Nga qiradhënia tek shërbimet, aktivitetet që do paguajnë tatim në burim

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, duke filluar nga 1 janari 2025, ndryshon deklarata e Tatimit të Mbajtur në Burim dhe të Ardhurave të tjera.
Ministri i Financave Petrit Malaj ka miratuar edhe udhëzimin për zbatimin e ligjit, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Deklarata e re në krahasim me të mëparshmen ka disa ndryshime, por llojet e të ardhurave për të cilat mbahet Tatimi në Burim nuk ndryshojnë, ndërkohë që deklarimi i të dhënave është analitik dhe i detajuar.
Të ardhurat dhe pagesat objekt i mbajtjes së tatimit në burim janë dividentët; interesat; honoraret; të ardhurat nga lojërat e fatit; të ardhurat nga qiradhënia vetëm kur i paguhen individit; pagesat e shërbimeve, përveç shërbimeve të marra fizikisht jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; shërbimet e sigurimit; tarifat për pjesëmarrjen në bordet drejtuese dhe këshillat ose trupa drejtues të tjerë; pagesat për ndërtime, instalime, montime ose punë mbikëqyrëse të lidhura me to; pagesat për performancën e aktorëve, muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla të bëra për personat që punësojnë artistë ose sportistë ose që veprojnë si ndërmjetës në organizimin e shfaqjeve apo performancave.
Nuk janë subjekt i mbajtjes së tatimit në burim: të ardhurat e paguara personave të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat; dividendët sipas kushteve të përcaktuara në nenin 29 të këtij ligji; të ardhurat nga fitimi kapital, si dhe të ardhurat nga interesat nga emetimi i eurobondit prej Republikës së Shqipërisë, të paguara entiteteve jorezidente, pa një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë; si dhe të ardhurat nga interesat që u paguhen bankave dhe institucioneve të tjera financiare.
Norma e mbajtjes së tatimit në burim mbi dividendët është 8%. Norma e tatimit të mbajtur në burim mbi të ardhurat dhe pagesat është 15%.
Afati i deklarimit dhe pagesës së Tatimit të mbajtur në Burim dhe të ardhurave të tjera mbetet i pandryshuar dhe është çdo datë 20 të muajit pasardhës të periudhës që po deklarohet. /j.p/