E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, 150 parashutistë në ditën e çeljes së sezonit turistik

Sezoni turistik në Vlorë do të nisë mes një atmosfere festive. Ky sezon, i cili pritet që të fillojë në datën 9 maj do të sjellë një spektakël nga ajri në qytetin bregdetar. Të paktën 150 parashutistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës do të bëhen protagonistë të një spektakli festiv në Vlorë, në ditën që do të shënojë dhe çeljen e sezonit të ri turistik në këtë qytet bregdetar. Fluturimet sportive të garës Albania open do të zhvillohen për tre ditë për të përfunduar në 9 maj, kur do të shpallen dhe sportistët më të mirë, bëjnë të ditur nga drejtoria e koordinimit, zhvillimit dhe turizmit në bashkinë e Vlorës. Parashutistët do të fluturojnë nga lartësi të ndryshme në kodrat, që qarkojnë qytetin deri në Qafën e Llogorasë. Gara e fluturimeve sportive Albania open është shndërruar tashmë në një traditë, që mbyllet në ditën e çeljes së sezonit turistik në qytetin e Vlorës, si një nga aktivitetet e shumta të planifikuara për këtë ditë. Krahas saj, programi përfshin veprimtari të ndryshme sportive, kulturore e artistike, në të cilat do të angazhohen qindra sportistë, artistë, nxënës të të gjitha niveleve në shkollat publike dhe jopublike të qytetit, etj. Dita e çeljes së sezonit turistik konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme për promovimin e resurseve turistike në bregdetin e Vlorës, ku një vit më parë pushuan më shumë se 220 mijë persona nga Shqipëria dhe turistë të huaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›