E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga modeli i video-kasetës tek konferenca për shtyp, shfaqet e njëjta fytyrë e apatridit

14-02-2012 / Redaksionale

Shpesh për të korrigjuar një gabim shpejt e shpejt rrezikohet të shkaktohet një gabim edhe më i madh. Kjo i ndodhi Edi Ramës teksa kërkonte të shpërlante gojën pasi kishte vjellë vrer ndaj shtabit të përgjithshëm të emergjencave, që është në krye të punës në ndihmë të zonave të izoluara nga dëbora dhe ftohti i acartë. Si duket i thanë se po gabonte me krakëllimat në rrjetet sociale, prandaj duhej të shfaqej me një propozim sadopak të pranueshëm për t’u solidarizuar me banorët në pikë të hallit. Dhe duke mos i besuar më asaj që mendon doli në një konferencë për shtyp për të deklaruar të kundërtën e asaj që shpreson, pra, ofrimin e një “plani kombëtar solidariteti”. Flet për “plane kombëtare” me të njëjtën logjikë për “planet 5-vjeçare” të një kohe të shkuar ku veri-lindja lihej në mëshirë të fatit. Sigurisht gjatë fjalës kreu i PS dëfteu se në zyrat e partisë kishin ardhur shumë telefonata për ndihmë, megjithëse, me siguri ndonjëra do të ketë qenë për t’i thënë turp të kesh. Të paktën një duhet të jetë qenë: turp që fole në mënyrë si qyqe ogurzezë, kur bashkëpunimi dhe solidarizimi është njerëzor. 
E megjithatë dje Rama e lëshoi një ftesë bashkëpunimi kombëtar për t’u korrigjuar. Mirëpo kjo “ofertë” bashkëpunimi erdhi tre ditë pasi kreu i opozitës sulmoi fort Ministrinë e Brendshme jo për çështjen e emergjencës civile në veri-lindje të vendit, por kërkonte ta shpërqendronte Ministrinë e Brendshme dhe policinë e shtetit në një polemikë të kotë dhe të pafund: “kishte apo s’kishte shtet” për të luftuar perceptimin e krimit ordiner. Edi Rama jo vetëm që shkroi një editorial për të mohuar shtetit, por doli edhe në një video-mesazh të regjistruar duke lexuar në ekran (një gjë mes një videofushate dhe një videoterroristësh fundamentalistë) për të akuzuar se “persona të veshur me imunitet kryeministror, që kontrollojnë me radio policie rrugët e kontrabandës”, nënkuptimi ishte policia e shtetit dhe Ministria e Brendshme.
Ndërsa kjo e fundi kish dy ditë në krye të operacioneve për lirimin e akseve rrugore të bllokuara dhe ardhjen në ndihmë të sëmurëve. Prandaj kemi thënë që lideri i opozitës është një politikan sa i papërgjegjshëm aq dhe cinik, ngase kërkon të gjejë vota kudo, qoftë dhe në shtrëngatë. Kuptohet vetiu që ngrica, i ftohti dhe bora ka mbërthyer Europën, sidomos Italinë dhe Ballkanin Perëndimor ku ka pasur male dëbore dhe kanë sjellë shumë të vdekur për shkak të hipotermisë; megjithëse në asnjë nga këto vende opozita nuk ka akuzuar qeverinë për fajin e stuhive të dëborës sepse do të ishte absurde. Afërmendsh situata të tilla ftojnë për solidaritet shpirtëror pa kufi dhe ndihmë financiare e materiale apo njerëzore në varësi të mundësive. Ne nuk mund të bëjmë luftë me natyrën, por duhet që me çdo kusht t’u vijmë në ndihmë banorëve të izoluar prej dëborës.
Sakaq është momentit i një “mobilizimi”  sadopak qytetar e shumë shtetëror për ndihmuar me çfarë është e mundshme zonat e bllokuara nga bora polare. Po ashtu solidarizimit kombëtar me forcat e emergjencës civile është më së paku një detyrë morale siç e theksoi dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë. Dhe së dyti, sigurisht, nuk është koha e gjetjes së fajtorëve politikë të rënies së paprecedentë të borës dhe izolimit total të shumë komunave të thella.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›