E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga shteti i bunkerëve, te pushteti i mbërtheckave

Nga Luan Zyka

Shkarkimi i rrufeshëm i ministrit (që tentonte të zbërthente mbërtheckat e një femre), nuk besoj se bind njeri për ekzistencën e puritanizmit në politikën shqiptare. Përkundrazi, ai u dënua vetëm me synim politik - për gabimin që u tregua i pakujdesshëm, dhe bëmat e një ministri i mori vesh mbarë opinioni shqiptar dhe botëror. Sepse, po të ishin të tjera motivet e shkarkimit (në videon e “Fiks Fare” ka materiale ulëritëse për shumë shkelje dhe përbaltje prej ministrit), menjëherë duhet të lëvizte drejtësia - për abuzim me pushtetin, duhej të lëvizte Departamenti i Administratës Publike - për politikat dhe ecurinë e nëpunësve civilë në atë ministri, duhet të lëvizte partia për njollosjen e ideologjisë së saj etj. Por, gabimi i ish-ministrit nuk ishte thjesht një skandal seksual, një aksident në ushtrimin e pushtetit. Tjetërkund ishte gabimi. Pas atyre mbërtheckave del lakuriqësia e pushtetit abuziv, duket lakuriqësia e politikës nga ligjet shtetërore dhe morale, zbardhet zbrazësia e pushtetit prej koncepteve të shtetit demokratik. Përtej ish-ministrit dhe pas atyre mbërtheckave u duk lakuriqësia e një pjese të institucioneve politike dhe shpirtërore të shoqërisë sonë;

parlamenti, ku u dëgjuan ca belbëzime, të cilat shpejt u pasuan nga heshtja e mëkatarëve, përfaqësues të denjë të një populli që nuk guxon vetëpastrimin.

Trupi pedagogjik i universitetit - u dëgjua se kërkonte përjashtimin e profesorit nga mësimdhënia, por deri këtu, abuzimi masiv pedagogjik u fsheh në heshtje mëkatare. Partia ku militon ish-ministri - asnjë fjalë,

Pas bulëzave të reagimeve të para avulloi gjithçka dhe në fund mbeti substrakti lakuriq i hipokrizisë së shoqërisë sonë ndaj fenomeneve të abuzimit shtetëror, politik dhe moral. Fenomeni i mbërtheckës tregoi dhe një herë marrëdhëniet hedonistike të shqiptarit me pushtetin shtetëror. Nga njëra anë gjendet masa e gjerë e nënshtetasve e shtypur nga nevoja për mbijetesë, dhe këtë mbijetesë e shpreson te marrëdhënia e saj me pushtetin duke u katandisur në varësi të pështirë skllavëronjëse. Nga ana tjetër, gjenden ata që i kacavirren majave të pushtetit me çdo mënyrë duke u shkumëzuar në dallgë hedonizmi. Për të dy kategoritë, mjeti i duhur për arritjen e qëllimit është organizimi partiak, rruga e partisë. Dhe kur partia kap pushtetin, atje pastaj kërkon të betonizohet deri në bunkerizim duke pjellë shtetin autarkik dhe totalitar. Kështu u gdhi Shqipëria e varfër në vitet e komunizmit, ku në trupin e saj të drobitur nga “fitoret e luftës” mbetën bunkerët e partisë-shtet dhe brenda tyre një popull i tërë.

Nga utopia platonike, te demokracia aristoteliane

Para 18 viteve studentët do të ngriheshin me ushtimën e tyre platonike “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Që atëherë Shqipëria ka ndryshuar, por koha po e tregon se nuk mjafton dëshira dhe ideja platonike, - më keq akoma, ajo mund të degjenerojë në utopi, përderisa thellë mendësia jonë shtetare nuk ndryshon.

Ajo Evropë që duam t’i ngjajmë, nuk mund të pranojë në trupin e saj, shëmbëlltyra të deformuara të vetvetes. Ajo Evropë ka ardhur aty ku është duke ngritur një nga një katet e organizimit të shoqërisë, ndërsa ne e kemi futur shtetin në bunkerë dhe e kemi mbërthyer me mbërthecka. Mendësia jonë më e “pafajshme” për shtetin ka të patretur mirë “frymëzimin platonik”; - ne presim të na shpëtojë prijësi karizmatik, pushteti i proletarëve, pushteti i elitës, familjet e mëdha (grotesku i ditëve të fundit në Shqipëri), parullat mbresëlënëse (komunizmi, demokracia etj). Rezultat i kësaj utopie shtetformuese është pushteti absolut me simptomat e tij; - mallkimi i prijësit karizmatik, inteligjencë impotente, elitë e karbonizuar e lidhur pas mbërtheckave të pasurimit dhe amoralizimit etj.

Të gjitha këto të çojnë te shteti totalitar me simbol bunkerin ose te shteti si degjenerim i demokracisë me simbol mbërtheckat.

“Njeriu është kafshë politike” - ky koncept i Aristotelit i pasuar me idetë e tij për ndarjen e pushteteve dhe ekuilibrimin e tyre, qëndron në themel të filozofisë së shtetit demokratik modern duke u plotësuar me shkencën politike të institucionit shtetëror prej Makiavelit.

Por në mendësinë tonë quhet “kafshë kundërshtari politik”, dhe nuk pranojmë faktin se asnjë njeri nuk është i imunizuar nga sjelljet instiktive. Sipas mendësisë sonë, “demokraci” do të thotë marrëveshje midis “partive” për ndërrim pushteti, ashtu si veprohet në shtëpitë publike. Në mendësinë tonë, ekuilibrimi i pushteteve kuptohet vetëm kur çdo pushtet, parlamentar, ekzekutiv, ligjor; çdo firmë pushtetare nga ministri, doganieri, mjeku dhe mësuesi ka vulën e pronës së vet. Të pushtuar nga hedonizmi i pushtetit, kokën në bunker dhe duart pas mbërtheckave.

Nga shteti minimal, te shteti modest në shërbim të qytetarit

Tranzicioni ynë i pafund kaloi nga shteti totalitar në shtetin liberal deri te shteti i liberalizmit anarkik. Zbatimi i teorisë së liberalizmit anarkik ose i shtetit minimal, sipas konceptit të R. Nozcik, në pamje të parë, do gjente fushë eksperimentale në mendësinë shqiptare të tranzicionit. Por me një ndryshim të vetëm dhe thelbësor, koncepti i shtetit minimal të Nozcik niset nga ideja e respektimit të së drejtës së personit dhe çlirimit të iniciativës private nga ndërhyrjet e pushtetit. Në mendësinë tonë shqipo-ballkanike, ku monedha ka dy anë, shteti minimal lidhet vetëm me detyrimet e tij minimale ndaj qytetarëve, por nga ana tjetër vepron pushteti pakufi me përfitime maksimale të pushtetarëve në kurriz të shtetit dhe shoqërisë.

Bota demokratike, që po kalon krizën e saj të madhe, po i kthen sytë nga shteti për të luajtur rolin e tij në mbajtjen e një klime të shëndetshme zhvillimi. Jetojmë ditët, ku firmat e mëdha biznesi nuk mjaftohen për ecurinë e tyre te treguesit ekonomikë, por po marrin në vëmendje edhe treguesit shoqërorë të bizneseve të tyre. Te ne shteti, që së pari ka rol shoqëror dhe partitë e pushtetit që kanë rol organizimin politik të qytetarëve, funksionojnë vetëm si firma biznesi. Në një kohë kur edhe partizanët e flaktë të vetë-rregullimit të shoqërisë dhe shtetit minimal po i kthejnë përsëri sytë nga funksionimi i administratës publike, ne që braktisëm partinë-shtet e kemi kthyer administratën në bunker të mbushur me ushtarë partie. Lidhja klienteliste e partive me ushtarët e saj është kaq ekstreme, sa i vetmi kriter i anëtarit të partisë është militantizmi qorr, ku ata janë të gatshëm të japin çdo gjë për pushtetin. Prandaj, administrata mbushet me të tillë që ëndërrojnë bunkerizimin në pushtet. Por tani kanë ndërruar kohët - jashtë presin militantët e partisë opozitare, të uritur, gati për të bërë një ’97 të dytë, po nuk pranove t’i lësh radhën në shtëpinë publike. Ndaj edhe ata që përkohësisht kanë pushtetin, të ethshëm, të babëzitur e në ngutje nuk i lënë mbërtheckë pa i zbërthyer shtetit. E jetova këtë klimë në vitet 2002-2003, kur isha Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës. Përjetova racizmin partiak, kur një ministër i thotë në mes të parlamentit ministrit tim: “ǒe ke atë demokrat, Sekretar të Përgjithshëm” (“ai është socialist” pëshpërit ndonjë vemje pseudo-demokrate në Selanik). Pashë përdhosjen e dinjitetit njerëzor të nëpunësve me sjelljen harbute të ish-ministres. Pashë servilizmin pështirosës të një pjese të nën-punësve; nën-partiakë, nën-shtetas, nën-thundrakë, përjetësisht nën…Ishte e pamundur të punoja nën errësirën e bunkerit. Ajo që më kish mbetur ishte t’i godisja me po ato ligje që ata kishin votuar vetë. Ishte e drejta ime politike për t’i rezistuar pushtetit abuzues politik. Në Shqipëri janë përkthyer dhe votuar me dhjetëra ligje për funksionimin e shtetit, ligje nga më të mirat që ka bota demokratike. Por për çfarë i duhen ligjet evropiane shoqërisë sonë, ku si në antimaterie gjithçka deformohet dhe funksionon ndryshe?

E ku mund të mbillen në mendësinë tonë idetë e reja të sociologut francez, M. Crozier, për shtetin modest (etat modeste), ku shteti minimal të jetë rezultativ në shërbim të qytetarit dhe jo të nën-shtetasit, nën-partiakut dhe pushtetarit siç e do zakoni ynë motmotit.

Se psikosinteza dhe përvoja jonë e organizmit shoqëror nuk del dot prej bunkerit historik - secili nga ne shtetin e do për veten e vet, sipas idesë së vet. Ideologjitë, teoritë, romantizmat, utopitë për lirinë dhe të drejtat nuk janë veçse mbërtheckat e hedonizmit tonë me pushtetin. Dhe kjo është më fatale se shuarja e një populli - kur ai me moskokëçarje, këtu e dhjetëra vite, ndjek karnavalizimin e vetes së tij.

Autori është ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›