësve të ligjit dhe përdhosësve të Kushtetutës jo në një, por në 2-3 institucione Kushtetuese, thjesht e vetëm për të kënaqur dëshirat politike të një njeriu që s’njeh votën e shqiptarëve, s’njeh pluralizmin dhe lirinë e zgjedhjeve demokratike dhe për të garantuar mandatet e dyta e me radhë, bën që lidershipi socialist të shtiret sikur i njeh gabimet e së shkuarës, ndërsa bishtrat e dalë nga kosherja e opozitës, kërkon t’i shesë si “reaksion i pakënaqësisë brenda së djathtës”. Kush është ai i verbër mendërisht që beson përrallat e Edvinit, i cili mashtron pa iu dridhur qerpiku? Kreshnik Spahiu është investim personal i Edi Ramës dhe Bamir Topi. I pari ka vepruar me pëlqimin e të dytit, dhe sikurse, i dyti ka dhunuar Kushtetutën me pëlqimin e të parit, në këmbim të mbrojtjes politike gjatë ngritjes së akuzave të detyrueshme nga mazhoranca, për shkeljen e Kushtetutës gjatë ushtrimit të funksioneve politike. Askush s’ia beson “adetet e shfajësimit” lidershipit socialist pasi ka kuptuar se Aleanca Kuq e Zi s’funksionoi si celulë e opozitës, për shkak të mungesës së tagrit politik dhe nga figura jo bindëse e Kreshnik Spahiut, në krye të një force politike. Kësisoj, për Ramën s’mbetet gjë tjetër veçse t’i komunikojë “këshilltarit që shkel Kushtetutën”, se as Aleanca s’pritet të sjellë përçarjen e së djathtës, pasi sforcimi i tepërt për t’ua lënë “në derë të tjerëve”, po kthehet në bumerang të aksioneve të ardhshme.
...