Nga janari opozita do kërkojë largimin e BerishësNga TemaAsambleja Kombëtare e PS mblidhet sot për të miratuar një rezolutë, që ka të bëjë me krizën ekonomike që ka përfshirë vendin. Rezoluta pritet të ketë në thelbin e saj sërish kërkesën e opozitës
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Nga janari opozita do kërkojë largimin e BerishësNga TemaAsambleja Kombëtare e PS mblidhet sot për të miratuar një rezolutë, që ka të bëjë me krizën ekonomike që ka përfshirë vendin. Rezoluta pritet të ketë në thelbin e saj sërish kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Por kërkesa për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit do të mbështetet në këtë mënyrë edhe nga elementë të tjerë, siç është kriza ekonomike.
Në mbledhjen e sotme të Asamblesë pritet të miratohet ngritja e një Komisioni të veçantë për Çështjet Ekonomike, anëtarë të së cilit janë zgjedhur ndër të tjerë deputetët Ermelinda Meksi e Ilir Beqja. Komisioni pranë Asamblesë Kombëtare do të marrë në shqyrtim krizën ekonomike me të gjithë elementët e saj. Akuzat e opozitës ndaj qeverisë Berisha pritet të jenë thelbi i punës së këtij komisioni. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, papunësia, varfëria janë çështjet, me të cilat do të nisë punën Komisioni për Çështjet Ekonomike pranë Asamblesë Kombëtare të PS.
Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare pritet të diskutohet për krizën politike, e cila vjen për shkak të bojkotit parlamentar të opozitës. Por nuk pritet të ketë asnjë lëshim sa i përket qëndrimit të opozitës për të vazhduar bojkotin parlamentar. Socialistët vazhdojnë të jenë të vendosur për të vazhduar bojkotin parlamentar deri në plotësimin e kërkesave të tyre, hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Opozita pretendon se janë manipuluar votat e saj nga mazhoranca demokrate. Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare pritet të diskutohet edhe për axhendën politike të opozitës, e cila duket se në plan të parë do të ketë protestat në të gjithë vendin, si dhe diskutimin për përshkallëzim të qëndrimit politik të opozitës, deri në kërkesën më të fortë për largim të qeverisë Berisha nga pushteti, dhe jo thjesht kërkesën për hapjen e kutive të votimit.
Më 21 dhjetor mbyllet faza e dytë e protestave. Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare pritet të merret vendim për rinisje të protestave në janar, me një shtrirje në të gjithë vendin. Në këto protesta pritet të intensifikohet presioni i opozitës ndaj qeverisë. Në rast të dështimit të një marrëveshjeje për hapjen e kutive të votimit, kërkesa për rrëzimin e qeverisë Berisha do të jetë kryefjala e protestave të opozitës.