E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga qorrsokaku politik, Rama kandiset të kërkojë veç një gjysmë mandati

25-04-2011 / Nga Lavdrim Lita

Që Lulzim Basha është i pashëm kjo është po aq e ditur sa numri 200 mijë fansa për të, në rrjetin social Facebook. Kjo thjesht tregon një frymë risie, ndryshimi, një tendencë simpatie ndër qytetarë dhe opinionin publik. Basha-mania është një efekt domino që po shkatërron makineritë e baltës mesjetare të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Të gjendur në befasi, Shtabi i luftës së Ramës në Tiranë, ka ndryshuar shpesh impostim të fushatës elektorale, saqë të japin idenë e trazimit të një dileme permanente: të flasin për qytetarin apo për Berishën.
Megjithatë duket se kreu i PS-së e ka vendosur ta kthejë betejën në një sulm ndaj qeverisë qendrore, duke u sjellë në opozitë edhe në ato vende ku është në pozitë, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier e Vlorë prej shumë vitesh. Kjo sjella prej opozite në qytete që kanë drejtuar për kaq shumë mandate tregon se kanë frikë të peshohen në llogari-dhënie, se ndryshe s’kuptohet çfarë duhet të bëjnë. Bilanci e qeverisje socialiste në qytete e mëdha ka vuajtur shumë politizimin e skenës politike, ku dashur padashur shumë kryebashkiakë socialistë kanë ndjekur rrugën e vetme të Ramës, duke harruar kështu rrugët e zhvillimit të qyteteve, që përveç fasadave të bukura në qendër janë për faqe të zezë në çdo aspekt të qenies së tyre një qytet modern.
Ndërkaq këta busull-humbur me në krye Ramën kanë vendosur të ndjekin kryeministrin Berisha në çdo cep të Shqipërisë për të prezantuar edhe ata kandidatët  e tyre. Kurse në Tiranë ai nxjerr me telekomandë ushtarët e klonuar që me gjuhën helmuar tentojë të intoksikojnë kundërshtarin.
Mirëpo Lulzim Basha po u flet qytetarëve dhe e ka të pamundur të merret edhe me denigrimet ndaj tij dhe familjes. Qerosët  dhe Qoset e industrisë së shpifjes, një herë e një kohë, bënin të njëjtën gjë kundër Ramës, sepse ata i paguhen prurësit më të parë të parave. Njerëz pa shtyllë kurrizore këshillojnë dhe llogorizojnë kërkojnë ta kthejnë debatin publik në një mejhane politike, ku fiton aq që shan më shumë. Sepse këtë dinë të bëjmë këto vampirë që çiftohen me lakuriqë.
Sakaq kjo lojë është e padurueshme për kryeqytetasit që kanë nevojë të dinë sesa taksa do të ulen, sesa shkolla dhe çerdhe do të ndërtohen, sesa do të shtohen hapësirat e gjelbra, sesi do të transformohet Tirana pas miratimit të planit urbanistik. Këtyre dhe shumë pyetjeve Lulzim Basha ka dëshmuar se ka përgjigje, se një program zhvillimi kapilar të qytetit. Kurse kundërshtari i tij i propozon qytetarëve një lojë emocionale, me të cilën ju kërkon që të jetë edhe dy vjet në krye të bashkisë derisa të vijnë zgjedhjet parlamentare, ku ai do të kandidojë për kryeministër. Sepse ajo është ëndrra e parealizuar dhe kurrë mohuar. Prandaj kërkon një mandat të përgjysmuar, ku edhe atë ta bëjë part-time, më kohë të pjesshme.
Si do që të jetë agjenda e Tiranës është ndryshe. Ky kryeqytet dhe qytetarët e saj duan një qytetar të parë që të dijë se ku janë problemet akute dhe se si zgjidhen në një  kohë rekord, dhe këtë ta bëjë me kohë të plotë. Ata janë të gatshëm të dëgjojnë këdo, të gjithë, por në fund me gjithë mend do të votojnë për njeriun që do të marrë përsipër të rehabilitojë një Kryeqytet të sakatuar në ndërtime paleje, në gllabërim të hapësirave të gjelbra, në mungesë të infrastrukturës, të jetës kulturore dhe avantazheve ekomomike. Jemi përballë alternativës politike të Ramës dhe alternativës Basha për Tiranë, ku dallimi është se njëri kërkon  të katapultohet në kryeministri dhe tjetri lufton më gjithë shpirt të jetë shërbëtor i qytetit. Rama guxon t’u kërkojë një mandat të katërt deri në 2013, vetëm përgjysmë mandati, sepse shtysa për t’u bërë kryeministër është më e fortë sesa për të qenë kryetar partie apo kryetar bashkie.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›