Rënia e korrupsionit në drejtësi, si meritë e qeverisë
Nga Sami Neza
Sipas një sondazhi për korrupsionin në vend, të inkurajuar dhe mbështetur financiarisht nga USAID, ndër shifra të bollshme siguruar prej tij binte në sy edhe një e dhënë gati befasuese. Drejtësia, pra gjykata dhe prokuroria, kishin një rënie në vlerën e korrupsionit krahasuar me vitin 2005. Rënia ishte afërisht e njëjtë me rënien që kishte incidenca e korrupsionit në administratën publike.
Nëse për këtë të fundit arsyet madhore janë reformat e qeverisë, si ngushtimi i praktikave korruptive nëpërmjet dixhitalizimit të shërbimeve, vendosjes së kontrollit në investime e tendera, implementimi i ligjeve antikorruptive dhe që inkurajojnë transparencën etj., rënia e perceptimit për korrupsion në gjykata, por edhe incidencës atje, duket në pamje të parë si një vlerë e fituar prej vetë gjykatave apo prokurorisë.
Duke mos lënë mënjanë edhe këtë faktor jo pa rëndësi, me pak vëmendje do të shohim se ulja e korrupsionit te drejtësia përbën një vlerë për qeverinë, edhe pse pushteti gjyqësor është i pavarur prej saj, nuk rregullohet nga administrata qeveritare, por vetërregullohet nga instrumentet që janë “outputs” të vetë sistemit.
Qeveria e PD-së që me ardhjen e saj në krye të vendit në 2005 i shërbeu kauzës antikorruptive, një prej kauzave kryesore që e solli në pushtet ish-opozitën demokratike. Ajo krijoi një ambient të vështirë për korrupsionin në të gjithë administratën publike dhe ky ambient nuk kishte si të mos ndikonte edhe te drejtësia. Kësaj të fundit gjithnjë e më shumë i shtohej presioni për t’iu bashkuar frymës antikorruptive në administratë, një presion që nuk ishte i dedikuar posaçërisht për drejtësinë, por që kishte ndërtuar frymë në vend dhe kësaj fryme nuk mund t’i shmangej edhe pushteti i drejtësisë.
Më se njëherë, qeveria është kritikuar për debate me zyrtarë të drejtësisë apo përfaqësues të grupeve të interesit. Bile, kritikat arrinin deri aty sa të interpretoheshin si presione ndaj gjyqësorit apo akuzës. Kanë qenë të pakët zërat, që debatet mes qeverisë dhe gjyqësorit t’i komentonin brenda çështjeve për të cilat ato zhvilloheshin, si dosjet për korrupsionin, gjyqet e pronësisë, lirimet nga burgjet apo lehtësimet për çështje penale, si trafiku i narkotikëve apo njerëzve. Shumë i interpretonin ato si prekje të pavarësisë së gjyqësorit, kur në fakt produkti i atyre debateve përveçse prishte njëherë e mirë marrëdhëniet miqësore mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, duke ulur mundësinë e ndikimit politik në gjykata dhe prokurori, vendoste në pozicione ligjore përballë njëri-tjetrit dy pushtetet, të cilat kishin përjetuar një miqësi tetëvjeçare me pasoja shumë të rënda për drejtësinë, administratën dhe demokracinë në vend.
Qeveria jo vetëm që nuk bënte përpjekje të zaptonte gjyqësorin, por përkundrazi krijoi distancë me të, një distancë, e cila lehtësonte kultivimin e ligjit tek drejtësia dhe nga ana tjetër, frikën prej drejtësisë te administrata.
Nëse qeveria do të mjaftohej vetëm me krijimin e një ambienti relativ për një drejtësi të pandikuar nga politika dhe nën presionin qytetar, ndoshta kuotimi aktual për rënien e korrupsionit në sistemin e drejtësisë do të ishte në të njëjtat shifra, por rrezikonte të kthehej në një proces reversibël me kalimin e kohës.
Drejtësisë shqiptare nuk i ka munguar pavarësia dhe mundësitë për ta pasur atë, por i ka munguar kontrolli dhe mungesa e vullnetit për ta vendosur atë. Qeveria inkurajoi ndërmarrjen e një reforme ligjore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, që tashmë është kryer në një pjesë të madhe dhe mund të përmbyllet deri më 18 maj, kur është edhe dita e fundit e kësaj legjislature të Parlamentit dhe mund të kalojë ligji për Gjykatën Administrative. Thelbi i kësaj reforme ishte rritja e transparencës dhe llogaridhënies së gjyqësorit dhe akuzës. Për herë të parë u mundësuan mjete ligjore, përmes të cilave mund të ndërtohej më në fund një “feedback” për drejtësinë. Kjo ishte pikërisht ajo pikë lidhëse që i kishte munguar këtij pushteti, me përgjegjësinë që çdo pushtet ka ndaj qytetarëve.