E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korce, arrestohet vrasësi. Qëlloi mbi RENEA-n

Arrestohet pas më shumë se 12 orësh negociata autori i vrasjes së ndodhur dje në fshatin Podgorie të qytetit të Korcës. 53 vjecari ishte fshehur në pyll dhe shkëmbeu zjarr me efektivat blu. Në operacion morën pjesë edhe RENEA. 

KORCE- Reshit Adri, 53 vjecari i cili ekzekutoi dje me automatik kallashnikov bashkëfshatarin e tij ndërsa plagosi një grua është arrestuar sot në mëngjes në një operacion të mirëorganizuar të forcave të policisë.

Pas vrasjes në mes të fshatit, 53 vjecari ishte fshehur në një pyll fshatit Podgorie të Korcës. Menjehërë forcat e policisë së Korcës kanë shkuar në vendngjarje dhe me ndihmën e forcave të policisë së Pogradecit, Devollit kanë rrethuar pyllin. Sipas të dhënave të para negociatat me të shumëkërkuarin kanë vazhduar gjatë gjithë natës pasi ai kishte marrë me vete edhe armatim për t’u mbrojtur nga policia. 
Madje ai ka qëlluar disa herë në drejtim të policisë duke rrezikuar jetën e efektivave blu. Të ndodhur në këtë situatë forcat e komisariatit të Korcës kanë kërkuar ndihmën e specializuar të forcave RENEA nga Tirana. Në orët e para të mëngjesit pas ndërhyrjes së RENEA është arritur t’i vihen prangat Reshit Adrit.

Në momentin e arrestimit Reshit Adirt iu sekuestrua një granatë dore, një automatik kallashnikov me të cilën një ditë më parë kreu vrasjen në fshatin Podgorie, si dhe një cantë me fishekë.

Policia konfirmoi se 53 vjecari vuante nga një depresion i thellë mendor pas vetëvrasjes së djalit të tij, pak ditë më parë. Dje pasdite, rreth orës 17;00 i rënë në depresion dhe në gjendje të dehur Reshit Adri mori kallashnikovin dhe doli në mes të fshatit duke qëlluar kuturu dhe duke shkaktuar terror në fshat. Plumbat ekzekutuan bashkëfshatarin e tij të pafajshëm, njëkohësisht i afërm i tij Lulzim Laze, 41 vjec si dhe plagosën rëndë një grua.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›