Lëvrohen brenda ditës fondet e emergjencës - prioritet zhbllokimi i rrugëve

Pas miratimit të “Gjendja së fatkeqësisë natyrore”, lëvrohen brenda ditës fondet për Kukësin, Shkodrën, Dibrën, Korçën dhe rrethin e Librazhdit, të cilat do t’u mundësojnë njësive vendore angazhimin e mjeteve private për zhbllokimin e akseve rrugore. Fondet për pensionet, ndihmën sociale si dhe ndihma të tjera përcillen për në zonat e bllokuara edhe me efektiva të ushtrisë. Deri më tani, s’ka emergjenca masive shëndetësore, megjithatë bëhet apel për të ndalur panikun e panevojshëm që mund të krijohet
Nishani: 400 milionë lekë për përballimin e situatës emergjente
Pas shpalljes së emergjencës dhe fatkeqësisë natyrore nga ana e qeverisë shqiptare, është hartuar dhe Plani i Veprimit për çdo njësi të qeverisjes vendore në rang prefekture, me detyrat specifike të çdo institucioni, të gjitha subjektet, përfshi dhe ato private, janë të inkuadruar dhe do të jenë të inkuadruar për përballimin e kësaj problematike, e cila do fokusohet kryesisht në hapjen e rrugëve, bërjen të mundshme të qarkullimit, të lëvizjes së banorëve, por pa përjashtuar në asnjë rast gatishmërinë dhe ndërhyrjen e ekipit të helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë për emergjencat shëndetësore, të ekipit të helikopterëve të Forcave të Armatosura, po ashtu për ofrimin e ndihmave të ndryshme, deri në evakuimin e banorëve në zonat që paraqesin rrezikshmëri. “Ministria e Brendshme ka akorduar një fond prej 400 milionë lekësh për tu përdorur nga administrata e qarkut Shkodër, e Kukësit, e Dibrës, e Korçës dhe e rrethit të Librazhdit”. Kështu u shpreh dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani i cili gjatë një komunikimi me mediat vlerësoi faktin se ky fond vihet në dispozicion të këtyre zonave për të përballuar situatën e emergjencës.
Sipas ministrit Nishani, fondi që do t’i vihet në dispozicion komunave dhe njësive vendore në nivel bashkie do të ketë të bëjë me lirimin e rrugëve dhe me kontraktimin e kompanive që do të bëjmë të mundur hapjen e tyre me mjetet përkatëse.
“Ministria e Brendshme bën sot të vlefshëm një fond prej 400 milion lekësh të vjetra, për t’u përdorur nga administrata e qarkut e të Shkodrës, nga administrata e qarkut të Kukësit, nga administrata e qarkut të Dibrës, nga administrata e qarkut të Korçës, si dhe nga komunat; Në rrethin e Shkodrës, komuna Pult, komuna Shalë, komuna Shosh, komuna Shllak; Në rrethin e Pukës: Bashkia Pukë, Bashkia Fushë-Arrëz, komuna Blerim, komuna Iballë, komuna Gjegjan, komuna Qafë-Mali, komuna Qelë, komuna Qerret, komuna Vrakë; Në rrethin e Malësisë së Madhe: komuna Shkrel dhe komuna Kelmend.
Në qarkun e Dibrës, rrethi Peshkopi: bashkia Peshkopi, komuna Arrëz, komuna Kala e Dodës, komuna Lurë, komuna Selishtë, komuna Sllovë, komuna Zall-Dardhë, komuna Zall-Reç; dhe në rrethin e Bulqizës: bashkia Bulqizë, komuna Fushë-Bulqizë.
Në qarkun e Kukësit, komunat dhe bashkitë si më poshtë: Bashkia Kukës, komuna Arrën, komuna Bicaj, komuna Bushtricë, komuna Mal i Zi, komuna Ujmisht, komuna Tërthore, komuna Shtiqën, komuna Zapod, komuna Shishtavec, komuna Topojan, komuna Surroj, komuna Kalis, komuna Grykë Çajë. Në rrethin e Hasit: bashkia Krumë, komuna Golaj, komuna Fajzë, komuna Gjinaj. Në rrethin e Tropojës: Bashkia Bajram Curri, komuna Bujan, komuna Bytyç, komuna Fierzë, komuna Lekbibaj, komuna Vuthaj, komuna Margegaj, komuna Tropojë. Në qarkun e Korçës, kemi - në Rrethin e Korçës: komunën Gorë, komunën Lekas, komunën Moglicë, komunën Vithkuq, komunën Voskopojë. Në rrethin e Ersekës kemi: Bashkinë Ersekë, komunat Barmash, komuna Çlirim.
Dhe në qarkun e Elbasanit, në rrethin e Librazhdit: komunën Lunik, komuna Polis, komuna Zdravaj, komuna Stërblevë. I gjithë ky fond, tashmë i alokuar në destinacionin e të gjitha këtyre komunave, bashkive por edhe të administratës së qarqeve të prefekturave, është i destinuar për t’u përdorur në mënyrë të detyrueshme vetëm për hapjen e rrugëve, që do të përdoren nga administrata e qarqeve për të kontraktuar me prokurim të drejtpërdrejtë me mjete e kompanitë private, për të hapur akset e rrugëve rurale. Nga administratat e komunave që përmendëm fondi do të jetë në përdorim për të kontraktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mjete private për të bërë të mundur hapjen e rrugëve komunale”, u shpreh ministri Nishani.
Ndërkohë, sa i takon fondit që do t’i akordohet prefekturave, do të përdoren paratë për furnizimin me medikamente për familjet e izoluara.
“Ndërsa fondi që i vihet në dispozicion prefekturave përkatëse do të përdoret në mënyrë të detyrueshme vetëm për furnizimin me karburant të mjeteve që do të nevojiten, nga drejtoritë rajonale të rrugëve apo forca të tjera që asistojnë qoftë në akset nacionale apo në akset rurale. Ky ka qenë një vendim i marrë tërësisht mbi bazën e propozimit të kryetarëve të komunave. Gjatë gjithë këtyre ditëve, në takimet që ka pasur kryeministri dhe të gjithë ministrat dhe anëtarët e shtabit të emergjencës, propozimi kryesor i kryetarëve të komunave ka qenë për të pasur në dispozicion një fond financiar, pasi ka qenë më e lehtë dhe më operative kontraktimi nga ana e tyre e mjeteve private të cilat ndodhen në zonat përkatëse dhe për t’i vënë ato në dispozicion të hapjes së rrugëve, qofshin këto rrugë komunale, qofshin këto rrugë rurale”, tha ai.
Në fjalën e tij Ministri i Brendshëm apeloi për solidarizimin i komunitetit, të administratës së komunave për të përballuar situatën.
“Ju adresohem banorëve të zonës se na nevojitet solidaritet dhe angazhim për të përballuar problematikat. Tërheq vëmendjen për organizimin e punëve të komunitetit. Duhen pastruar çatitë e banesave nga sasia e madhe e dëborës pasi është një rrezik evident për çdo familje. Ajo që do tu bëja apel administratës së komunave, këshilltarëve, kryepleqve të organizohen me grupet e qytetarëve për ndihmën e ndërsjellët”, vuri në dukje Nishani.
Gjithashtu, sipas tij, është hartuar një plan veprimi për të gjitha shtabet e emergjencave të prefekturave, me qëllim për të zgjidhur në mënyrë sa më të efektshme të situatës.
“Në vijimësi ju informoj se tashmë, pas shpalljes së emergjencës dhe fatkeqësisë natyrore nga ana e qeverisë shqiptare, është hartuar dhe plani i veprimit për çdo njësi të qeverisjes vendore në rang prefekture, me detyrat specifike të çdo institucioni dhe natyrisht në kuadrin e emergjencës dhe të fatkeqësisë natyrore, të gjitha subjektet, përfshi dhe ato private, janë të inkuadruar dhe do të jenë të inkuadruar për përballimin e kësaj problematike, e cila do fokusohet siç e thashë dhe njëherë në fillim të fjalës, kryesisht në hapjen e rrugëve, bërjen të mundshme të qarkullimit, të lëvizjes së banorëve, por pa përjashtuar në asnjë rast gatishmërinë dhe ndërhyrjen e ekipit të helikopterëve të ministrisë së shëndetësisë për emergjencat shëndetësore, të ekipit të helikopterëve të Forcave të Armatosura, po ashtu për ofrimin e ndihmave të ndryshme. Ajo që dëshiroj këtu të sjell në vëmendjen tuaj ka të bëjë me rëndësinë e procesit të komunikimit. Procesi i komunikimit veçanërisht në situata të tilla është esencial për të qenë jo vetëm të organizuar, por për të qenë edhe efektivë në çdo rast ndërhyrjeje. Prandaj unë do të dëshiroja që të fokusonit të gjithë tek një mekanizëm i konsoliduar i komunikimit që fillon me kryetarin e fshatit, tek kryetari i komunës dhe me shtabin lokal të emergjencave në prefekturë, secili mban lidhje të vijueshme me sallën qendrore të menaxhimit të operacioneve në Ministrinë e Brendshme, sallë e cila pastaj ka kompetencat për të ndërhyrë, për të deleguar detyra qoftë në sallën operative të Shtabit të Përgjithshëm të FA, dhe në të gjitha resurset financiare, mekanike dhe logjistike, të cilat janë tashmë në dispozicion të Komitetit Ndërministror”, përfundoi Ministri i Brendshëm Bujar Nishani.