Ministrat e BE pritet të inkurajojnë sot bashkëpunimin parlamentar të forcave politike

Thyerja e bojkotit të Kuvendit ka shërbyer për aktivizimin e dialogut parlamentar mes mazhorancës dhe opozitës, për të kontribuar kështu në miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe realizimin e reformave. Por, situata politike s’mund të quhet e tejkaluar porsa kohë opozita lëshon deklarata tendencioze dhe të rrezikshme për progresin e reformave, dukë kushtëzuar përmbushjen e tyre, me plotësimin e tekave antiligjore të Edi Ramës. As thirrjet e Brukselit nuk duken se e kanë ndërgjegjësuar PS-në, për t’u fokusuar në rrugën e dialogut politik dhe bashkëpunimit me shumicën jo vetëm për reformat por edhe për pretendimet që lidhen kryesisht me pakënaqësi të caktuara, siç është në rastin konkret, situata e pas zgjedhjeve parlamentare. Edi Rama u shpreh dje nga Shkodra se s’ka ndërmend të tërhiqet nga kacavjerrjet e opozitës destruktive, lidhur me pretendimet e depozituara që në kohën kur PS endej rrugicave të Shqipërisë me pretendimin se do grumbullojë 1.5 milionë shqiptarë që do t’i kundërviheshin qeverisë “Berisha”. Kjo jo vetëm që nuk realizua, por i dha një leksion të rëndësishëm opozitës shqiptare se sjelljet e saj janë jo vetëm të turpshme, por edhe jashtë çdo konteksti racional të Shqipërisë dhe interesave të shqiptarëve. Kjo pasi, në një kohë kur Shqipëria merrte në Bruksel vlerësimin pozitiv porsa i takon përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit për vizat, Edi Rama dhe ndjekësit e tij, çimentuan rrugëve të Tiranës bindjen e çadrave, përmes ngujimit aty të 22 deputetëve, me argumentin se “ne po vdesim për bukë dhe s’jemi të interesuar për të ashtuquajturat ‘viza’ se ato i kemi të garantuara”. Dhe vërtet i kanë të garantuara, pasi gëzojnë luksin të udhëtojnë jo vetëm në zonat më të frekuentuara turistike të çdo cepi të Botës, por edhe privilegjet më të pazakonta, gjë të cilën nuk e bën dot të tijën një qytetar i thjeshtë, një socialist që pret shumë nga forcat politike shqiptare. Ndaj, edhe endja pas Edi Ramës dhe klikës së tij demonstrative, nuk është gjë tjetër veçse shënimi i fundit të një rreziku permanent të interesit të shqiptarëve.
...