Nga “njeriu i tepërt” tek “njerëzit e tepërt”
Tipi i “njeriut të tepërt” ka qenë elementi më i rëndësishëm në letërsinë ruse të periudhës midis viteve 1820–1850. Por një hero i tillë nuk është se ka lindur në Rusi: personaliteti social, joproduktiv ka qenë një dukuri mbarevropiane e fillimit të shekullit XIX, por në Rusi kjo dukuri përftoi një domethënie krejt të jashtëzakonshme. “Njeriu i tepërt”, është heroi i disa romaneve në letërsinë perëndimore (i pari prej të cilëve është romani “Adolfi” i B. Konstan, i botuar në 1616), i cili në Rusi u bë personazhi kryesor i letërsisë së gjysmës së parë të shekullit XIX.
Një vëmendje të madhe kësaj teme i kushtoi veçanërisht I.S. Turgenievi. Atij i takon edhe shprehja “njeriu i tepërt”, përkufizim i cili pati një rrugëtim të gjatë e përhapje të gjerë, pas daljes në dritë të romanit të tij “Ditari i një njeriu të tepërt” në 1850. Pikërisht “Ditari i në njeriu të tepërt” zbatohet retrospektivisht për karakterizimin e heronjve të Grobojedovit, Pushkinit dhe Lermontovit. Kësisoj, heronjtë letrarë midis 1820-1830, u zëvendësuan nga heronjtë e Turgenievit, i cili përtëriu linjën e aristokracisë në letërsi, të ndërprerë nga Gogoli. Turgenievi krijoi tre romane, që karakterizohen nga interesi për temën e njeriut të veçantë, për vlerën e tij sociale, d.m.th., të “romanit-personazh”. Interesi ndaj heroit pothuaj mungon tek shkrimtarët e shkollës gogoliane, bashkëkohës të Turgenievit, të cilët vunë në qendër të vëmendjes grupin, kolektivin apo shtresën shoqërore. Prandaj katalogu i “njerëzve të tepërt” përfshin në vetvete dy pjesë – Onjeginin-Peçorinin (heronjtë “pushkinianë”, thënë kushtëzueshëm) dhe pjesa e dytë – Beltov-Rudin (që rëndom quhen “turenievianë”) duke anashkaluar heronjtë gogoljevianë, me përjashtim të vetëm një figure, Tentetnikovin (1).
Tiparet përcaktuese të “njeriut të tepërt pushkinian” – janë njeriu i jashtëzakonshëm dhe mendjemprehtë, i aftë për vetëreflektim, vetanalizë dhe ndërgjegjësim për personalitetin e tyre. Në tipin letrar të heroit vetëreflektues gjeti pasqyrim procesi i zgjimit të zanafillës personale, origjinalitetit të individit, i cili pohon vlerat e njeriut të përveçëm. Për Rusinë, ku, sipas shprehjes së Hercenit, nuk ka ekzistuar personalitet tjetër, përveç personalitetit të perandorit (carit)”, ky proces pati një domethënie të veçantë. Së këndejmi vjen dramatizmi i kësaj teme, sikundër edhe përhapja e gjerë në jetë dhe në letërsinë e tipit të “njeriut të tepërt””(2).
Kësisoj, “njeriu i tepërt” i fillimshekullit XIX ndërlidh tiparet e të jashtëzakonshmes me të rëndomtën, të së veçuarës dhe tipikes. Pushkini e ka quajtur “modë demode”, maninë për të kërkuar dhe gjetur gjithkund gjeni apo njerëz të jashtëzakonshëm, prandaj Onjegini është “si unë dhe ju, si gjithë bota”. Diferencimi intelektual i “njeriut të tepërt” prej mjedisit të tij nuk e përjashtonte, sidoqoftë, përkatësinë e tij nga ky mjedis, dhe, pa marrë parasysh ndërgjegjësimin mbi superioritetin e vet në lidhje me anëtarët e tjerë të shoqërisë, ai mbetet një anëtar i kësaj shoqërie, kudo që të gjendej – në kryeqytet, në fshat, në Kaukaz apo jashtë Rusisë (3).
Opinionet e kritikëve mbi “njeriun e tepërt” të fillim shekullit XIX ndaheshin: njëra palë i qortonte Onjeginin dhe Peçorinin për mendjelehtësi, mungesë qëllimesh në jetë, mërzi dhe neveri “nga çdo lloj pune”, për “egoizëm finesë”, ndërsa pala tjetër i përligjte kotësinë dhe pasivitetin e tyre me rrethana të jashtme. Bjelinski shihte te Onjegini njeriun, të cilin e ka vrarë edukimi dhe jeta mondane: “e keqja fshihet jo tek njeriu, por tek shoqëria”. Onjegini nuk i kushtohej veprimtarisë së dobishme, sepse “të bësh ndonjë gjë, ka vlerë vetëm nëse e bën në shoqëri, në bazë të nevojave shoqërore, si imperativ të vetë realitetit, dhe jo në teori; por çfarë do të kishte bërë Onjegini së bashku me të tillë fqinj të mrekullueshëm, në një rreth me familjarët e tij të dashur?”(4). Herceni e kundronte këtë dukuri si një formë opozite dhe shfaqjen e “njeriut të tepërt” e lidhte direkt me atmosferën e sundimit të car Nikollait, kur çdo njeri mendimtar përbënte rrezik, së këndejmi Onjegini nuk mund t’ia kushtonte veten një pune të dobishme dhe dashje pa dashje shndërrohej në një, kur “në të gjitha poezitë, tregimet dhe romanet përsëritet gjithëpo i njëjti tip – tipi i djaloshit, përplot qëllime fisnike, por të thyer, që ikën nga sytë këmbët, që rreh të zhduket, të largohet nga jeta, si një krijesë e tepërt, e padobishme, pa ia gjetur vendin vetes. Onjegini dhe Vladimir Lenski, Peçorini dhe heronjtë e tregimeve të ndryshme të Turgenievit – ja të njëjtët persona (5).
Opozicioni mund të kishte formë të hapur dhe të fshehur. Për Onjeginin dhe Peçorinin ai kishte trajtën e skepsisit dhe pakënaqësisë me veten dhe shoqërinë. Kjo pakënaqësi ushqente veten, i shërbente vetes edhe si arsye, dhe si zgjidhje, dhe ishte, sipas shprehjes së Shçedrinit, “jo tjetër, përpos se një mësim i mirë”. Opozicionin në formë të hapur e ka shprehur Gribojedovi nëpërmjet imazhit të Çackit, heroit të aftë për një rol aktiv. Çacki ka udhëtuar, ka studiuar, ka lexuar dhe përgatitet për një veprimtari serioze, dhe nga kjo pikëpamje ai u ngjan më shumë heronjve të vonë të Turgenievit. Rudin tek Turgenievi – është filozof, humanist, bartës i ideve të reja. I gjendur në opozicion ndaj shoqërisë, njerëz të tillë kishin nevojë në të njëjtën kohë për këtë shoqëri, prandaj Rudini, në cilësinë e përhapësit të mënyrës së re të mendimit, është një personazh rrugëtues, po ashtu si Çacki. Një tip tjetër i heronjve të Turgenievit, është i ngjashëm me heronjtë e hershëm “pushkinianë” – është heroi refleksiv dhe i privuar nga veprimi, i njëllojtë me të tillë si Çullkaturini, Hamleti i gubernës së Shçigrovskit, heroi i novelës “Asja”. Si njërën palë ashtu dhe tjetrën kritika i shpallte fajtorë për mosveprim. Një nga arsyet e mosveprimit të njerëzve të tepërt turgenievjanë është, sado paradoksale të tingëllojë, formimi i tyre i mirëarsimuar, “prirja e tyre e fortë për filozofime” nëse mund të shprehemi kështu”. Këtë na e vërteton Hamleti i gubernës së Shçigrovit: “Gjykojeni vetë pra, çfarë, për hir të zotit, çfarë dobie mund të nxjerr unë nga enciklopedia e Hegelit? Çfarë të përbashkëte ka, më thoni, ndërmjet kësaj enciklopedie dhe jetës ruse? Dhe si më thoni ju ta zbatoj atë në mënyrën tonë të jetesës, po jo vetëm atë, enciklopedinë, por krejt filozofinë gjermane... të mos shkojmë më larg – shkencën?”.
Filozofia evropiano-perëndimore në pjesën dërrmuese kishte domethënie vendase, por shkarazi shpreheshin shumë ide të përgjithshme, të cilat veç sa mësoheshin nga njerëzit që vinin nga Rusia dhe Evropa Lindore. Këto ide shpesh receptoheshin prej tyre në mënyrë tepër tekstuale, prandaj disa pjesë të përgjithshme transformoheshin në dogmat politike dhe moralo-religjioze, që s’kishin asgjë të përbashkët me këto ide, të cilat merreshin pa i tretur shumë, çka bënte që mendjet e tyre t’i stakonte edhe më fort nga realiteti përqark.(6)
Njerëzit e këtij drejtimi përpiqeshin ta bëjnë shkencën dhe mendimin normë të ekzistencës së tyre. Ata krijuan për vete një botë të veçantë meditative, duke kërkuar prej çdo fakti – arsyen e shfaqjes së tij, prej çdo veprimi – mendimin që i shërben atij si shkak dhe bazë. Ata bartnin gjithkund në vetvete mendimin abstrakt, të pa provuar, ndërsa si bazë për të gjitha veprimet bënë përsiatjen, si pasojë e së cilës sjellja e “njeriut të tepërt” përcaktohet si teori e predikuar prej tyre, kurse në marrëdhëniet letrare i kushtëzon lëvizja e syzhetit. Kështu, reaksioni i Onjeginit në deklaratën e dashurisë për Tatjanën është pasojë e përvetësimit të kulturës dendiste dhe skepticizmit mendor, që ka marrë Onjegini në Petërburg, ndërsa sjellja e Rudinit përcaktohet nga idealizmi metafizik dhe poezia romantike gjermane. Prandaj në vepra është kaq i madh roli i treguesit të kulturës intelektuale – katalogu i librave të lexuar dhe i shprehjeve në diskutime dhe opinione.
Zakoni për t’i zgjidhur drejtë dhe logjikisht të gjitha çështjet i shpie njerëzit e prirjeve të Rudinit në një të kuptuar abstrakt të jetës dhe tek pamundësia për t’i bërë vend botës së gjallë reale në botën e mbyllur abstrakte që kanë sajuar, me atmosferën e saj të paarsyeshme, spontane dhe të rastësishme. Sado me kompaktësi të shprehen bindjet e tyre, ata kurrë nuk do të munden të jenë përmbushësit e këshillave të tyre.
Duke pranuar kontributin e propagandistëve të një tipi të ri mendimi në përhapjen e arsimimit, kritikët i qortonin ata për mungesë prakticizmi në zgjidhjen e problemeve. “Ata zgjuan gjithë punën e mendimit bashkëkohor, - shkruante Anenkovi, – por tani ka ardhur koha t’i zëvendësojmë meditimet me diç të ngjashme me veprimin. Ata duhet të shkojnë në jetën e rëndomtë qytetare të turmave” (7). “Dhe më tej: Kultivuesit e mëparshëm të së mirës, njerëzit e prirjes së Rudinit e humbasin pjesën më të madhe të kredisë së tyre, duhen njerëzit e veprimit, dhe jo të përsiatjeve abstrakte” (8).
Në shoqëri zbuloheshin kërkesa të reja, të ndryshme nga ato, të cilat qenë të urgjentë për jetën e Rudinit, dhe shterpësia sociale e inteligjencës aristokrate u bë e dukshme: grupi ndikues, i pasur për nga pikëpamja kulturore, nuk mundi të përpunojë programin e vet. Rënia e rolit të aristokracisë në vitet 1840-1850 u shoqërua me rritjen kulturore të nëpunësve, dhe në romanet e Turgenievit shfaqen njerëzit e veprimit praktik, e jo ëndërrimet dhe arsyetimet – nëpunësit e shtresave të mesme Insarovi dhe Bazarovi (9).
Kështu, Lavrenski në novelën “Një çerdhe aristokratësh” (në shqip, e përkthyer – “Një çerdhe fisnikësh”) ishte një figurë e tipit tranzitor, ai këtu nuk është propagandist, këtë rol në roman e luan më shumë Mihajleviçi. Me “Një çerdhe aristokratësh” merr fund epoka, që karakterizohet nga përpjekja për ta shpjeguar botën; ka ardhur koha për ta transformuar atë – kështu mendonin nëpunësit e mesëm. Nëpunësit e mesëm, intelektualë të dalë nga gjiri i shtresave të varfra të nëpunësisë së mëparshme, jetojnë me parandjenjën e ditës së vërtetë dhe me rolin e madhe historik, edhe në romanin “Në vigjilje” për herë të parë në letërsinë ruse, në vend të heroit-aristokrat, njeriut të letërsisë dhe filozofisë, na shfaqet heroi politikan.
Një hero i tillë tashmë nuk quhet “njeri i tepërt”: te ai, sikundër e donte Çernishevski, reflektohet dobët “rraskapitja nga lufta e brendshme”. Në pajtim me rritjen e heroit të ri nëpunës ulet rangu i heroit-aristokrat, veprimtarin e propagandës kulturore. Nga Bersenjevi turgenievjan nis një radhë karikaturash kundër epigonëve të idealizmit të aristokracisë së viteve 1840, i cili më vonë shpuri në krijimin e imazhit të babait, Vjerhovjenskit.
Duke nisur nga vitet 1860 tashmë jo njeriu i përveçëm, por gjithë shtresa aristokrate, që ka mbetur pa funksion politik, na paraqitet “e tepërt”. Herceni në vitin 1860 e ka shprehur këtë gjë kështu: “Njerëzit e tepër kanë qenë atëherë po aq të domosdoshëm, sa kur është tani e domosdoshme të mos jenë”(10). Pas 43 vjetësh Lev Shestovi shkruante me keqardhje: “Njerëz të tepërt ka – dhe janë të panumërt, po se ç‘duhet bërë me ta, askush nuk e di” (11). Në atë kohë kur janë shkruar këto fjalë, tema e produktivitetit social tingëllonte në dramat e Çehovit, dhe të gjithë personazhet e Çehovit për kritikët e drejtimit radikal – janë njerëz të tepërt, si përfaqësues të të gjitha shtresave të aristokracisë, tashmë pa ndarje në individualitete. Vorovski shkruan në 1905 mbi heronjtë e Çehovit: “Por pas tij (personazhit Ivanov) vijnë të tjerët, po ashtu njerëz të tepërt – Astrovët, xhaxha Vanjat, Tuzenbahu, motrat fatkeqe, pulëbardhat e mjera, çifligarët e kopshteve të vishnjave, dhe shumë të tjerë. Ky është një grup i mbaruar, që ka dalë nga skena, e dënuar me vdekje nga kushtet historike, të cilët dallga shoqërore do t’i fshijë pa mëshirë” (12).
I kthehemi kësaj në lidhje me anën estetike të problemit. Përkufizimi “njeri i tepërt” me atë kuptim, në të cilin ai përdoret zakonisht në kritikë, bart ne vete një nuancë negative dhe të provokon në një gjykim, i cili nganjëherë ka konotacion simpatik, por më së shpeshti ka karakterin e qortimit dhe madje të fajësimit, e pikërisht ky konotacion e deformon kuptimin zanafillor, të shprehur nga Turgenievi. Heroi turgenievjan, Çullkaturini vetë e quan veten një hero të tepërt: “Kam qenë menjëmend njeri i tepërt në këtë botë”, dhe ky vetëvlerësim me dështimin e tij në atë situatë, kur vajza që adhuronte ai, parapëlqeu një tjetër. Çullkaturini – është një dështak i seleksionit biologjik. Por në kritikë kjo shprehje shfrytëzohet më së shpeshti kur me të kihet parasysh funksioni shoqëror i heroit, dhe në këtë formulë të kuptimit jo-turgenievjan “njeriu i tepërt” nisi të përfshijë fajësimin e njeriut apo të një klase të tërë, si të panevojshme, të tepërt(13). Nëse do të hulumtonim deformimin e kuptimit, na del, se ndryshon dhe shprehja gramatike e shprehjes së këtij fenomeni.
Vetëvlerësimi i brendshëm i Çullkaturinit (Unë – jam njeri i tepërt) ndërrohet me vlerësimin nga së jashtmi: Ai (Onjegini, Peçorini) – është njeri i tepërt. Më vonë, në lidhje me heronjtë e Turgenievit dhe, veçanërisht me ato të Çehovit, zuri të zbatohej forma: Ata janë njerëz të tepërt. Këtu kihet parasysh shtresa aristokrate si e tërë, të gjithë “pronarët e çerdheve aristokratike dhe kopshteve të vishnjave”, që nuk kanë emra dhe nuk ndahen në individualitete (14). Pikërisht prandaj flet për vete Ivanovi çehovian:
“U shndërrova capak në Hamlet, capak në Manfred, capak në njerëz të tepërt”, duke e ndjerë veten gjithë qysh pjesë të asaj shtrese, e cila quajt e tepërt.
Nga pikëpamja historike grupe të tepërta nuk bëjnë vaki, ka vetëm grupe njerëzish apo njerëz brenda këtyre grupeve me një zhvillim jonormal, me funksion të atrofizuar. Turgenievi i shkruante veprat e tij jo për analogji apo për akuza, ai dëftente, se si ndryshon heroi në pajtim me ndryshimin e kushteve dhe me pritjet e shoqërisë në gjegjësisht kushteve të reja. Jo vetëm romanet e Turgenievit, por e gjithë letërsia aristokrate e shekullit XIX – është një vetëanalizë sociale, dyshim social në vetvete, në kuptimin më të përmbledhur – një vetëvlerësim dhe ndërgjegjësim mbi vetë rolin historik.
Është krejt e dukshme, që dukuria e “njeriut të tepërt” është historikisht i ndryshueshëm: ndryshonte si vetë heroi, ashtu edhe vlerësimi i tij – veçanërisht, në etapën e hershme, vlerësimi letër; kritika me kohë u bë në pjesën dërrmuese shoqëroro-politike. Përveç kësaj mund të përpiqemi të ndajmë tiparet kryesore.
1. Para së gjithash “njeriu i tepërt” është heroi që vjen së jashtmi, një fytyrë e re, që për më tepër, tërheq vëmendjen, sidomos të femrës. Ai vjen nga jashtë shtetit (Çacki) ose nga kryeqyteti në fshat (Onjegini) ose kthehet pas shumë vitesh mungese në pronat atërore (Lavrecki).
2. Për nga statusi i tij social është aristokrat që ka fituar një arsimim të shkëlqyer; nga mjedisi ku ka ardhur atë e diferencojnë këto cilësi: mendja, aftësi të jashtëzakonshme, evropianizmi, drejtimi kritik i arsyetimit, dijet e gjera në lëmin e filozofisë dhe varësia e sjelljes nga sistemi filozofik i predikimit, e po ashtu prirja për meditacione, ëndërrime, vetëanalizë dhe paaftësia për çështjet praktike.
3. Këta njerëz, si rregull, janë udhëtarë; ata ikin jashtë shtetit për shkak të mërzisë, të tjerë – për të vazhduar studimet, mandej, kur kthehen në Rusi, udhëtojnë duke propaganduar idetë e reja.
4. Të gjithë merren, me një sukses relativ, me krijimtari letrare: Çacki “shkruan dhe përkthen shkëlqyeshëm”; Onjegini “duke gogësirë, kapi penën, deshi të shkruajë – por puna këmbëngulëse i dukej e neveritshme: asgjë s’qullosi me penën e tij”; Rudini parapëlqente të lexonte “faqet e tij të para të artikujve dhe poezive të hamendësuara”, Tetetnikovi qe marrë për shumë vite me “një vepër kolosale, e cila duhej ta rrokte gjithë Rusinë nga të gjitha pikëpamjet”, Peçorini dhe Çullkaturini lënë pas vetëvrasjes shënimet e tyre.
5. Shpesh ata rriten në një mjedis të sëmurë familjar dhe vetë i shmangen familjes apo hallkave familjare, duke u përpjekur të ruajnë lirinë e tyre (Onjegini, Rudini, heroi i “Asja”).
6. Mund të vërejmë gjithashtu edhe këto veçori: duke ardhur nga jashtë, disa prej tyre me dashje apo pa dashje kanë kryer ndonjë proçkë apo gafë, çka i shtrëngon ata të marrin arratinë (Çacki, Beltovi, Rudini). Në shfaqet e tyre më ekstremale ata janë shkatërrues (Lenski dhe Grushinski – të vrarë në duel, Bela e vdekur, princesha Meri e fyer dhe Vera fatkeqe, Maksim Maksimiçi i fyer, Tatjana, Natalja dhe Asja – të refuzuara, familja e shkatërruar e Kruciferskëve); tipi tjetër janë të vetëshkatërruarit –(Çullkaturini, Hamleti i gubernës së Shçigrovskit).
Theksojmë se Obllomovi, të cilin Dobroljubovi e quante “njeri të tepërt”, zor se klasifikohet në këtë kategori. Nga tiparet e numërueshme të Obllomovit mund të vërejmë vetëm se mentalitetin, përkthimin e papërfunduar të Sea-s dhe mungesën e plotë të prakticitetit. “Njeriu i tepërt” menjëmend nuk është i aftë për punë praktike, por ai zotëron aktivitet mendor dhe vuan nga pamundësia e shfrytëzimit të aftësisë së tij. Obllomovi nuk priret për kah mosveprimi i tij, si Peçorini, nuk është propagandist, si Rudini. Përkundrazi, ai ka nevojë në të gjitha gjërat, madje dhe në ndjenja, t’i prijë dikush. Nuk përjashtohet, që Gonçarovi, autori i romanit “Obllomov” i dha përgjigje kërkesës së kohës dhe na tregon dy personazhe, në një zhvillim krejt të përkundërt – Obllomovin në inaktivitet të plotë dhe Shtolcin energjik e punëtor. Ndërkaq që simpatia si e autorit ashtu dhe e lexuesit, janë për Obllomovin.
Ndjesia e padobishmërisë, panevojshmërisë së heronjve të ndryshëm, të quajtur “të tepërt”, mund të ketë shkaqe të ndryshme, të cilat mund t’i ndajmë në dy grupe kryesore: heronj, “të tepërt për veten” dhe heronj “të tepërt për shoqërinë”. Të parët janë të tepërt (për shkaqe objektive dhe subjektive) në lidhje me ndonjë funksion shoqëror ndaj janë të përqendruar në vetëanalizë, ata në një masë të madhe priren për kah vetëreflektimi dhe e bëjnë veten objektin më kureshtar të vëzhgimeve të tyre; Peçorini, sikund shkruan për të Bjelinski, “zhbirilon çdo rrahje të zemrës së vet, çdo pulsim të mendimeve të tij”, Çullkaturini, sipas vetë fjalëve të tij, e shqyrton dhe interpreton veten deri në fijen e fundit.
Të dytët, “të tepërt nga shoqëria”, – janë njerëzit mendimtarë, ndaj të cilëve përshtatet më së miri përcaktimi i Hercenit “zgjuarsia e panevojshme”. Këta janë njerëzit e tipit të Rudinit, për të cilët arsimimi ishte një nevojë e brendshme, ndërsa mënyra e re e të menduarit që kanë fituar në Evropë nuk ishte veçse një trajtë e elegancës(15). Rudini ka studiuar seriozisht filozofinë në Gjermani dhe e njeh atë jo nga duar të dyta. Por është pikërisht kjo që i bën njerëzit e prirjeve të Rudinit të paaftë për zgjidhjen e detyrave jetësore.
Libreskja e “të tepërtve nga shoqëria”, sikundër se dhe refleksioni i “të tepërtve nga vetja” i shpie ata dhe të tjerë në mospraninin e gjithçkaje të natyrshme dhe të rastësishme. Sjellja e panatyrshme e Çullkaturinit ndodh për shkak se ai është i turpshëm. Ai ndjen një pengesë të pakuptueshme ndërmjet ndjenjave dhe mendimeve të tij, dhe, kur vendos ta fitojë dhunshëm këtë pengesë, gjithë qenia e tij merr një pamjen e një tendosjeje torturuese, bëhet një i sforcuar në mënyrë të panatyrshme. Sapo e ndjen këtë, ai nxiton sërish të ikë prej vetvetes. “Hamleti i gubernës së Shçigrovskit” e quan ai veten: “Edhe unë jam i përpirë nga refleksioni, por brenda meja nuk ka absolutisht asgjë”. Njerëzit e tipit të Rudinit i tremben çdo gjëje që del nga kornizat e strukturës së arsyetimit, prandaj Rudinin e shqetëson aq shumë pranimi i dashurisë nga Natalia. Sjellja e Onjeginit dhe Peçorinit në situata të ngjashme, megjithëse është e lidhur me kulturën mendore të dendizmit, ajo përcaktohet në një masë të madhe nga frika se mos humbin lirinë. Ndoshta pikërisht reaksioni nga pranimi i dashurisë së heroinave, na jep mundësinë të gjykojmë se sa thellë është përvetësuar prej heronjve mënyra evropiane e të menduarit. Për Onjeginin dhe Peçorinin dendizmi ka qenë, para së gjithash, ndjekje mode, ndërsa sjellja e tyre karshi femrave është e kufizuar së brendshmi. Secili prej tyre e jep vlerësimin PAS veprimit (Peçorini në ditarin e tij, Onjegini – gjatë takimit me Tatjanën në Petërburg), ndërsa Rudinidhe heroi i novelës “Asja” përsiasin në VEND të veprimit. Vërejmë që Rudini, është tërheqës së jashtmi, ai e ka robëruar Natalinë pikërisht me fjalët e bukura, ndërkaq që Onjeginit i mjafton të shfaqet në shtëpinë e Larinëve: “Sapo hyre ti, sakaq unë e kuptova”.
Njerëzit e tipit rudinian janë të tepërt për shoqërinë, sepse janë të paaftë të veprojnë. Në letërsi, vendin që e ka humbur ndikimi i heroit-aristokrat e ka zëvendësuar intelektuali zyrtar, dhe me këtë merr fund historia e “njeriut të tepërt”, nëse e kuptojmë këtë si heroin letrar të një epoke të caktuar. Në një kuptim të gjerë ky përcaktim mbetet shenjë ndarëse, ndërsa si dukuri shënjon pamundësinë për të ngjitur në sistemin shoqëror apo në një grup të caktuar, çka bëhet premisë për lindjen e disidencës dhe emigracionit dhe bëhet problem i margjinalëve.
(1) Një katalog i tillë u bë klidhe e rëndomtë në kritikën e shekullit XIX. Çernishevski shkruan në artikullin “Poezitë e Ogarjovit”: Onjegini u zëvendësua nga Peçorini, Peçorini nga Beltovi dhe Rudini. Ne kemi dëgjuar prej vetë Rudinit, që koha e tij ka kaluar, porse nuk na ka treguar askënd, që të mund ta zëvendësonte atë, dhe ende nuk e dimë, nëse do ta kemi për së afërmi vallë trashëgimtarin e tij, atë që do ta zëvendësonte”, ndërsa në artikullin “Njeriu rus në takim”, krijimtaria e Turgenievit karakterizohet si “lirike”: “Te Turgenievi nuk kemi as krijimtari maniakale, as gaztorë banalë, as keqbërës zyrtarë, as batakçinj, muzhikë dhe burokratë të vegjël, që të torturohen nga këta njerëz të tmerrshëm e të poshtër. Të gjithë njerëzit e rrëfimit – janë njerëzit më të mirë midis nesh”. Po të njëjtën listë që përbashkojnë heronjtë e Pushkinit, Lermontovit, Hercenit dhe Turgenievit, ne e gjejmë edhe tek Dobroljubovi në artikullin “Çfarë do të thotë obllomovizmi”: “Hapeni, për shembull, “Onjeginin”, “Një hero i kohës sonë”, apo “Hamletin e gubernës së Shçigrovskit”, - në secilin prej tyre do të gjeni tipare, thuajse të ngjashme me Obllomovin”.
(2) “Onjegini nuk është imitim, por pasqyrim, i arritur jo me fantazinë e poetit, por në shoqërinë bashkëkohore, të cilën ai e ka paraqitur nëpërmjet heroit të tij të romanit poetik. Afrimi me Evropën duhej, që në një mënyrë të veçantë, të pasqyrohej në shoqërinë tonë, dhe Pushkini, me instinktin gjenial të artistit të madh e përkapi këtë pasqyrim në personazhin e Onjeginit” – V. G. Bjelinski “Një hero i kohës sonë”, Vepra e plota të Lermontovit, 1840. “Onjegini dhe Peçorini kanë qenë krejt të vërtetë, shprehnin pikëllimin e vërtetë të jetës së atëhershme ruse. Tipi i pikëlluar i njeriut të tepërt, i njeriut të humbur, vetëm sepse është i zhgënjyer nga njeriu, ndeshej asokohe jo vetëm në poema dhe romane, por edhe në rrugë, në hotele, nëpër fshatra dhe qytete”. Hercen A. I. Kambana 1859.
(3) Sipas karakteristikës së Gonçarovit, “pakënaqësia dhe zemërimi nuk e pengonin Onjeginin të vishej bukur, “të shkëlqente” edhe në Teatër, edhe në Ballo, edhe në restorantet e modës, të koketnonte me vajzat dhe të sillej seriozisht me ta në prani të të fejuarve, ndërsa Peçorinin të shkëlqente me një mërzi simpatike dhe të fshihte përtesën dhe zemërimin ndërmjet princeshës Meri dhe Belës”. Shih.: Gonçarov I.A. “Një milion sfilitje”. Vep. plot. në 8 vëll, M., 1937.
(4)Bjelinski V.G. “Eugjen Onjegini”. Vep. e Plotë. T. 7. M., 1955.
(5)Hercen A. I. “Mbi romanin nga jeta e popullit në Rusi, Hercen mbi letërsinë. M., 1962.
(6)Sipas shprehjes së Dobroljubovit, “Rudini dhe Obllomovi thithnin lehtë veçse idetë e përgjithshme, ndërsa hollësirat i linin mënjanë”. Dobroljubov N.A. “Çfarë është obllomovizmi?” Vep. plota në 9 vëll. T. 4. M.; L., 1962.
(7)Anenkov P.V. Tipi letrar i njeriut të dobët // Memuare dhe skica kritike. SPB, 1879
(8)Dobroljubov N.A. “Kur do të vijë pra dita e vërtetë? Vep. V. 6.
(9) Turgenievi ka qenë shumë i ndjeshëm ndaj gjendjes shoqërore, ai kërkonte “heroin e kohës së tij”, dhe romanet e tij përgjatë 20 viteve përmbushin funksionin social të bilancit vetëvlerësues, ato shndërroheshin menjëherë në ngjarje, duke zgjuar një interes mbarëshoqëror dhe shkaktonin diskurse të mprehta dhe artikuj kritikë, madje kritika në këtë kohë i kushtonte vëmendjen më të madhe pikërisht kuptimit shoqëror të veprës, dhe jo karakteristikave të saj estetike.
(10)Hercen A.I. “Njerëzit e tepërt dhe të vrerosur” // A I. Hercen mbi letërsinë. M., 1962.
(11)Shestov L. “Turgenievi”. Ardis, 1982
(12)Vorovski V.V. “Njerëzit e tepërt // Artikuj kritiko-letrar. M., 1956.
(13)Në ditarin e Çullkaturinit ka një shënim të tillë: “I tepërt, i tepërt … O çfarë fjale të mrekullueshme kam sajuar … Njerëzit qëllojnë të poshtër, të mirë, të mençur, budallenj, të këndshëm e të pakëndshëm; por njerëz të tepërt... s’ka”.
(14) Forma “Onjegini dhe Peçorini – janë njerëz të tepërt” nënkupton numrin shumës të formës “njeriu i tepërt”, d.m.th., ajo përbashkon, gjithsesi, njerëzit e ndryshëm që dallohen nga njëri-tjetri dhe që nuk treten në një tërësi të vetme.
(15) Evropeizmi i Onjeginit interpretohet shpesh pikërisht si një lloj elegance, ndërsa skepsi interpretohet si një tipar i tij individual, dhe jo si shfaqje e sëmundjes së shekullit”.