Si alternativë e PS-së po mbetet humbësi Rama
Rama u mbeti në derë socialistëve të ndershëm. Atë e zgjodhën mëkatarët dhe po e paguajnë hallexhinjtë. Ortakëria me krimin ishte themeli i kontratës së tij liberale. Ashtu Siç bunkerizoi Tiranën, Rama po hermetizon PS-në. Premtoi liberalizimin e partisë dhe po i fut asaj frikën nga vetja. Dha fjalën t’i bashkonte dhe i ka bërë të majtët kashtë e kokër. Ky anarkist, që u vetëshpall misionar, rezultoi një karrierist i sëmurë. Ky që s’qënkësh politikan, nuk përfill sot as vlerësimet e Europës. Edhe pse pa program, pretendon të gjitha pushtetet. Mblodhi një Asamble të gjente shkaqet e humbjes dhe organizoi një kongres, ku humbësi u shpall fitimtar. Sloganet e fushatës ia shpalosi “bazës”, pa ia komentuar më parë kryesisë. Më shumë u komentua në kongres kënga e mitingashëve, sesa alternativa për ndonjë fitore të mundshme.
Kur socialistët s’dinë ku po i shpie mushka, sekserët e Ramës gajasen me naivitetin e idealistëve fukarenj. Duke pritur ndonjë “kockë nga qielli”, hallexhinjtë dëgjojnë si do të bojkotohet parlamenti. Rama ankohet se i kanë vjedhur votat, kur dhe socialistët mburren me standartin e zgjedhjeve. Të argasur me gënjeshtrat e “qoftëlargut”, po dyshojnë se Ramën e vret gjetkë këpuca. Dhe, ndërsa presin që ky të mendojë për hallet e tyre, ankesat e tij u thonë: ,,Nuk më lënë këmborët e mia, të dëgjoj zilet tuaja!”. Gati të gjithë socialistët e kanë kuptuar se alternativë e partisë ka mbetur taní vetë humbësi Rama. Dhe e kanë humbur shpresën që ky të mendojë për programe, projekte, apo platforma. Ai i ka të zgjidhura problemet e luftës politike. Program quan shkatërrimin e kundërshtarit. Dhe, kur s’arrin t’u liberalizojë vizat shqiptarëve, të paktën pengon të djathtën ta bëjë një gjë të tillë. Politika e Ramës është ajo e mohimit. Strategji ka shpifjen. Taktikë - bojkotin. Konstruktivitet - “Zoti të ndihmoftë!”. Konsensusin e pëlqen, po t’i pjellë mushka. Si liberal, i detyron konkurentët të largohen vetë nga gara. Si udhëheqës, nuk njeh as statut, as forume partie. Verdikti epror lypset të dalë vetëm prej tij. Kongresmenët i ka si karafilat në xhep. Prandaj, të rikandidonte, nuk pranoi humbjen. Zgjedhjen në krye të partisë e paravendosi vetë. Si perëndimor, shpërfilli verdiktin e elektoratit, gjoja, për t’i mbrojtur këtij votën. Dhe, për t’u dukur transparent, urdhëroi të goditen gazetarët, që nuk dilnin me vrap nga salla e kongresit. Edhe pse e di që zgjedhjet i ka humbur përfundimisht, që ato ishin brenda standarteve dhe që Shqipëria do të çmohet për këtë arritje; edhe pse e ka të qartë që P.S.-në po e merr lumi, Ramës nuk i bëhet vonë. Atij i duhet vetëm vetja. I lypset edhe pushteti, që buron nga ata që blihen me sheshe ndërtimi, me poste dhe prona të paligjshme. Nuk merret Rama me budallenjtë e ndershëm, që kanë mbetur te bishti i urës. Se dhe vetë Ramës i duhet një P.S. e çoroditur, e korruptuar, bashkëfajtore në grabitje, në shpifje e në gënjeshtra. Atij i duhet, pra, një P.S., që t’i ngjajë vetë atij, Ramës. Një P.S. pa paríme, pa norma morale, pa mbajtje fjale; pa idealizma, pa besë e pa fé. Artin e trillimit e mësoi, që kur u mor me pikturë “moderne”. Jo më kot shpiku një filozofi, që nuk e kuptonte as vetë. Taní Rama di më shumë marifete se “ustallarët” e vjetër. Mashtrimeve të tyre u ka shtuar të reja. Nuk thotë më taní t’i jepet mushkës më pak tagji, por “Priji fukarait bukën që të harrojë djathin!”. Humanizmi i tij hipokrit ngjan si dy pika uji me keqardhjen poshtëruese. Konsolidimin e solidaritetit e tenton ta arrijë nëpërmjet adhurimit të kreut të partisë. Skllevërit partiakë, sipas tij, bëhen më të lirë, sa më shumë të mposhtin pretendimet e tyre për një jetë më të mirë. Alternativë për ta ka shkatërrimin e reformave të kundërshtarit. Tolerancën e çmon baraz me frikën. Fisnikërinë e quan paaftësi për të kundërshtuar. Hipokrizinë e lartëson si nevojë për të mashtruar budallenjtë. Partinë e do vetëm, nëse ajo i mbulon mëkatet. Kë s’ia bën “amín!”, e lufton si armik. Demokraci liberale quan respektimin e mafiozëve. Barazinë para ligjit e vlerëson si kërcënim ndaj të fortëve. Të gjitha mëkatet duhet t’i falen atij, që derdh lotë krokodili për fukarenjtë. Busull për drejtuesin duhet të jetë sentenca “Kur themi partia nënkuptojmë Lenini!”. I quan të çmendur ata që mendojnë që drejtuesi të jetë shërbestar. Kurrë nuk duhet të pyesë kryetari forumet për bojkot, mosnjohje zgjedhjesh, kushtëzim marrëdhëniesh me institucionet, kur këto ai i çmon me mandat të cunguar! Nuk mund të jetë opozitë reale ajo që nuk praktikon shpifjen, nihilizmin, bllokimin e reformave, sherrnajën dhe bojkotin! Nuk kthehesh P.S. në pushtet nëse mendon t’i liberalizojë vizat kundërshtari. Kjo është më e rëndë se pranimi i humbjes së zgjedhjeve. Prandaj duhet akuzuar mazhoranca për vjedhje votash, për bashkëpunim me krimin dhe shkatërrim të shansit për arritjen e standarteve. Socialistët nuk duhet të çuditen, kur deputetët e tyre të braktisin parlamentin. Sidomos kur të diskutohet për lirinë e qarkullimit! Po...a do t’i binden deputetët socialistë këtij diktatori, kur populli i ka mandatuar që të “luftojnë” për të në parlament ? Ky është problemi ! Mos ndoshta prandaj po flitet që P.S.-ja është në prag të shpërbërjes ?!...