Rama shet nën dorë licensat e taksive
Gjoja liberalizimi i licencave të taksive nga Bashkia e Tiranës ka për qëllim dhënien jotransparente të tyre në shkëmbim të vlerave monetare dhe listave klienteliste. Ashtu siç nxjerr leje ndërtimi me mbivendosje, Rama shet dy herë të njëjtën licencë taksie që taksisti për një arsye apo për një tjetër nuk e ka shfrytëzuar dhe nuk ka mundësinë që ta kthejë mbrapsht apo ta shesë
Dhënia e licencave të taksive nga Bashkia e Tiranës bëhet në mënyrë abuzive, jotransparente dhe sipas preferencave klienteliste të kreut të institucionit Edvin Rama. Sipas deklaratave që kërkojnë ruajtjen e anonimitetit e që vijnë nga brenda Bashkisë së Tiranës, kemi të bëjmë me një cikël të mirëorganizuar zyrtarësh që implikohen në aferat e Ramës. Ky i fundit ka iniciuar shitjen nën dorë të atyre licencave që për shkaqe të ndryshme kanë mbetur të pashfrytëzuara. Ka me dhjetëra taksistë që kanë paguar vlera të konsiderueshme për marrjen e licencave dhe për shkaka të rrëmujës në qytet, bllokimit të trafikut, gjobave me vend e pa vend të Bashkisë dhe paaftësisë së Ramës për të disiplinuar tregun e taksive në Tiranë, vendosin të mos ushtrojnë profesionin e tyre. Një pjesë e tyre zgjedhin një zanat tjetër dhe një pjesë emigrojnë. Për shkak të gjendjes aktuale dhe pamundësisë ligjore që ky kontingjent të kthejë mbrapsht apo të shesë licencat që nuk i shfrytëzojnë, Bashkia e Tiranës përfiton.
Me pëlqimin e Edi Ramës, licencat në fjalë jepen te njerëz të tjerë që aplikojnë duke ulur pak tavanin e lartë të çmimeve të licencës. Kështu, lihet bosh numri i licencës dhe e njëjta licencë që nuk shfrytëzohet shitet me vlera pak më të ulëta. është njësoj si me mbivendosjen e lejeve të ndërtimit që Rama i ka bërë zanat në Bashkinë e qytetarëve të Tiranës. Vjelja e parave është e konsiderueshme dhe pronarët legjitimë të licencave të taksive që nuk e ushtrojnë të drejtën e tyre për profesionin deri në fund nuk kanë se ku të ankohen dhe nuk mund të reagojnë, sepse sekserët, sejmenët dhe gjithfarë njerëzish që Rama mban përreth nuk mund të ndihmojnë ata që i kanë grabitur vetë.
Kaq paradoksale është gjendja me licensat saqë propaganda për gjoja liberalizim të licencave të taksive nga Bashkia e Tiranës ka pasur për qëllim krijimin e konfuzionit dhe tërheqjen e vëmendjes nga aferat e vërteta që luhen në kurriz të qytetarëve që paguajnë licencat për taksi.
Me hyrjen në fuqi edhe të ligjit të ri për taksimin e makinave të vjetra gjendja rëndohet për taksistët e licencuar që tashmë nuk mund të rinovojnë lehtësisht automjetet e tyre dhe as të kenë të drejtë të shesin licencat e tyre te të tretë.
Një qëndrim të çuditshëm mbajnë edhe sindikatat pasi sado që i shohim të rreshtuara politikisht dhe të gatshme që të shprehen për çdo lloj ngjarje, nuk kanë marrë në mbrojtje as edhe një taksist të vetëm.