E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi i PULS për majin, PD 9 pikë diferencë ndaj PS

 

bledar hoti

Sondazhi i kryer nga dy shoqata shqiptare me fonde të Ambasadës britanike dhe USAID, nxjerr fituese Partinë Demokratike me 9 pikë diferencë ndaj Partisë Socialiste. Sondazhi i “Anketa Puls Poll”, është ndërmarrë nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim dhe Instituti për Studime Publike e Ligjore të mbështetur teknikisht nga ‘D3Systems’ me seli në Virxhinia, SHBA me fondet e USAID dhe të ambasadës britanike. Në të theksohet se sondazhi nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e Qeverisë së SHBA, Ambasadës britanike apo Qeverisë britanike. I kryer në datën 20 maj, sondazhi paraqet që “në nivel kombëtar 43% e të anketuarve pohojnë se do të votojnë për PD dhe 34 % për PS”. Nga votuesit potencialë pa dokument identifikimi të përzgjedhur, 97 % e tyre, ku kufiri i gabimit është +/-6%, tregojnë se ata janë duke pritur kartat e reja të identifikimit. Pjesa tjetër prej 3 % janë duke pritur për forma të tjera identifikimi të vlefshme ose jo. Këto përfshijnë pasaportat dhe certifikatat e lindjes. Ndërsa 90% e shqiptarëve në moshë për të votuar, raportojnë se do të votojnë më 28 qershor. Vetëm 8% e shqiptarëve tregojnë se mund të mos votojnë, kryesisht sepse “ata nuk u besojnë partive politike”. Pjesa tjetër prej 2 % nuk e dinë ose refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Sipas rezultatit të 20 majit, 12% e shqiptarëve, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje nuk janë të sigurt për cilën parti do të votojnë. Refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetje 5%. Ndërsa 6% e votuesve potencialë do të votojnë për një nga partitë e tjera. Megjithatë, asnjë nga partitë e tjera më të vogla nuk siguron numër të mjaftueshëm votuesish potencialë, që do të mund të matej nga anketimi. Në 20 maj, 12% e shqiptarëve të cilët duan të votojnë tregojnë se do të votojnë për një parti të ndryshme nga ajo për të cilën kanë votuar në vitin 2005. Ndërsa 13% tregojnë se nuk kanë votuar në vitin 2005. Ndërsa 8% refuzojnë të përgjigjen ose nuk dinë akoma përgjigjen. Sipas sondazhit, 42% e votuesve të mundshëm që ende nuk kanë kartën e përzgjedhur të identifikimit më 20 maj, theksojnë se do të votojnë për PD. Ndërsa 32% e tyre tregojnë se do të votojnë për PS, 13% e votuesve nuk e dinë ende se si do votojnë, 13% e votuesve pohojnë se do të votojnë për një nga partitë e tjera ose refuzojnë të përgjigjen.

rezultatet

    U intervistuan 997 shqiptarëve të moshës mbi 18 vjeç
    Kufiri i gabimit është +/- 3% në nivelin e pritjes prej 95%
    Për nivel kombëtar 43% e të anketuarve pohojnë se do të votojnë për PD dhe 34 % për PS
    6% e votuesve potencialë do të votojnë për një nga partitë e tjera.
    42% e votuesve të mundshëm që ende nuk kane kartën e identitetit më 20 maj, theksojnë se do të votojnë për PD
    Ndërsa 32% e kësaj kategorie tregojnë se do të votojnë për PS, 13% e votuesve nuk e dine ende se si do votojnë.
    90% e shqiptarëve në moshë për të votuar, raportojnë se do të votojnë më 28 qershor
    Vetëm 8% e shqiptarëve tregojnë se mund të mos votojnë,
    2 % nuk e dinë ose refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetje.

PS: Sondazhi u bë nga njerëz pranë Berishës
Partia Socialiste reagoi dje pas publikimit të sondazhit, i cili nxjerr fitues Partinë Demokratike dhe i zhvilluar nga dy OJQ me financimin e USAID dhe Ambasadës britanike në Tiranë. Kandidatja për deputete në Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali u shpreh dje se sondazhi është bërë nga njerëz pranë Kryeministrit Berisha. “Njerëzit duhet ta mësojnë se sondazhi i sotëm është realizuar nga dy OJQ shqiptare drejtpërdrejtë të lidhura me pushtetin e Sali Berishës; njëra OJQ pronë e gruas së zëvendësministrit të Integrimit të Sali Berishës dhe tjetra që ka kryetar bordi Arben Imamin, drejtorin e Kabinetit të Sali Berishës. Për ne, ky sondazh është qesharak dhe arsyeja pse e komentojmë nuk ka të bëjë me rezultatet e nxjerra nga xhepi i Sali Berishës, të cilat mund të kishin qenë edhe më të larta në favor të humbësit të 28 qershorit, por me detyrimin për të denoncuar një farsë amatorësh e ushtarësh të politikës qeveritare, që nuk duhet në asnjë mënyrë t’u shitet njerëzve si një produkt amerikan”, shprehet Spiropali. Kandidatja socialiste për deputete hedh poshtë rezultatet e sondazhit dhe shprehet se shqiptarët dhe Kryeministri Berisha do ta mësojë rezultatin e vërtetë në 28 qershor. “Ne jemi në avantazh dhe pas 21 ditësh këtë do ta shohim me sytë e tij edhe vetë Sali Berisha. Çdo tentativë banale e manipulimit të opinionit publik është e kotë dhe po aq e kotë është edhe çdo tentativë e kryeplakut të politikës së vjetër, me sondazhe e karta, për të ndryshuar fatin e këtyre zgjedhjeve, që do të ndajnë të shkuarën me të ardhmen”, përfundon rezultatin e saj Spiropali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›