KE: Mbroni mjedisin në zonat bregdetare dhe investoni në turizëm
“Ju e dini që të huajt nuk e kanë qejf korrupsionin, ndaj, që vendi juaj të tërheqë më shumë investitorë, duhet ta luftojë atë”.
Në këtë mënyrë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës iu përgjigj sot pyetjes se çfarë duhet të përmirësojë më shumë qeveria shqiptare.
Kjo është një nga arsyet thelbësore që sipas z. Walter Schwimmer pengon zhvillimin e vendit nga investimet e huaja.
Z. Schwimmer u shpreh se Shqipëria duhet të përmirësojë edhe disa pika të dobëta të shtetit. Sipas tij, ato janë: forcimi i shteti ligjor, përmirësimi i sistemit të drejtësisë por mbi të gjitha, - tha ai, - Shqipërisë i duhet një drejtësi e pavarur.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës i sugjeron qeverisë shqiptare që të përqendrohet në investimet në turizëm, pasi duhet një turizëm cilësor dhe jo sasior.
“Nëse qeveria arrin të mbrojë mjedisin në vendet bregdetare dhe të investojë në të, atëherë po do të kemi më shumë turistë cilësorë”, - shprehet Schwimmer.
Por një nga pikat e dobëta të vendit është që ai nuk njihet nga investitorët. Ndaj, sipas tij, nuk janë të nevojshme vetëm reformat fiskale, si për shembull, taksa e sheshtë, hapja e qendrës së regjistrimit etj.
“Shqipëria ka nevojë të njihet”, - deklaroi z. Walter Schwimmer, i cili mori pjesë në forumin ekonomik të Crans Montanës që u zhvillua në Shqipëri për herë të katërt këtë vit.