E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga lodhja psikologjike, as nuk do ta kuptojë më

Berishës mbase ia do puna dhe mania e tij gati- gati jonjerëzore për pushtet, që të tërbohet ekraneve me shifra pa kuptim për “situatën tonë më të shkëlqyer ekonomike” në këtë botë dhe në atë botë.

Por, Berisha bën sikur harron që shqiptarët e thjeshtë (jo ata që jetojnë si Argita) nuk e kanë betejën e tyre me ca shifra e me ca presje idiote, nëpër letra. Shqiptarët duan të jetojnë dhe të lëvizin, minimalisht si pjesa tjetër e vendeve ish-komuniste. Kurse Berisha përmend rritjen ekonomike me dy shifra.

O ti, politikan i dashur, ritmi i zhvillimit që t’i ngre në qiell, në nivel krahasimor, nuk del as për të shtyrë oturakun e një pensionisti që jeton me përshesh me çaj dhe presh të kalbur. Nëse i shtrijmë shifrat e mburrjes tënde në kohë dhe hapësirë, duke pasur përballë nivelin e vendeve të tjera fqinje ose ca më larg, e di çfarë na del?

Na del që me këtë ritëm zhvillimi, Shqipërisë i duhen minimalisht 150 vjet të arrijë standardet e tanishme te Evropës mesatare. Të dhënat ne përqindje nuk kanë asnjë vlerë kur ato krahasohen më gjerë, pa le më, me nivelin e jetesës që sa vjen e ulet më shumë.

E vërteta në terren, mik i dashur (që nuk të le histeria të flasësh njëherë si njeri), është që shqiptaret janë akoma te burgosur ne shtetin e tyre dhe janë populli me i rrezikuar fizikisht në Evrope nga mafia ne krye.

Populli i thjeshtë nuk jeton si ata që ke ti rreth vetes në atë tavolinën eqeverisë që na mbiu përdhunshëm në televizorët e shtëpisë. Populli ndihet pa shprese dhe është çakërdisur. Kurse ju merreni me ca përllogaritje ekonomike të interpretuara politikisht, absolutisht gabuara e mbi të gjitha, krejtësisht të padobishme. Ky është paradoksi shqiptar që edhe qiellin po e ngatërron me tokën dhe nga lodhja psikologjike, as nuk do ta kuptojë më!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›