E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga greva dalim të vdekur nëse nuk plotësohen kërkesat

 

Kryetari i shoqatës së ish-punëtorëve të Alba-Demil, Belliu, tregon detajet e grevës. Shpresojmë që Qeveria të mos na vrasë 2 herë

Kërkojnë të drejtat e tyre dhe dëmshpërblim për tragjedinë që e shkaktoi vetë qeveria. Madje 8 ish-punëtorët e fabrikës së demontimit Alba-Demil në Gërdec theksojnë se janë të vendosur të vazhdojnë grevën deri në vdekje, nëse nuk u plotësohen kërkesat nga qeveria. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” kryetari i shoqatës së ish-punëtorëve të fabrikës Alba-Demil, Andi Belliu, shpjegoi detajet se përse janë futur në grevë urie dhe kërkesat që kanë ndaj qeverisë, të cilën e fajësojnë si shkaktaren e tragjedisë.

Përse keni vendosur të futeni në greve urie?

Ishte rruga e vetme që na kishte mbetur për të zgjidhur kërkesat tona. Më 29 maj i dërguam një letër kryeministrit Sali Brisha, për të cilën ende nuk kemi marrë përgjigje. Indiferenca e qeverisë për të mos dhënë përgjigje kërkesave tona na detyroi të futemi në grevë urie. Sigurisht që është një vendim i vështirë, por ne jemi të vendosur që do të flijohemi deri sa të na plotësohen kërkesat.

Ju ka vizituar ndonjë zyrtar gjatë grevës?

Në mënyrë absolute askush nuk është interesuar për ne. Për këtë nuk habitemi aspak, pasi qeveria që na shkatërroi jo vetëm ekonomikisht, por edhe psikologjikisht ndosha nuk i intereson që ne të vazhdojmë një jetë normale. Megjithatë po e theksoj se ka ardhur koha që qeveria të tregohet më serioze dhe të marrë në konsideratë kërkesat tona.

Cilat janë kërkesat e ish-punëtorëve të fabrikës së demontimit, Alba-Demil?

Kërkesat tona janë mëse njerëzore dhe shumë emergjente, pasi jemi ne të dëmtuarit e kësaj tragjedie dhe kjo jo për fajin tonë. Kërkesa e parë është që t’u jepet 400 mijë lekë ndihmë financiare për çdo punëtor të fabrikës së “vdekjes” Alba-Demil dhe kjo t’u paguhet për 1 vit. Gjithashtu kërkojmë një vit rrogë me 500 mijë lekë në muaj dhe më pas shteti të sigurojë asistencë për këta punëtorë. Familjarëve të viktimave t’u sigurohet pension. Kërkojmë gjithashtu dëmshpërblim për të gjitha mjetet motorike që janë dëmtuar nga shpërthimi i fabrikës.

Çfarë do të bëni nëse nuk plotësohen kërkesat tuaja?

Në grevë të gjithë futen për të realizuar kërkesat dhe qëllimet për të cilat pretendojnë. Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë grevën deri në vdekje, nëse nuk plotësohen kërkesat tona. Shpresojmë që Qeveria të mos na vrasë dy herë dhe aq më tepër për shkak të papërgjegjshmërisë dhe indiferencës që ka treguar.

Kërkesat

1. Ndihmë financiare 400 mijë lekë për çdo punëtor dhe kjo të paguhet për 1 vit.

2. Rrogë për 1 vit me 500 mijë lekë në muaj dhe më pas shteti të sigurojë asistencë për këta punëtorë.

3. Pension për familjarët e viktimave

4. Dëmshpërblim për mjetet motorike që janë dëmtuar në tragjedi

5. T’u njihen sigurimet shoqërore ish-punëtorëve nga viti 2006 deri në ditën kur ndodhi tragjedia, 15 mars 2008.

Sipas 8 grevistëve ish-punëtorë të Alba Demil policia i ka dhunuar me presione dhe kërcënime

Grevistët e Gërdecit, dhunohen nga policia

Eglantina Bardhi

Në një apartament diku përballë Bashkisë së Vorës ndodhen të “ngujuar” 8 persona. Ngujimi nuk ka ardhur për shkak të ndonjë gjakmarrjeje, por për shkak të lëndimit që kësaj radhe duket që u ka ardhur nga qeveria. Bëhet fjalë për 8 ish-punëtorët e fabrikës së Alba-Demil në Gërdec, shpërthimi i së cilës solli 26 viktima dhe qindra të plagosur. Grevistët pohojnë për gazetën se në ditën e dytë të grevës jo vetëm që nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga qeveria, por janë dhunuar në mënyrë brutale nga policia në ditën e dytë të grevës. “Nuk prisnim këtë “dëmshpërblim” nga qeveria, por ne jemi të vendosur të vazhdojmë grevën”,- thekson Pëllumb Sula, njëri nga grevistët. Ndërkohë ish-punëtorë të tjerë të fabrikës së Alba-Demol mbështesin ish-kolegët e tyre në grevën që kanë nisur dhe theksojnë se do të jenë përkrah tyre deri sa të plotësohen kërkesat.

Grevistët

Presionet dhe kërcënimet e forcave të rendit nuk i kanë penguar ata të vazhdojnë grevën, madje janë treguar më të vendosur se kurrë për të realizuar misionin e tyre. “Sot erdhi policia dhe na nxori me dhunë nga ambientet ku kishim filluar grevën. Preteksti i policisë ishte se administratori i objektit ishte ankuar, gjë që nuk është aspak e vërtetë pasi ai na lejoi vetë të zhvillonim grevën aty”,- thekson Dashamir Kurti, njëri nga grevistët. Sipas tyre ata janë dhunuar dhe kanë pasur presione nga më të rëndat për ta ndërprerë grevën. “Kemi pasur presione nga policia duke na kërcënuar me një fjalor shumë brutal. Por duam të theksojmë se, pavarësisht këtyre presioneve, ne jemi të vendosur për të nxjerrë të drejtat tona”,- thekson grevisti Adriatik Spahiu. Të vendosur në apartamentin e njërit prej grevistëve, ish-punëtorët e fabrikës së Alba-Demol pohojnë të revoltuar se qeveria duhet të marrë masa që kërkesat e tyre të plotësohen pasi përgjegjësia ishte e institucioneve shtetërore që ndodhi tragjedia. Madje ata ndihen të ofenduar për neglizhencën që po vazhdon të tregojë qeveria ndaj punëtorëve dhe banorëve të dëmtuar nga tragjedia. “Ndoshta qeveritarët mendojnë se ne i kemi harruar atë që ndodhi, por plagët e tragjedisë janë ende të hapura dhe nuk do të harrohet kurrë. Të paktën Kryeministri të mendojë që këto dhimbje dhe plagë t’i lehtësojë sadopak dhe të mos tregohen neglizhent ndaj katastrofës që shkaktuan në Gërdec”,- thekson Pëllumb Sula.

Emrat e 8 grevistëve

Adriatik Babaliu

Veli Gjikoni

Hajdar Halili

Dashamir Kurti

Albin Mexha

Adriatik Spahiu

Pëllumb Sula

Andi Belliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›