Çelsi dhe Barça, ekipet më të kushtueshme në botë
Një kompani gjermane studimesh ka nxjerrë përfundimin se Çelsi dhe Barcelona janë skuadrat që kushtojnë më shumë në futbollin botëror. Sa do të kushtonte të blije të gjithë lojtarët në "Stemford Brixh" apo në "Kamp Nou"? Përgjigjja jepet nga "Transfermarkt", e cila është e specializuar në studimin e transfertave të futbollistëve. Përfundimi ka dalë duke analizuar koston e secilit lojtar me vlerën aktuale të merkatos dhe duke mos llogaritur klauzolat për prishjen e kontratave apo faktorë të tjerë. Në krye të listës qëndron Çelsi i Roman Abramoviç: vlera e bluve londinezë shkon në 410,2 milionë euro, falë prezencës së Didier Drogbasë, Mikael Esien, Frenk Lampard dhe Xhon Territ. Pavarësisht se ka në kontingjent yje si Lionel Mesi, Samuel Eto‘o, Ksavi, Andres Iniesta, Dani Alvesh e Tierri Henri, Barcelona renditet vetëm e dyta, në kuotën 408,5 milionë euro. Klubet angleze dhe spanjolle dominojnë, ku Mançester Junajted dhe Real Madrid ndiqen nga Milani (330 milionë euro), ndërsa pas tyre vjen Interi (316 milionë euro).