E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga kriza financiare, edhe Mitsubishi braktis "rally"-n

Konstrutori automobilistik japonez, Mitsubishi Motors, lajmëron tërheqjen totale nga "rally", përfshirë këtu edhe nga Dakar, për shkak të krizës ekonomike (bilanci i 2008/2009 do të duhet të mbyllet me një humbje neto ekuivalente me 500 milionë euro). "Rënia ekonomike botërore na detyron të evitojmë shpenzimet e ekzagjeruara", shpjegon grupi. Mitsubishi ka marrë pjesë 27 herë në Dakar, duke fituar 12 edicione, nga të cilat 7 radhazi. Me braktisjen nga ana e Mitsubishit, bota e "rally"-t humbet skuadrën e tretë japoneze. Në mesin e dhjetorit të kaluar u tërhoq "Fuji Heavy Industries", prodhuesi i Subaru, gjithnjë për shkak të krizës ndërkombëtare të makinave. Kështu u largua një markë e rëndësishme, tri herë fituese e titullit të konstrutorëve dhe po aq të pilotëve në 19 vite. Pak ditë më parë, ishte pikërisht kriza ekonomike që e kishte detyruar Suzukin të merrte të njëjtin vendim, pas vetëm një viti pjesëmarrje në gara. Humbjet e mëdha në tregun e makinave kanë goditur edhe sektorin e garave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›