E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët, pa shpërblim dhe pa rroga për fundvitinNga Tema Pothuajse çdo vit të mandatit të parë, jemi mësuar të shohim kryeministrin e vendit, Sali Berisha, që shpall me të madhe në mbledhje qeverie se për fundvit buxhetorët dhe pensionis

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shqiptarët, pa shpërblim dhe pa rroga për fundvitinNga Tema
Pothuajse çdo vit të mandatit të parë, jemi mësuar të shohim kryeministrin e vendit, Sali Berisha, që shpall me të madhe në mbledhje qeverie se për fundvit buxhetorët dhe pensionistët do të marrin shpërblim. Kësaj panorame i shtohet fytyra e zymtë e ministrit të Financave, Ridvan Bode, sa herë kryeministri lëshon lajmin.
Kësaj here do jetë ndryshe. Duket se nuk do ketë mbledhje qeverie, as mbledhje grupi parlamentar, dhe për më keq akoma, as ‘kartolinë’ për vit të ri për këto shtresa.
Një njoftim i thatë në faqen e Kryeministrisë bën me dije se Berisha po përpiqet shumë që të ketë një shpërblim, por ende nuk e di sa e mundur është një gjë e tillë. Në njoftim thuhet se Berisha ka takuar ministrin e Financave dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe është treguar “i prerë” se duhet të ketë një shpërblim, të paktën modest.
“Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore e njohën kryeministrin Berisha me vështirësitë e diktuara nga kriza për realizimin e shpërblimit të këtij viti, por, nga ana tjetër, u mor përsipër të shqyrtohen të gjitha mundësitë për realizimin e porosisë së kryeministrit”, - thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Por drama për arkën e shtetit është më e rëndë se kaq. Një urdhër i fundit i Ministrisë së Financave bllokon fondin e veçantë nga ku merren shpërblimet, por dhe dhënien e pagave për muajin dhjetor.
Në këtë mënyrë duket se shqiptarët do të festojnë një vit të ri më të varfër.

Kriza si pretekst

Në Kuvendin e nëntë të Partisë Demokratike, kryeministri, Sali Berisha, shpalli se kriza nuk e preku Shqipërinë. Por, që pas mbarimit të zgjedhjeve, arka e shtetit është bosh. Kjo është denoncuar shpesh nga opozita, por qeveria ka deklaruar se gjithçka është në rregull. Ndërprerja e prokurimeve dhe tenderimeve ishte një akt që tregonte gjendjen e rëndë. Më pas ishin ndërtuesit që dëshmuan se edhe në fushatë kishin punuar pa u paguar dhe tashmë po shkonin drejt falimentimit, për shkak se qeveria nuk i paguan.
Tashmë ata që duhet të vuajnë, janë qytetarët e thjeshtë, që si gjithmonë në këtë periudhë përballen me çmime të rritura. Gjithçka duket ironike, për shkak se pak ditë më parë mazhoranca në pushtet organizoi një miting që u kushtoi xhepave të shqiptarëve më shumë se 4 milionë dollarë. Qindra-mijëra euro u derdhën për reklamën e pazakontë, për transportin, për spotet televizive, fishekzjarrët etj.
Disa herë rritja ekonomike në vend ishte subjekt debati mes vetë kryeministrit dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode. Ky i fundit pretendonte për nivele më të ulëta rritjeje, por Berisha deklaronte të kundërtën. Edhe pse ekspertët më në zë të ekonomisë botërore nuk e shohin rritjen ekonomike si tregues të zhvillimit të qëndrueshëm, Berisha e sheh këtë si arritje.
Ndërsa për buxhetorët të paktën flitet për shpërblime, për shumicën e shqiptarëve që punojnë në sektorin privat ose janë pa punë, shumë pak flitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›