E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga kriza te strategjia për “superfuqi energjitike”

Nuk ka periudhë tjetër të vitit për ne shqiptarë, përveç dimrit kur mund të na shkojë mendja tek energjia elektrike. Por duke filluar nga 2006-a e në vazhdim, ne në mënyrë graduale  kemi filluar të çlirohemi nga ky lloj ankthi që kishte krijuar mungesa e energjisë për 8-9 vite radhë gjatë periudhës së qeverisjes majtiste. Madje këtë dimër, megjithëse më i ftohti dhe me shifrat më të larta të konsumit, qytetarëve tanë s’u është tallonizuar asnjë ditë të vetme energjia elektrike. Përveç rasteve kur mungesën e rrymës elektrike e kanë shkaktuar difektet apo remontet teknike, s’ka patur asnjë lloj ndërprerjeje tjetër për arsye të pamjaftueshmërisë sasiore të këtij produkti, megjithëse nuk kemi asnjë shtim të burimeve të reja energjitike apo kapaciteve transmetuese nga paraardhëset e qeverisë “Berisha”. Nëse do të perfirazojmë disa vargje të poetit të njohur Fatos Arapi për të portretizuar tablonë e skëterrës tonë energjitike, mund të themi se për shumë vite, “nga kriza vinim, drejtë krizës më të madhe shkonim”.
Në tremujorin e tretë të vitit 2005, kur social-komunistët dorëzuan pushtetin, kriza energjitike kishte arritur kulmin. Të gjitha liqenet e hidrocentraleve në veri të vendit ishin tharë qysh në qershor të atij viti. Sikundër pohonte me naivitet ish-Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Fatmir Hoxha, shkaku i këtij kolapsi energjitik ishte “furnizimi 24 orë pa ndërprerje i konsumatorëve shqiptarë para dhe gjatë fushatës elektorale në kurriz të ruajtjes dhe shtimit të mëtejshëm të rezervës energjitike për periudhën e dimrit”. Sipas specialistëve kompetent të këtij sektori, situata paraqitej mjaft dramatike, dhe deri diku e parikuperueshme. Një tjetër ish-drejtues i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare në periudhën e qeverisjes majtiste, Dritan Prifti konstatonte se, “zgjidhjes së problemit nuk mund t’i kontribuonte siç duhet as importi i energjisë, pasi një gjë e tillë duhej të kishte ndodhur qysh para dy muajësh”, në kohën kur Nano dhe administrata e tij kishin filluar ta shkrinin gjithë pasurinë tonë kombtare për interesat e tyre elektorale. Nga ana tjetër, rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, duket se do t’i shtonte edhe më shumë pasojat negative që mund të krijonte në vazhdimësi kriza energjitike për qytetarët dhe biznesin shqiptar. Thatësira e vjeshtës së atij viti ishte një faktor apo më mirë të themi një fatkeqësi më shumë për të shuar dhe shpresën e fundit në përmirësimin e situatës së trashëguar në këtë drejtim, madje jo për atë dimër por edhe për stinë e vite të tjera në vazhdim. Ndryshimi i qeverisjes sapo kishte ndodhur, ndaj edhe sikur ajo me magji t’i ndryshonte gjërat, përsëri duhet një kohë e caktuar fizike që kriza energjitike e tetë viteve rresht të zgjidhej në kushtet e mundësive ekzistuese të prodhimit dhe importimit të energjisë elektrike.
Siç dihet kriza energjitike në Shqipëria filloi aty nga fundi i vitit ’97, me ardhjen në pushtet të social-komunistëve, sikundër ndodhi çdo e keqe tjetër nën qeverisjen e tyre të asaj periudhe. Shkaku kryesor i një situate të tillë, përveç mungesës totale të investimeve për të shtuar burimeve e reja të prodhimit dhe linjat e interkonjeksionit për importin e energjisë, ishte keqmenaxhimi dhe korrupsioni në shfrytëzimin e burimeve ekzituese të prodhimit dhe importimit. Statistikat tregonin se 30-40% e energjisë së transmetuar gjatë gjithë asaj periudhe   vidhej e shpërdorohej. Në vitet e para të qeverisjes majtiste këto akte, përveç të tjerash frymëzoheshin edhe nga mungesa e përgjithëshme e rregullit dhe ligjit në jetën politiko-shoqërore të vendit tonë, apo instalimit dora-dorës të praktikave korruptive në qeverisjen e të gjitha niveleve. Gjithashtu një pjesë e tyre kishin dhe bekimin e shtetit klanor për kontributin elektoral të zonave jugore të vendit në “revolucionin” Qoseist të ’97-ës. Por kjo “parajsë” e disave, për disa të tjerë ishte “ferr”. Ekspertë të ndryshëm të ekonomisë dhe energjitikës llogaritnin se si rezultat i kyçje-çkyçjeve të energjisë në kushtet e krizës së asaj kohe ekonomia shqiptare humbiste çdo vit mbi 350 milionë dollarë, pa llogaritur këtu 40-50 milionë dollarët e humur të biznesit nga përdorimi alternativ i gjeneratorëve. Shumëzojini këto shifra për 8, për të nxjerrë në këtë mënyrë humbjen e pësuar gjatë gjithë periudhës së qeverisjes majtiste. “Taka e korrupsionit energjitik” ishte diça tjetër. Mjafton të kujtojmë se për remontime të ndryshme, rikonstruksionin e rrjetit shpërndarës të energjisë dhe ndërtime të tjera të karakterit transmetues u investuan më shumë se  gjysëm miliardi dollarë, sa për ndërtimin e dy HEC-eve të mëdhenjë, ndërkohë që humbjet teknike dhe vjedhjet në KESH thelloheshin vit pas viti. Nga ana tjetër, investimet për shtimin e burimeve të reja energjitike munguan totalisht. Madje nuk u arrit që të investohej asnjë lekë, as në ndërtimin e HEC-it të Kalivaçit, një projekt i lënë gati nga qeveria “Meksi” dhe i përfshirë në axhendën e investimeve energjitike qysh në 24 maj të vitit ’97, nga “Qeveria e Stabilitetit” të kryesuar nga Bashkim Fino. Rritja e vazhdueshme e çmimit të konsumit deri në vitin 2010 ishte përcaktuar si reformë çudibërëse në strategjinë majtiste të zgjidhjes së krisës energjitike, duke imituar kështu modelin e dështuar të rritjes së taksave për biznesin, si një mundësi e rritjes së të ardhurave buxhetore(!?) Nga ana tjetër, në një botim të asaj kohe, Agjencia Ndërkombëtare e Inteligjencës me qendër në SHBA (CIA) e konsideronte mungesën e energjisë elektrike në Shqipëri si një ndër shkaktarët kryesorë për aneminë e biznesit dhe mungesën e interesit të investitorëve të huaj.
Në këto kushte para qeverisë “Berisha” dilnin dy detyra të rëndësishme për t’u përmbushur; ku njera lidhej me veprimtarinë e 100 ditëve të para për të filluar dalëngadalë zgjidhjen e emergjencës, kurse tjetra me investimet e mëtjeshme për eleminimin e krizës dhe garantimin e sasisë së nevojshme të energjisë për konsum familjar dhe zhvillimin normal të biznesit. Natyrisht që realizimi i tyre nuk mund të ishte kaq i lehtë, për shkak edhe të specifikave të investimeve në këtë sektor. Ajo çka mund të bëhej më shpejt se çdo gjë tjetër lidhej me menaxhimin efektiv të burimeve ekzistuese dhe luftën ndaj praktikave korruptive që ishin  trashëguar në këtë sektor. Nuk u desh më shumë se një vit punë që të kthehej normaliteti në furnizimin me energji elektrike kudo. Dhe dihet që, për një vit nuk mund të ndërtohet asnjë lloj vepre energjitike, sado me rendimet e përkushtim të punohet. Por një periudhë e tillë është më se e mjaftueshme të ndryshosh menaxhimin dhe të rrisësh efektivitetin e shpërndajes së prodhimit ekzistues të energjisë elektrike apo kuotave të importit për këtë product, nëse e konsideron vehten “qeveri e shërbimit dhe shërbesave” për qytetarët dhe biznesin. Dhe kjo ndodhi me qeverinë e demokratëve. Plotë një vit pas konstituimit të kabinetit “Berisha”; pra në shtator të vitit 2006, gjithëçka problematike e trashëguar në këtë sektor kishte ndryshuar pozitivisht dhe “kufizimet teknike” të energjisëe elektrike filluan të eleminoheshin gradualisht. Kësisoj gjatë viteve 2007 dhe 2008 nuk ka patur më kufizime të energjisë elektrike, si për popullatën ashtu dhe për biznesin, thjesht duke arritur për t’i shndërruar në “sasi prodhimi” vlerën e humbjeve teknike nga “kyçje-çkyçjet”, vjedhjeve banditeske apo korrupsionit të blerjeve nga importi. Natyrisht sot nuk duhen shumë argumenta për t’i besuar këto arritje, mjafton të kujtojmë se me burimet ekzistuese të disa viteve më parë është arritur që, si rezultat i mirëmenaxhimit të mos krijohet asnjë deficit në furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve këto 2-3 vitet e fundit. Përballë një fakti të tillë rrëzohen të gjithë akuzat e hamendësimet për korrupsion në sektorin e KESH-it edhe të drejtuesve e qeveritarëve aktualë. Kjo s’do të thotë se nuk ka fare korrupsion apo s’ka më vend për reforma në këtë sektor, por mirëmenaxhimi i burimeve ekzistuese ka një kufi maksimal, që në disa raste mund të favorizohet edhe nga lagështia klimaterike, në kushtet kur gati 95% e vepra tona energjitike janë hidrocentrale. Nga disa përllogaritje të kohëve të fundit, rezulton se rezervat në drejtim të mirëmenaxhimit të burimeve ekzistuese janë duke shterur plotësisht, ndaj rruga e vetme për shtimin e prodhimit dhe rritjen e standarteve të furnizimit në këtë drejtim mbetet rritja e investimeve për krjimin e burimeve të reja dhe shtimin e linjave të interkonjeksionit për importimin e energjisë elektrike.
Qeveria “Berisha” do të mbahet mend, përveç shumë arritjeve të tjera historike, edhe për hartimin dhe zbatimin e një strategjie  konkrete për shtimin e burimeve të reja energjitike apo linjave të interkonjeksionit. Ajo çka vlen të theksohet në këtë drejtim lidhet me faktin se strategjia e zhvillimit energjitik të Shqipërisë është hartuar jo vetëm për t’i paraprirë zgjidhjes përfundimtare të krizës energjitike, por edhe kërkesave të Bashkimit Europian, potencialeve tona energjitike dhe konkurencës që pritet të krijohet në tregun rojonal të energjisë. Natyrisht të gjithë këta faktorë janë të ndërthurur me njeri-tjetrin, dhe nuk mund të merren të paharmonizuar kur shtrohet çështja e përcaktimit të reformave dhe objekteve të investimit në energjitikë. Ambicja dhe pretendimi në këtë drejtim kanë ardhur duke u shtuar, nga një periudhë në tjetrën, duke realizuar dhe tejkaluar objektivat afatshkurtëra që janë vendosur në vazhdimësi. Fillimisht u synua zbatimi i projekteve energjitike të trashëguara nga periudhat e mëprashme, sikundër në rastin konkret mund të përmendim ndërtimin e HEC-it të Kalivaçit, TEC-it të Vlorës dhe ndonjë objekti tjetër në këtë drejtim. Po kështu u fillua të investohej në shtimin e kapacitet transmetues të linjave të interkonjeksionit me vendet fqinje, kryesisht me Malin e Zi, Italinë, etj. Serioziteti qeverisës dhe përmirësimi i klimës së biznesit në Shqipëri bëri të mundur që të rritet interesi i investitorëve të huaj potencial në fushën e energjitikës. Interesi ka qënë nga të katër anët e botës, duke filluar nga investitorët amerikanë e duke përfunduar tek ata japonezë për të ndërtuar TEC-e, HEC-e dhe “Mullinjë ere” në të gjithë Shqipërinë. Vetëm gjatë muajëve të fundit të vitit të kaluar u nënshkruan kontrata në vlerën e 3 miliardë eurove për investime në energjitikë (tre HEC-et mbi lumin Devoll dhe 2,2 miliardë euro investime italiane të premtuara nga krymenistri italian Silvio Berluskoni). Natyrisht këtu nuk përfshihen akt-marrëveshjet e maparshme për TEC-in e Semanit, atë të Port Romanos, HEC-in e Skavicës, një sërë HEC-esh e TEC-esh të tjera me kapacitet më të vogël, shumica e të cilëve përfundojnë së ndërtuari brenda 4 vjeçarit të ardhshëm, i cili nuk ka asnjë arsye llogjike të mos fitohet përsëri prej demokratëve, qoftë edhe për zgjidhjen në një kohë të shkurtër që i bëri krizës energjitike në vend dhe perspektivave që i krijoi këtij sektori me investimet e ndërmarra deri tani. Natyrisht këtu nuk është përfshirë projekti i ndërtimi të një centrali nuklear, i cili gjithashtu mund të konretziohet brenda mandatit të dytë të demokratëve. Në total këto investime i kalojnë të 10 miliradë euro. Dhe një portofol i tillë investimesh në energjitike del përtej synimit për të zgjidhur përfundimisht krizën energjitike apo për të garantuar furnizimin me energji të bollshme të konsumatorëve shqiptarë, qoftë dhe për 30 vitet e ardhshme. Fryti i këtyre investimeve është për t’u konsumuar edhe nga të tjerët, kundrejt përfitimeve ekonomiko-financiare që ne do të kemi nga eksporti i energjisë elektrike.  Kryerja e këtyre investimeve, padiskutim e shndërron Shqipërinë në një “superfuqi energjitike” për krejt rajonin, sikundër ka thënë disa herë kryeministri Berisha në daljet e tij publike me rastin e nënshkrimit të kontrateve për investime të ndryshme në këtë sektor.
Sigurisht që edhe kjo nuk është një sfidë e lehtë për t’u përballuar, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit tonë janë në një garë të ethshme për të krijuar asetet e veta kombëtare të energjisë. Bullgaria, Rumania dhe Kroacia po përpiqen që të ndërtojnë centralet e veta bërthamore. Ndërsa Greqia, Maqedonia dhe Serbia shpresojnë të përdorin gazin rus për termocentralet e tyre të reja. Ndërkohë Kosova shpreson të tërheqë investime të huaja për të ndërtuar një termocentral vigan qymyri. Po kështu Maqedonia dhe Kroacia synojnë të ndërtojnë linja të reja përçimi me qëllim të zvogëlimit të varësisë së tyre nga Serbia, e cila ka momentalisht monopolin e linjave të interkonjeksionit. Natyrisht gjithsekush ka të drejtën legjitime për të investuar por në çdo rast duhet parë efektiviteti i investimit të kryer. Këto llogari bëhen jo vetëm nga vendet por edhe nga investitorët e interesuar për të cilët, “tregjet kombëtare të Ballkanit janë shumë të vogla për t'i joshur ata”. Në këto kushte, të fituar janë jo vetëm ata që hartojnë politika bashkëpunimi por dhe ata që shpejtojnë për të thithur investime dhe investitorë potencialë. Qeveritarët aktualë të vendit tonë duket se janë orjentuar drejt në këtë situatë jo vetëm në përcaktimin e investimeve për burimeve të reja energjitike por edhe për shtimin e kapacitetit të linjave të interkonjeksionit. Kësisoj struktura e investimeve energjitike në vendin tonë i përmbledh të gjitha opsionet, por mbi çdo gjë ajo mban parasysh shfrytëzimin e potencialeve tona energjitike sikundër është energjia e erës dhe e HEC-eve, ndërkohë që TEC-et energjitikë dhe atë atomik i liston në kuadër të pozicionit strategjik që vendi ynë ka si eksportues energjie në rajon, gjithnjë duke i konsultuar dhe i besuar këto projekte tek investitorë potencialë të shteteve të fuqishme. Nga ana tjetër, kablli i transmetimit nënujor me Italinë e bënë vendin tonë të pavarur nga monopoli i Beogradit për interkonjeksionin, i cili sidoqoftë ka kapriçot e veta jo vetëm tekniko-ekonomike, por edhe politiko-ballkanike. Por momenti kur Shqipëria e ka fituar këtë garë në rajon qëndron tek shpejtimi në kohë dhe rendimenti i negocimit të ofertave të paraqitura, natyrisht pas përmirësimit urgjent të klimës së biznesit dhe dhënies së provave për grumbullimin dhe përdorimin efektiv të parasë publike në përgjithësi. Me projektet e kontraktuara deri tani parashikohet të prodhohen tek afro 20 miliardë kilovatorë energji elektike, ndërkohë që momentalisht na mjafton vetëm një e treta e këtij prodhimi për konsum të brendshëm. Mbase për një dhjetëvjeçarë mund të na nevojitet ndoshta dhe gjysma e kësaj sasie, por gjithësesi na tepëron gjysma tjetër. Natyrisht në katër vitet e ardhshme, krahas realizimit të këtyre projekeve, do të kontratohen e realizohen edhe projekte të tjera, të cilat kanë për të na mbajtur gjatë në krye të rajonit tonë si vendi më potentë për prodhimin dhe eksportin e energjisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›