Nga cila anë ra muri?
"Nga cila anë ra muri?", - pyet e përjavshmja "Der Speigel", 20 vjet pas rënies së tij. Përse shërben liria për të udhëtuar nëpër botë, nëse nuk ke para për të paguar udhëtimin, provokon përsëri autori i shkrimit H. M. Broder.
Sot, Gjermania Lindore vazhdon të mos preferohet nga qytetarët e saj. Nëse 20 vjet më parë, gjermanolindorët ndiheshin "qytetarë të dorës së dytë", sot, 49% e tyre thonë që "DDR-ja (Gjermania Lindore) kishte më tepër gjëra të mira se të këqija".
Ndërkohë, gjermanët e perëndimit janë të pakënaqur me taksat që prej 20 vjetësh paguajnë për Lindjen.
Thuajse 70 miliardë euro në vit investon shteti gjerman për Lindjen, në pritje që ato të japin fryte. Berlini, Dresden, Lipsia kanë ndryshuar. Pavarësisht nga kjo, sot, për gjermanin e mesëm, duket sikur barazia ekonomike është më e rëndësishme se liria. Askush nuk e kishte parashikuar këtë 20 vjet më parë.
Dokumentet e fundit "top sekret" të bëra publike nga Foreign Office (Ministria e Jashtme Britanike) dhe të përshkruara këto ditë në faqet e "Financial Times", dëshmojnë se si mënyra e ndryshimit dhe shpejtësia e ndryshimit të gjeo dhe socio - politikës, ka bërë që realiteti i sotëm të jetë tepër larg nga parashikimet dhe shqetësimet e politikëbërësve të 1989-ës.
Falë kujtimeve të botuara të Helmut Kohl-it, njihej qëndrimi i hapur kundër rënies së murit që kishte mbajtur Margeret Thatcher (Kryeministrja britanike) dhe Thatcher nuk e kishte fshehur kurrë këtë.
Por dihej më pak se si Douglas Hurd (ministri i Jashtëm britanik) dhe Christofer Mallaby (ambasadori britanik në Bonn) ishin në favor të rënies së tij. Dhe dihej akoma më pak që Francois Miterrand (Presidenti francez) ishte fillimisht ndër kundërshtarët më të rreptë të rënies së murit.
Në Strasburg, në vitin 1989, Thatcher e Miterrand bisedonin për "çështjen gjermane".
Për Thatcher-in, Kohli kishte harruar që "ndarja e Gjermanisë ishte rezultat i luftës që Gjermania vetë kishte filluar".
Ndërsa për Miterrand-in, "bashkimi do t'i bënte gjermanët më të fortë se në kohën e Hitlerit". Miterrand-i ankohej se Gjermania nuk i kishte pranuar asnjëherë kufijtë e saj. Ndërsa Thatcher përgjigjej duke nxjerrë nga dosja e saj harta që tregonin konfigurime të ndryshme të kufijve të Gjermanisë.
Për Mitterrand-in, një Gjermani e bashkuar do të ishte "dominuese në Poloni, Çekosllovaki dhe Hungari" dhe do t'u linte atyre "vetëm Bullgarinë e Rumaninë".
Sidoqoftë, Thatcher-i e Miterrand-i nuk arritën të pengonin bashkimin.
Douglas Hurd mori kartë dhe penë dhe i shkroi shefes së tij që "Nëse popujt e Republikës Federale dhe asaj demokratike vendosin lirisht për bashkimin, vetëm lufta do të mund t'i ndante".
Miterrand-i "u bind" gjatë shëtitjeve të gjata buzë Atlantikut me Kohlin, se bashkimi ishte i paevitueshëm dhe u shpreh pro tij, vetëm pasi mori në shkembim po-në gjermane për bashkimin monetar dhe heqjen dorë nga Marka e tyre e fortë.
George W. H. Bush, senior, dhe Gorbaciov mbështetën hapur Kohl-in.
Ky i fundit u vu përpara një alternative: ose Gjermania e bashkuar e 80 000 000 gjermanëve pranonte të "europeizohej", ose duhet të rinunçonte nga synimi të "gjermanizonte Europën".
Muri ra më datë 9 nëntor 1989. Më datë 28 nëntor, Kohl-i prezantonte dekalogun e tij "për të superuar ndarjen e Gjermanisë dhe të Europës".
Një javë më pas, në Bruxelles, Thatcher-i kërkonte "dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjet demokraci para se të ndryshoheshin kufijtë". Më 3 tetor 1990, Gjermania u bashkua.
20 vjet më përpara, askush prej politikëbërësve të atëhershëm nu mendonte se sot do të lindte pyetja: "nga cila anë ra muri?".
Në fakt, dy elemente ishin të paparashikueshëm në atë kohë: së pari, zëvendësimi i luftës midis shteteve me luftën globale ndaj terrorizmit, e zhvilluar larg kufijve të Europës; së dyti, shpejtësia me të cilën po ndryshonte bota, e cila bëri që, në ditët e sotme, njeriu i emancipuar dhe ekzistencializmi i tij të ngrihen mbi bashkësitë abstrakte si popujt, kombet, shtetet apo partitë.
Sa më sipër dëshmon që historia, sidomos ajo e lexuar në mënyrë statike, jo gjithmonë është një leksion për të ardhmen.
Përse shërben liria për të udhëtuar nëpër botë, nëse nuk ke paratë për të paguar udhëtimin, pyesin sot gjermanolindorët dhe a mund të ngremë edhe ne të njëjtën pyetje?
Nuk e di.
Di vetëm që, në fund të viteve '80-të, gjermanolindorët - që në vendin e tyre e ndjenin veten "qytetarë të dorës se dytë" - kur vinin tek ne, fëmijët shqiptare i lypnin chewing gum (çamçakëze). Ndërsa në fund të viteve 2000, shqiptarët që shkojnë në lindje të Gjermanisë, e ndjejnë veten shumë më mirë se në Tiranën e tyre "europiane" që po "ndryshon".
Po, po, miqtë e mi të dashur gjermanë. Unë mund t'i jap një përgjigje shqiptare, pyetjes suaj gjermane. Është më mirë të jesh i lirë të udhëtosh rreth botës edhe nëse nuk ke paratë për të bërë udhëtimin! Më pas, pasi të jesh i lirë të mbushësh barkun dhe mendjen, mund t'i bësh vetes pyetjen e mësipërme.
Shqipëria ime komuniste, ku barazia ekonomike ishte e njësuar me varfërinë (financiare dhe kulturore), kishte më tepër gjëra të këqija se të mira krahasuar me absurdistanin e sotëm dhe, në veçanti, të nesërm, të shqiptarëve të lirë.