E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha nesër në Bruksel për raport progresin

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha nuk jep një datë por shpreson në një vendim të shpejtë nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave. Opozita është skeptike:Qeveria nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara nga Brukseli. 

TIRANE-  Ministri i Jashtëm Lulzim Basha do të udhëtojë drejt Brukselit ku nesër pritet të paraqesë raportin e progresit të Shqipërisë në marrëdhëniet me BE, për të mundësuar heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Raporti është hapi i dytë që qeveria shqiptare hedh në kuadrin e përmbushjes se detyrimeve që rrjedhin nga bashkëpunimi me BE-në për heqjen e vizave. Në muajin shtator të vitit të kaluar, Shqipëria së bashku me disa vende të tjera të Europës Juglindore paraqitën raportet e tyre.

Ministri i Jashtëm shqiptar Lulëzim Basha, në një prononcim për BBC-në tha se raporti që do të dorëzohet paraqet në mënyrë përgjithësuese tablonë më të plotë mbi të gjithë çështjet që Brukseli po merr në shqyrtim dhe do t’ia paraqes Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili më tej pritet të përcaktojë rrjedhën e procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptare.

Sipas Bashës Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vëna nga BE, ndërsa shprehu besimin e plotë se “ky vit do të jetë vendimtar për këtë hap historik”.

Për partitë opozitare qeveria shqiptare nuk i ka plotësuar kushtet. Ish- ministrja e Jashtme e qeverive socialiste, në një prononcim për BBC-në radhiti çështjen e kartave të identitetit, menaxhimit të kufijve, moszbatimit siç duhet të marrëveshjes së ripranimit dhe luftës kundër krimit.

Lehtësimi dhe më pas heqja e vizave për qytetarët shqiptarë që duan të lëvizin në hapsirën e vendeve europiane, ka qenë një nga premtimet e qeverisë së djathtë të kryeministrit Berisha gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, por tashmë kur mandati i kësaj maxhorance po mbaron, ish- ministrja e jashtme socialiste Arta Dade pyet “nëse ka qeveria një datë konkrete”.

Shefi i diplomacisë shqiptare, Basha, ndonëse nuk jep datë, shpreson në një vendim të shpejtë nga Bashkimi Europian. Ai i bëri thirrje opozitës që “përtej retorikës elektorale të njohë progresin e vendit”, ndërsa tha se “ procesi ka ecur me një shpejtësi të papërfytyruar para dy-tre vjetësh nga shqiptarët”.

(s.g/BBC/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›