E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga datat 24-28 shtator në ambjentet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë do të zhvillohet “Agrobiznes 2009

Edicioni i 7-të i Panairit Ndërkombëtar  "Agrobiznes 2009”, do të organizohet nga 24- 28 shtator në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, nën kujdesin e ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Enver Ferizaj, organizatore e këtij panairi, bëri të ditur sot se panairi ”Agrobiznes 2009” ka marrë përsipër të promovojë zhvillimet më të fundit dhe më të rëndësishme në sektorin e industrisë ushqimore dhe agropërpunimit, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ferizaj tha se në këtë eveniment të agrobiznesit pritet të marrin pjesë mbi 80 firma dhe kompani vendase dhe të huaja nga fusha e industrisë ushqimore, të cilët promovojnë teknologjitë moderne dhe zhvillimet e fundit në drejtim të rritjes së cilësisë dhe sigurisë ushqimore për produktet që prodhohen në vend. Ndër pavionet më të rëndësishëm që pritet të zënë një vend të konsiderueshëm në ambientet e kësaj qendre janë pavioni i biznesit kosovar, pavioni i kompanive të konsoliduara në industrinë ushqimore ku prezantohen EHV, Floryhen, Derby, Birra Tirana, Birra Stela, Kantina e Pijeve Durrës, Rozafa, Fiol, Miell Tirana, KMY, etj. Presidenti i KASH-it theksoi se "Agrobiznes 2009" po mbështet pa pagesë pjesëmarrjen në panair të prodhuesve të bujqësisë, të cilëve u jepet një shans si asnjë herë më parë të lidhin kontrata me biznese të konsoliduara nga shumë vënde, si dhe me biznesmenët nga 21 shoqatat e agrobiznesit shqiptar. Organizatorët kanë parashikuar që gjatë ditëve  të panairit  të zhvillohen  konferenca e tryeza pune, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe specialistëve nga sektorë të ekonomisë, bujqësisë dhe financave, ku do të diskutohet rreth politikave dhe problemeve aktuale me të cilat ndeshen bujqësia dhe agroindustria në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›