Institucionet mikrofinanciare, “barkë” shpëtimi për kreditimin rural

Ndërsa bankat e nivelit të dytë kanë ulur nivelin e kreditimit në muajt e fundit, e kundërta ka ndodhur me institucionet e kursim-kreditit. Ato kanë vazhduar të mbështesin me kredi, por edhe me shërbime të reja anëtarët e tyre, madje dhe ata të regjistruar rishtas rreth këtij grupimi. Në raportin e fundit të Unionit të Kursim-Kreditit të dhënat flasin për vazhdimësi të kreditimit dhe rritje të anëtarëve të këtij grupimi. Sipas raportit të fundit, periudha e 6-mujorit të parë të këtij viti ka nxjerrë në pah rritjen e aktivitetit financiar të Grupit Union–SHKK, si pjesë e rëndësishme e mikrofinancës në vend. Nga të dhënat e këtij harku kohor rezulton se ai zotëron një total asetesh prej 5 miliardë lekësh, portofol kredie rreth 3.6 miliardë lekë, depozita në shumën mbi 1 miliard lekë, kapital mbi 1.2 miliard lekë dhe rezultat financiar prej 35 milionë lekësh. Grupi Union–SHKK është i shtrirë në 900 fshatra në 16 rrethe të Shqipërisë dhe ka një anëtarësi mbi 26.000 vetë. Vetëm në periudhën 6-mujore të këtij viti, Grupi Union-SHKK ka disbursuar 3.505 kredi me një shumë totale prej 1.2 miliard lekësh. Për sa i përket portofolit të kredisë në Grupin Union-SHKK, cilësia e tij vazhdon të mbetet në nivele të kënaqshme, e krahasuar kjo me tregun financiar. Për më tepër që synimet e këtij grupimi kanë qenë që të rrisin nivelin e kredisë për vitin 2009. Shoqëritë e Kursim-Kredive japin garancinë se nuk do të preken nga kriza, pasi ato kanë likuiditet dhe kanë gjetur financime jo vetëm për vitin 2009. Ky union i SHKK-ve do të rrisë për vitin 2009 me rreth 20-25 për qind portofolin e kredisë, duke shtuar kështu numrin e fermerëve që do të marrin kredi dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre.
900 fshatra, financime me mikrokredi
Mikrokredia tashmë është bërë një mbështetje për shumë fermerë dhe aktivitete të ndryshme në zonat rurale të vendit. Deri tani, Grupi Union-SHKK operon në 900 fshatra, të shtrira në 16 rrethe të vendit, me 104 shoqëri kursim-krediti. Dhe brenda këtij 6-mujori, rrjeti i këtyre shoqërive është i pranishëm edhe në dy rrethe të tjera të vendit, përkatësisht në Pogradec dhe Malësi e Madhe. Po gjatë kësaj periudhe është rritur me mbi 1.500 vetë numri i anëtarëve në këtë rrjet, duke çuar anëtarësimin e përgjithshëm në rrjetin e Shoqërive Kursim-Kredi në mbi 26.000 vetë. Këta tregues flasin edhe një herë për zgjerimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Grupit Union–SHKK në zonat rurale, në mbështetjen financiare të fermerëve në aktivitetet e tyre prodhuese. Mbështetja reale në shërbim të fermerëve vjen në dy aspekte thelbësore, si në kredidhënie dhe në depozita për ta, ku hera-herës diktuar edhe nga ecuria e tregut, janë bërë dhe bëhen oferta sa më fleksibile në mbështetje të prodhimit në zona rurale. Më e fundit e kësaj stine është edhe depozita verore për fermerët deri në 500.000 lekë. Unioni Shqiptar i Kursim-Kreditit është krijuar në janar të vitit 2002 në bazë të eksperiencave dhe suksesit të projekteve të mëparshme të mikrokredisë, të iniciuara që prej vitit 1992 në terrenin shqiptar. Ky union është bashkimi vullnetar i Shoqërive Kursim-Kredi, të anëtarësuara pranë tij. Duke zbatuar më së miri objektivin e tij në mbështetjen social-ekonomike për banorët e zonave rurale, ai ka marrë dhe vlerësime nga institucione ndërkombëtare të kësaj fushe. Si i tillë, Unioni SHKK në 2008 u klasifikua në 16 institucionet më të mira në botë nga MIX. Gjithçka u realizua nga platforma botërore e mikrofinancës MIX, që nga 1000 institucionet e mikrofinancës në botë vlerësoi 100 prej tyre, të mbështetura në kriteret e efektivitetit, eficencës dhe transparencës.
Kredia, kërkesat disa për bujqësi e disa për tregti
Interesi për të marrë kredi nga institucionet e mikrofinancës është gjithnjë në rritje, por arsyet pse fermerët apo individët e kërkojnë atë për të zhvilluar aktivitetin kanë një ndryshim në varësi të zonës ku jetojnë. Disa syresh e kërkojnë kredinë për të zhvilluar më tej aktivitetin bujqësor të tyre, e disa të tjerë për të zgjeruar tregtinë e nisur. Nëse në jug pranë SHKK-ve, merret kredi edhe për zhvillimin e aktivitetit të turizmit, në veri kredia më së shumti merret për bujqësi apo blegtori. Në qytetin e Vlorës, kërkesa për kredi bëhet edhe për turizmin, por edhe vreshtari dhe pajisje tregtie. Sipas të dhënave, në Vlorë rreth 40 për qind e kredisë në 2008 është dhënë për sektorin e tregtisë, ndërsa 60 për qind është dhënë për sektorin e shërbimit dhe të bujqësisë. Ndërsa në veri kërkesat kryesisht për kredi janë për bujqësi, sera dhe blegtori.
Mikrofinanca ka ndihmuar në uljen e varfërisë në botë
Mikrofinanca tashmë është bërë pjesë përbërëse e shumicës së politikave publike në luftën kundër varfërisë dhe shpesh përgjigje e disa objektivave të zhvillimit të Millenium-it. Zana Konini, kryetare e Shoqatës së Mikrofinacës, tregon rëndësinë që ka kreditimi i fermerëve dhe njerëzve në nevojë. Sipas saj, mikrofinanca ka ndihmuar në uljen e varfërisë në botë, por edhe në Shqipëri. "Pas një rritjeje të fortë të ofertës këto 20 vjetët e fundit (130-150 milionë klientë sot), mikrofinanca tashmë është e pranishme në shumicën e vendeve të botës dhe madje me një prezencë të dukshme në disa vende apo rajone. Dy ngjarje të rëndësishme kanë ndikuar për një mediatizim të fortë: viti 2005 u quajt "viti i mikrokredisë" nga OKB dhe në tetor 2006, Muhammad Yunus i "Grameen Bank" mori çmimin "Nobel të Paqes", në emër të luftës kundër varfërisë dhe demokratizimit", - tregon Konini. Sipas saj, në Shqipëri mikrofinanca filloi të gjejë terren që nga fundi i vitit 1992, në kuadrin e një programi për lehtësimin e varfërisë, në zonën rurale.
Sot në vend operojnë me sukses disa institucione mikrofinance si Unioni SHKK, Fondi Besa, Opportunity Albania, FFZM, Unioni Jehona etj., aktiviteti i të cilëve bën të mundur që mijëra shqiptarë të kenë akses në shërbimet financiare dhe të fillojnë e të zhvillojnë aktivitetet e tyre sipërmarrëse. Në fund të vitit 2008, sektori i mikrofinancës në Shqipëri rezulton me një tepricë kredie mbi 144 milionë USD të shpërndara në më shumë se 50.000 klientë aktivë. Përveç mikrokredisë, dy institucione të mikrofinancës në vend, Unioni SHKK dhe Unioni "Jehona" operojnë prej vitesh edhe me depozitat. Sektori i mikrofinancës është tashmë pjesë përbërëse e sektorit financiar në Shqipëri dhe vit pas viti ka treguar rritje, konsolidim e përmirësim të vazhdueshëm. Institucionet e mikrofinancës japin ndihmesën e tyre në drejtim të rritjes ekonomike në vend dhe reduktimit të varfërisë në zonat rurale e ato urbane, duke promovuar sektorin e mikro-ndërmarrjeve dhe të bizneseve të vogla.
Të gjendur në kushtet e një krize ekonomike globale, gjatë 2008 sektori i mikrofinancës në Shqipëri nuk ka ndjerë ndonjë efekt negativ si p.sh., mungesë likuiditeti apo rritje të borxhit të keq. Përkundrazi, ky sektor është karakterizuar nga një rritje e dukshme në treguesit kryesorë të saj, si ato të shtrirjes ashtu dhe të aktivitetit financiar (mikrokredi dhe depozita). Gjatë 2008, asetet në sektorin e mikrofinancës janë rritur me 23.8 milionë USD, teprica e kredisë me 14 milionë USD, portofoli i depozitave me mbi 2 milionë USD dhe huamarrësit aktivë me 8.265 klientë. Në rritjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të mikrofinancës në vend, kanë dhënë kontributin e tyre të rëndësishëm të pesë institucionet anëtare të Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare.
...