Nga rasti i Griseldës tek rasti “i ftesës për Haradinajn” zbulohet linja jeniçere e PS
Për gafën politike të kërkesës për takim në Prishtinë me z. Ramush Haradinaj ndjej “keqardhje që individë pa ekspertizë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare marrin përsipër detyra të rëndësishme që nuk kanë aftësi t’i kryejnë. Kjo krijon kosto në marrëdhëniet me miqtë apo partnerët ndërkombëtarë”. Kështu është shprehur deputetja socialiste Arta Dade për paaftësinë që kanë treguar kabineti dhe këshilltarët për marrëdhëniet me jashtë të Edi Ramës. Një thumbim i fortë për amatorizmin servil në të cilin është rrethuar partia më e madhe opozitare. Këta shefa kabineti që çojnë kërkesa në emër të PS-së janë ish-drejtorë të bashkisë Tiranë, që Rama i ka punësuar në Partinë Socialiste, duke hequr nga kjo detyrë njerëz që janë regjur në këtë punë.
Megjithatë nuk është problem i heqjes dhe zëvendësimi i kabinetit të afërt të një lideri, por rëndësi ka që në detyrat institucionale e protokollare të jenë njerëz që përtypin pak politikën të jashtme apo të lexojnë ndonjë lajm mbi Kosovën dhe rajonit. Ngase po të lexonin ca më shumë me siguri do ta dinin që lideri i AKK-së, z. Ramush Haradinaj është në gjykatën e Hagës për shkak të një rigjykimi, në të cilën ka dalë njëherë i pafajshëm. Gjithsesi nëse nuk është një provokim cinik me urdhër të Ramës, me siguri, dalja në dritë të këtij incidenti të turpshëm dëften për konotacionin lokalist të kryetarit të PS.
Kësisoj i gjithë lobimi ekonomik dhe mediatik për t’u dukur patriot në Kosovë dhe nacionalist i verbër në Maqedoni shkrihesh si kripa në ujë. Një bumerang i përmasave primitive që i fiku qiriun patriotik Ramës, duke e kthyer në gjendjen e shumë kohëve më parë, kur i dorëzoi si Kryebashkiak çelësit e Tiranës një ultra-nacionalisti serb si Goran Bregoviç. Prandaj nuk ngjit as Edi Rama dhe as Partia Socialiste në viset shqiptare, pasi PS-ja për kosovarët dhe shqiptarët jashtë vendit identifikohet direkt me Partinë mëmë komuniste të krijuar nga Jugosllavët, për të mbajtur shqiptarët të përçarë. Sikurse dalja kundër rrugës së Kombit nga PS-ja u duk andej dhe këtej kufirit si një refleks i kushtëzuara nga e kaluara e PS-së. Zhurma dhe balta për njollosur autostradën e kombit vinte nga nënndërgjegjja e heshtur.
Sidoqoftë kur nënndërgjegjja bashkohet me injorancën informative bëhet një lëmsh i madh që është i vështirë për t’u kapërdirë. Gafa në politikë është e zakonshme kur bëhet prej politikanëve me pak eksperiencë. Prandaj janë bashkëpunëtorët e afërt të liderëve për të thjeshtëzuar problemet e jo ti krijojnë ato. PS-ja ka pasur njerëz “specialistë” të marrëdhënieve me jashtë si Arta Dade apo Kastriot Islami, por këto ekspertë janë lënë jashtë rrethit besnik i jeniçerëve të rinj, Belinda Balluku dhe Erion Veliaj. Ky i fundit e bëri proçkën me letrën e shpejtë që u dërgoi ambasadave dhe kancelarive për ngjarjen e Griseldës, që sipas Velisë ishte pushteti i Sali Berishës i grabiti nga barku fëmijën dashnores së Kryebashkiakut të Kavajës, Ervis-Elvin-Elvis Roshi. Pastaj doli të ishte një trillim i poshtër. Ndërkohë europarlamentarja Tanja Fajon u kërkoi shqiptarëve shpjegime për këtë ngjarje, duke u bazuar në e-mail-in e Erjon Velisë. Gënjeshtra i ka këmbët më të shpejta sesa e vërteta.