Vokshi në PPE: Ne e bëjmë të mundur hyrjen në BE
Në Bukuresht të Rumanisë filloi dje punimet Kongresi i Grave të Partive Popullore Evropiane (WEPP), në të cilin marrin pjesë rreth 100 përfaqësuese të Partive Popullore të 26 vendeve anëtare. Delegacioni shqiptar kryesohet nga znj. Albana Vokshi, kryetare në detyrë e Lidhjes Demokratike të Gruas të Shqipërisë dhe deputete e PD-së. Znj. Pack, presidente e rizgjedhur dje e WEPP, bëri thirrje që të rritej numri i grave komisionere në KE si dhe që Parlamenti Evropian të përmirësojë politikat në lidhje me barazinë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave. Kurse, znj. Vokshi përmendi disa prej nismave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare në vitet e fundit që kanë përmirësuar në mënyrë direkte apo indirekte mirëqenien e familjeve e si rrjedhim të grave si dhe rritjen e rolit të gruas edhe në vendimmarrje. Znj. Vokshi falënderoi veçanërisht znj. Pack, por edhe të gjithë mbështetësit e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe në procesin e integrimit evropian në përgjithësi, duke nënvizuar që të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës për këtë mbështetje. "Shpresa e të gjithë shqiptarëve është që kjo mbështetje të vazhdojë e të zgjerohet edhe më tej, duke bërë të mundur që ëndrra e tyre evropiane të bëhet realitet sa më shpejt”, - deklaroi Vokshi.