Fokus/Edi Rama prapakthehu, herë për dialog e herë për protesta

Klika e bllokmenëve të rinj, apo antikultura evropiane e pinjollëve të nomenklaturës, ka riorganizuar falangat e majta, për të shkaktuar pështjellimin e radhës të situatës politike në Shqipëri. ëndrrat dhe improvizimet e “natës së çmendur” që i vërtiten në kokë Edi Ramës dhe kreut real të PS-së, Ramiz Alia, bëjnë që i pari, të jetë i paqartë për veprimtarinë e tij në politikën e vendit, duke përcjellë deklarata të paqarta dhe që s’kanë asnjë përputhje me angazhimin racional të opozitës. Deklaratat se opozita mund t’i rikthehet përsëri protestave dhe grevës së urisë, tregojnë pikërisht, krizën e rëndë të identitetit në të cilën ndodhet i kanalizuar kryesocialisti Rama, teksa po vihet në lojë nga eksperimentet e tipit enverist të Ramizit. Në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe Brukseli kanë bërë apel për dialog parlamentar, për të shmangur linjën e mungesës së institucionalizimit, Edvin Rama demonstron veprime të papjekura dhe njëherazi tendencioze, çka do të thotë të dyshimta për synimin dhe qëllimin e tyre. Në një deklaratë për shtyp, Rama do të deklaronte se është i gatshëm për vendosjen e dialogut me mazhorancën dhe shqyrtimin sipas ligjit të pretendimeve lidhur me zgjedhjet e kaluara, por krejt e kundërta del nga thirrjet e pastudiuara në takimet me bazën socialiste në vend. Edvini, sigurisht i frymëzuar nga Ramizi, para tyre mundohet të tregohet sa më tepër në modë, për t’i shërbyer “kauzës” së dështuar opozitare dhe duke e justifikuar këtë me “argumentin” se mazhoranca nuk do transparencën e zgjedhjeve. Më konkretisht, Rama deklaroi dje nga Shkodra, aty ku ai shpallet gjithmonë si fituesi i humbjeve, se opozita është e gatshme t’i rikthehet protestave e madje edhe grevës së urisë nëse kërkesat e saj për transparencën e zgjedhjeve nuk plotësohen nga mazhoranca. “Do të bëjmë çdo kompromis me mazhorancën për të garantuar transparencën e zgjedhjeve. Në rast se zgjidhja nuk do të vijë nga këto negociata që po zhvillohen ne jemi të gatshëm për të vazhduar betejën tonë”, u shpreh dje Rama. Këto qëndrime, janë tejet abroguese kundrejt premtimit që i ka dhënë ndërkombëtarëve, por edhe shqiptarëve se opozita do zhvillojë politike konstruktive, për pretendimet e saj dhe se kurrsesi nuk do katandiset më nëpër çerdhet e improvizuara në bulevard apo diku gjetkë. Edvini, përmes deklaratave të tij absurde dhe të pabaza, pothuajse emocione të momentit, i është atashuar një papjekurie të frikshme në arenën politike dhe në kushtet e falsitetit të pashmangshëm, s’po di ç’të sajojë, në mënyrë që të justifikojë sado pak, dështimin e protestave dhe grevës së urisë, ku kjo e fundit u trumbetua si fundi i një “tiranie”..., por fatkeqësisht, konfirmoi fundin e politikës së bllokmenëve të rinj. Angazhimi personal i Ramiz Alisë, padyshim që do të shënojë edhe skarcitetin e plotë të jetës politike të Edvinit, pasi ish udhëheqësi i fundit komunist, siç ka marrë në qafë mijëra jetë shqiptarësh, në të njëjtin drejtim do të veprojë edhe për kokën e Edvin dështakut.
...