E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra/Kosova ka nevojë edhe për më shumë ….

Se politika është art i së mundshmës dhe mbi të gjitha aktivitet i vetëdijshëm, synim parësor i së cilës duhet të jetë zgjidhja e konflikteve dhe rregullimi i pozitës së njeriut në shoqëri, tanimë sikur është jashtë çdo dyshimi të vertetësisë shkencore. Ishte Makiaveli (1469-1527) ai i cili për herë të parë zbuloi rolin dhe fytyrën e vertetë të politikës. Ai në hulumtimet e tij teorike dhe praktike formësoi diplomacinë si arsye shtetërore, e cila duke ecur tutje në historinë e saj si koncept i filozofisë klasike, është arritur në ditët tona si mençuri e mprehtë dhe art i hollë i sjelljes së popujve dhe  shteteve ndërmjet veti.
Në fjalorin: latinisht - shqip, të Henrik Lacajt dhe Filip Fishtës, fjala art (ars) në shqip shpjegohet me fjalët mjeshtëri, muzë, dredhi, dinakëri e dhelpëri. Tre nocionet e fundit gjithsesi duhen marrë dhe trajtuar në kuptimin më pozitiv të mundshëm dhe te arsyeshmërise së lartë. Në të kundërten, mbase edhe si justifikim në emër të qëllimit më të arsyeshëm do të ngaterroheshin e jo edhe pa qëllim do të shfrytëzoheshin mjete të cilat ligjërisht dhe politikisht do të ishin të palejueshme. Për fat të keq, me një praktikë të tillë  takohemi jo rrallë. Besoj se ende e kemi të freskët atë që ngjau më 10 shkurt 2007, kur në qendër të Prishtinës në emër të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike u vranë dy te rinj (Mon Balaj dhe Arben Xheladini) të cilët po protestonin paqësisht për Republikën e Kosovës.
Do të doja, shumë do të dëshiroja që Moni dhe Xheladini të jenë të rënët  e fundit të  Kosovës për shtetin dhe republikën e saj. Ashtu qoftë!
17 shkurti i 2008-s, në historinë tonë shënoi një fillim të ri. Që atë ditë sikur u mbyll një epokë e rëndë e mbushur plot ankth të trazuar. Vërtet që atë ditë u lind dita e ëndrrës së madhe. Pikërisht atëherë, mori trajtë të kthjellët ideja qyshmoti e ndërtuar dhe e brumosur thellë ne vetëdijen tonë si thirrje prej shekullit dhe historisë: Kosova shtet sovran dhe i pavarur. Që nga ajo ditë, kushtrimet dhe veprimet e ndara anarkike, doemos duhet t`i lëshojnë udhë aspiratës kombëtare, shtetërore dhe diplomatike.
Për të ndërtuar lirinë kërkohet gjithsesi pune dhe mund, rend dhe bashkëpunim i sinqertë e mbi të gjitha konsensual për gjërat, para së cilave atdheu nuk na i shikon flamujt partiak e as ngjyrat ideologjike. Kosova ka nevojë për më shumë ushqim edhe për më shumë ujë, për më shumë vende pune edhe për më shumë zhvillim ekonomik, për më shumë arsim edhe për më shumë energji elektrike, për më shumë siguri edhe për më shumë rend e drejtësi, për më shumë përgjegjësi dhe kontroll e jo për: bëj ç’të duash e merr sa të duash.
Kosova ka nevojë për më shumë shtet ligjor si përmbajtje dhe mbrojtje e vet lirisë dhe jetës së dinjitetshme të të gjithë shtetasve të saj. Kosovës improvizimet nuk i duhen, të tilla ajo ka tepër. Fundja, ajo ka nevojë edhe për më shumë diplomaci, për më shumë shkathtësi diplomatike dhe mbi të gjitha për më shumë depolitizim të saj.
Sa më i politizuar të jetë shteti i Kosovës, aq më e rëndë do të jetë vetë jeta, aq më e ngushtë do të jetë liria e qytetarëve të saj. E vogël është Kosova, gjithçka perhapet dhe reflektohet si rrufeja dhe si i thonë një fjale nëse dikush do të të shtijë në Llap, pas pak do te semurët tjetri në Kaçanik.
Zëri i saj, pra zëri i diplomacisë sonë duhet të jet zë origjinal, zë i vuajtjeve tona nder shekuj dhe i synimeve të ardhshme njerëzore e kombëtare. Ai nuk guxon të jet i zymtë, por edhe as i vetëm.
Nuk duhet të jet zë i interesave të ngushta, apo siç do te thoshte profesori i shkencave politike, Roy Macridis: “... zë i një qasjeje të ngushtë politike i cili,tërë diplomacinë e sheh si shprehje dhe refleksion të politikës së brendshme....thjesht si shprehje të bindjeve dominante politike, sociale dhe religjioze të liderëve dhe padronëve politik të momentit...”. Kur gjithë këtij konstatimi të profesorit amerikan do t’i vinim përballë mentalitetin tonë të dëshirave dhe ambicieve për bajraktarizëm dhe etjes për t’u dukur, një diplomaci e politizuar do të ishte më pak dhe më hiç sesa një krah politik brenda një partie.
Kosova duhet të dëshmojë më shumë pjekuri politike në këtë drejtim. Ndërtimi i shtetit të Kosovës, ndërtimi i lirisë sonë si dhe zgjidhja fatlume e tërë çështjes shqiptare
është në dorën dhe mendjen tonë, gjithësesi në një lidhje të ngushtë kohezive me ecjet dhe interesat e përgjithëshme euro-amerikane.  Punët tona, vetë ne duhet t’i kryejme. Me “Mbinjeriun niçean'' si përrallë, me ligështimet shpirtërore, te stilit ‘të ndodhë çfarë të ndodhë’, si veti e hipive - me zëra, herë radikalë e herë utopistë, nuk ndërtohet shteti  i njëmijë halleve, shteti i Kosovës.
Është momenti i fundit për vënien në jetë të Kushtetutës së Kosovës dhe gjithë ligjeve e akteve normative të saj. Nesër do të jetë tepër vonë. Urgjentisht të hulumtohet çdo mundësi dhe të perkrahet çdo ndihmë e sinqert për të sanksionuar veprimet e kundërligjshme, si veprime të dëmshme dhe të rrezikshme për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Kosova ka nevojë për dorën dhe mendjen tonë te ngrohte e të çiltër,  përndryshe bërrylimet do ta vrasin.
Emërimi i dhjetë të ngarkuarve me punë, gjegjësisht ambasadorëve të parë të Republikës së Kosovës në qëndrat më me ndikim në politikën e Kosovës, është gjithsesi nismë e madhe e një ekzistence të re.Edhe këtu si gjithëmonë në histori sikur po vonohemi. Paj, edhe kjo nismë do t’i ketë të papriturat dhe të panjohurat e veta. Në rast të shkujdesjes sonë të tipit “luxeria”, vonesat do te jenë të pakthyeshme dhe me dëme të pariparueshme. Presupozimi i suksesit si dhe i arritjes së tij ka si parakusht gjithënjë elementin e prognozimit, si dhe qe me parë të përpiluarit e planit veprues, ngase të prognozuarit siç do të thoshte diplomati amerikan me prejardhje gjermano-hebreje, Henry Kissinger: ...është aspekti më i vështirë, vërtet më tragjik i politikës së jashtme të shtetit...”. Shembull të tragjizmit në të prognozuar jo të drejtë dhe në kohë të vonuar, Henry Kissinger për  ilustrim merrte Hitlerin dhe Gjermaninë e kohës së nacional-socializmit. 
Ne në këtë rast si ilustrim të një tragjizmi të tillë po marrim Slobodan Milosheviqin dhe politikën serbe të synimeve ultraekspansioniste me gjithë çmenduritë e saj kriminale. Po të vlerësonin dhe prognozonin drejt e më kohë të gjithë popujt të cilët asokohe ende jetonin në ish Jugosllavi,apo të cilët vetëm pak kohë më parë kishin shpallur shtetet e tyre,së bashku me faktorin paqëdashës se: S. Milosheviq, nuk ishte vetëm një nacionalist serb,por edhe një kriminel maniak,me siguri se edhe reagimi do të ishte më adekuat dhe mbase do të bëhej në kohë te duhur.
Por, prapë bota politike u vonua. U desht ardhja në jetë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si zgjim i befasishem e tronditës nga gjumi i rëndë i iluzioneve të thella politike, per t’u pare krimi me te gjithe te zezat e veta. Edhe ata, ambasadorët e emëruar si dhe e tërë diplomacia kosovare duhet të jenë më aktivë. Të ndërtojnë parimet mbeshtetëse të suksesit, të koordinojnë punët me vendet në të cilat janë emëruar (disa edhe të akredituar) dhe të bashkëpunojnë me faktorët e mundshëm dobiprurës politik.
Qëmoti diplomati Vikefort thoshte se nuk është “ambasador i përkryer” oportunisti dredharak, por ai që me zell dhe dashuri thellohet në interesat afatëgjata të shtetit të tij.
Fundja nuk ka edhe rrugë tjetër. Ndryshe do t’i behët dëm shtetit dhe atdheut, ashtu siç bëri ai ambasadori shqiptar në Suedi në fillim të viteve ’90, se më pastaj do të këndohej prapë kënga: “...Ti Halim që s’di këndim, bëju vezir.....”, nga: “Sulltani dhe kabineti”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›