Vasili: “Për çdo rast emergjent, kemi sasinë e duhur të medikamenteve”

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili garantoi se ndihma mjekësore për banorët e prekur nga reshjet e dendura të dëborës, do jetë efikase në çdo rast. Sipas ministrit Vasili, medikamentet mjekësore nuk mungojnë, ndërsa theksoi se ndërhyrja emergjente nga autoritetet shëndetësore është bërë e mundur edhe në kushte shumë të vështira atmosferike. “Nuk ka asnjë rast vdekje për shkaqe shëndetësore, kemi transportuar barnat e nevojshme, personeli po qëndron non stop me shërbimin shëndetësor, ndërsa kemi ngritur shtabet shëndetësore për zonat e prekura”, tha Vasili. Ai paraqiti punën që po bëhet në çdo prefekturë të prekur nga vështirësitë e borës, ku shtabet e shërbimit shëndetësor po punojnë për të siguruar ndihmë në kohë minimale dhe pa vonesë. Ministria e Shëndetësisë ka pasur në dispozicion ekipin e helikopterëve të saj me të cilët janë organizuar rreth 38 fluturime në Tropojë, Has, Kukës, Malësi e Madhe ku janë shpëtuar jetë të disa fëmijëve dhe disa nënave në lindje. “Në zonat e prekura, në funksion të plotë janë personelet shëndetësore, ndërsa kemi aplikuar ndihmën ambulatore shtëpi më shtëpi. Situata po ndiqet on-line nga të gjitha strukturat e shëndetësisë. Detyra jonë është të shpëtojmë çdo jetë njerëzore”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
...