E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga dje, 520 mijë pensionistë përfitojnë pensionin me rritje nga 6 - 10 për qind

Bode: Rritja e pensioneve - mblodhëm 2.3 miliardë lekë më shumë se në 2009-n nga sektori i doganave


Në përgjigje të akuzave të deputetëve të opozitës, Ministri i Financave Ridvan Bode ka thënë dje se qeveria ka realizuar rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit në masën 100 për qind. Në lidhje me dyshimet e hedhura nga deputetët e opozitës të cilët pyetën “ku gjenden paratë për rritje pagash dhe pensionesh, Bode tha se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bërë mbylljen e muajit qershor dhe 6-mujorin e parë të këtij viti me realizim e të ardhurave 100 për qind. Bode tha se në muajin qershor të ardhurat në dogana arritën në 104%. “Janë 2.3 miliardë lekë të ardhura të mbledhura më shumë se qershori i vitit 2009”, ka detajuar Ministri. Ai tha se gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2010, të ardhurat nga doganat patën një rritje me 16 për qind krahasuar me një vit më parë. “Një ekonomi që rritet nga viti në vit me të ardhurat, në një sektor si doganat, do thotë që nuk është një ekonomi që meriton lotët e krokodilave politikë, por një ekonomi që manifeston dinamizëm”, u shpreh ministri i Financave, Ridvan Bode gjatë fjalës së tij në Kuvend. Ndërkohë, nga dje, pensioni mujor për 520 mijë pensionistë shqiptarë do të jete më i lartë se deri më tani, duke filluar nga vendimi i fundit i qeverisë, i cili ka hyrë tashmë në fuqi. Vendimi i marrë nga dje qeveria diferencon rritjen e pensioneve në fshat dhe në qytet, por sipas kryeministrit Berisha, mbulon inflacionin, duke siguruar një shtesë reale në pension. Pensionet e ulëta në qytet do të rriten me 6 %, ndërsa pensionet e fshatit do të rriten me 10 %. Kreu i qeverisë theksoi se nga 1 Korriku, pensionet e larta dhe ato suplementare do të rriten me 4 % dhe se nga rritja prej 6 % e pensioneve në qytet do të përfitojnë 200 mijë pensionistë ndërsa nga rritja prej 10 % do të përfitojnë 120 mijë pensionistë. Berisha theksoi se ky është një ndër premtimet e bëra dhe të mbajtura nga qeveria. Sipas kreut të qeverisë rritja progresiste e pensioneve do vazhdojë vit pas viti deri në kapjen e standardit evropian. Nga 2005-a, kohë kjo kur PD-ja erdhi në pushtet, pagat dhe pensionet janë dyfishuar, ndërsa në planet afatgjata të qeverisë parashikohet rritja deri në barazimin e pensioneve të Shqipërisë me ato të vendeve të Bashkimit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›