Çmimi “Nobel” për Paqen, Berisha e Topi urojnë Obamën
Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha uruan dje Presidentin e SHBA-së, Barack Obama, për marrjen e çmimit “Nobel” për Paqe për vitin 2009. Sipas tyre, ky është një çmim i merituar. Në këtë mesazh, Berisha shkruan: “Përzgjedhja juaj si fitues i çmimit “Nobel” për Paqe për vitin 2009 është një ngjarje e madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjithë qytetarët e kombit tuaj të madh, të cilët kanë të drejtë të krenohen me Presidentin e 44-t të tyre dhe me përpjekjet e tij në shërbim të paqes, sigurisë e bashkëpunimit anembanë globit. Por, kjo përzgjedhje është gjithashtu një ngjarje e shënuar për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, si edhe për të gjithë miqtë e dashamirësit Tuaj dhe të kombit të madh amerikan anembanë botës, të cilët kanë gjetur tek Ju mikun e tyre më të madh e më të shquar dhe te SHBA-të aleatin më të madh e strategjik në përpjekjet e përbashkëta për forcimin e lirisë dhe promovimin e paqes e sigurisë globale”. Berisha shton më tej: “Ndihem shumë i lumtur t’Ju uroj sot për këtë çmim të merituar si edhe për sukses në misionin dhe përpjekjet tuaja të mëtejshme për një botë ku sundon paqja dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve e kombeve”.